E pagjurmueshme
Kjo veti e Bitcoin ka tërhequr edhe krimin. Njerëzit mund të blejnë dhe shesin drogë, apo mallra të tjerë të jashtëligjshëm pa rrezikuar që të gjurmohen nga autoritetet. Në këtë aspekt është i ngjashëm me paranë cash, që njeh përdorim të gjerë nga kriminelët.
E lehtë për t’u humbur
Nëse karta e kreditit vidhet apo hakohet, bankat bllokojnë llogaritë dhe rregullojnë balancat. Madje mund të rimarrësh paratë në rast se policia vepron me shpejtësi. Por në rast se humbisni Bitcoin, humbja është e pakthyeshme. Mënyra më e mirë për t’i ruajtur Bitcoin është në një disk të shkëputur nga interneti.
E vështirë për t’u tregtuar
Nuk mund të përdorësh kartën e kreditit për të blerë lehtësisht Bitcoin për arsyet e lartpërmendura. Nuk ka një mënyrë të lehtë për t’i shitur dhe për t’i blerë. Ka shumë pika këmbimi të cilat ofrojnë shërbimin në mënyra të ndryshme, por ende nuk është si transferimi i parave me PayPal.
Ende shumë e re
Bitcoin ka shumë pak vite në treg. Ka mundësi që konkurrente të kësaj monedhe të bëhen më të suksesshme se Bitcoin apo t’i gjenden të meta të mëdha.
Nuk mund ta blesh
Nuk ka shumë vende ku Bitcoin pranohet si pagesë. Kjo ka gjasa që të ndryshojë në të ardhmen, por në ditët e sotme, pjesa më e madhe e njerëzve blejnë Bitcoin si një mënyrë investimi.
Shumë e paqëndrueshme
Aktualisht çmimet e Bitcoin po rriten çmendurisht. Këto ndryshime kaq të mëdha në çmim nuk janë të përshtatshme për tregun. Dyqanet online duhet të rregullojnë çmimet e produkteve thuajse çdo ditë.
Avantazhet që e bënë Bitcoin popullor
Së pari, përdoruesit e Bitcoin nuk preken nga inflacioni. Një nga problemet më të mëdha me dollarin dhe monedhat e tjera është inflacioni. Gjatë gjithë kohës, monedhat e humbasin fuqinë e tyre blerëse me disa pikë përqindje çdo vit, pasi bankat qendrore vazhdojnë dhe emetojnë gjithnjë më shumë para. Përdoruesit e Bitcoin nuk e kanë këtë problem, pasi sistemi është programuar në mënyrë të tillë që kriptomonedhat Bitcoin do të kenë një limit. Vetëm 21 milionë Bitcoin do të emetohen. Emetimi i kriptomonedhave të reja është ngadalësuar dhe do të përfundojë plotësisht brenda disa dekadave. Deri në 2050-n (vit që përkon me emetimin e Bitcoin-it të fundit) popullsia në botë përllogaritet se do të jetë rreth 10 miliardë njerëz. Do të ketë 1 Bitcoin për çdo 500 individë.
Së dyti, është rreziku i ulët nga falimentimi i ekonomive. Monedhat e zakonshme varen nga qeveritë, të cilat mund të falimentojnë. Të tilla ngjarje shkaktojnë hiperinflacion ose kolaps total të monedhës, dhe kursimet e një jete mund të zhbëhen brenda një dite. Fakti që Bitcoin nuk është i rregulluar nga asnjë qeveri e bën atë një monedhë virtuale globale.
Së treti, pagjurmueshmëria është njëkohësisht avantazh dhe dizavantazh për kriptomonedhën. Asnjë organizatë nuk mund të gjurmojë burimin e fondeve. Kjo veti nxit përdorimin e Bitcoin nga njerëz, të cilët mendojnë se qeveritë “po fusin duart” në kursimet e tyre.
Së katërti, monedhat virtuale transportohen lehtësisht. Mund të mbash me vete Bitcoin me vlerë miliona dollarë në formën e një çipi në xhep. Këtë nuk ta mundëson as paraja cash dhe as ari.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.