Me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi të mërkuren mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, duke e rrëzuar atë.
Në sallë kanë qenë 117 deputetë. Votimit i parapriu një debat i ashpër në Kuvend, që ka nisur pak para orës 12:00 dhe ka vazhduar gjatë ditës, deri pak para mesnatës.
Me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim në natën e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës u votua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Albin Kurti drejtoi ekzekutivin e vendit për vetëm 51 ditë, duke qenë kjo Qeveria më jetëshkurtër ndonjëherë në Kosovë. Mocionin për rrëzimin e Kurtit e nisi Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Lëvizja Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës.
LDK-ja e prishi koalicionin pasi Kurti shkarkoi pa paralajmërim ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
Rrezikimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas LDK-së, e shkaktoi Kryeministri Kurti, ishte një nga arsyet për mocionin.
VV-ja e Kurtit i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019 me 26.2 për qind të votave, ndërsa pas saj doli LDK’ja me 24.5 për qind. Dy subjektet nuk arritën marrëveshje për koalicion parazgjedhor, e më pas zhvilluan 4 muaj negociata, për te formuar Qeverinë më 3 shkurt 2020. Seanca për rrëzimin e Qeverisë Kurti nisi rreth orës 11:00.
Kurti: Ne do të vazhdojmë t’i kryejmë detyrat por jo si më parë
Kryeministri Kurti, në fjalimin e tij të fundit para mocionit, ka falënderuar ministrin Anton Qunin i cili tentoi të dialogojë për të zgjidhur çështjen e koalicionit.
Kurti ka thënë se vendimmarrjen në LDK e kanë ata që e kanë takuar ambasadorin Grenell.
“Ne do të vazhdojmë t’i kryejmë detyrat por jo si më parë, pas rrëzimit të qeverisë”, thotë Kurti.
Ai theksoi se marrëveshjen sekrete, Thaçi – Vuçiq, nuk e ka se nuk do ta fshihte. Më tej ka treguar se e di që ekziston një e tillë mes tyre.
“Është gabim të shkohet në Shtëpinë e Bardhë, me një marrëveshje të dëmshme ku detyrohesh ta nënshkruash. Nuk mund të bëhet marrëveshja pa më thyer mua. Unë jam njeriu me i votuar në dy palë zgjedhje, andaj nuk thyhem”, ka thënë ai.
Ai ka përsëritur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se nuk është ide e Mustafës.
“Ideja e gjendjes së jashtëzakonshme është ide e presidentit Hashim Thaçi”, theksoi më tej ai.
Kurti ka folur edhe për demarkacionin, për të cilin ka thënë se nuk do të votohej nëse ai do të ishte kryeministër. “Kuvendi ka votuar edhe marrëveshje të tjera të këqija. Ajo 15 pikëshe, Thaç- Daçiq”.
Osmani: Votoj kundër mocionit dhe jam kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN-it
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim për të cilin tha se nuk do të donte ta mbante. Ajo, e bindur, tha se nuk do të votoje asnjë mocion vetëbesimi që e kthen PAN-in në qeveri.
“Ky është një fjalim që asnjëherë nuk do të doja ta mbaja sepse në çastin që unë po flas, Kosova po përballet me një sfidë të madhe, virusin Covid-19. Unë nuk e votoj asnjë mocion që e kthen PAN-in në qeveri”, është shprehur Osmani.
Kryeparlamentarja tha se me votimin e këtij mocioni rrezikohet të përhapet edhe një pandemi tjetër. “Sot në Kosovë rrezikohet të përhapet edhe një pandemi tjetër, ajo e dehumanizimit dhe përçarjes. Kjo që po ndodh sot do të mbahet mend, sikur koronavirusi”. Ajo tha se ka respektuar cdo parim të LDK-së dhe kryetarin e saj, Isa Mustafën, e të cilin edhe e citoi me disa fjalë.
“Unë e kam respektuar çdo pikë që ka vendosur Mustafa. Po e citoj kreytarin Mustafën: Ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe nuk mund ta luftojnë asnjërën e tjetrën. Ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive, ata që nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranët e luftës. Ata duhet të shkojnë të pastrohen në lavazh e jo të qeverisin. E kishte fjalën për partitë e PAN-it”, ka cituar Osmani.
Gjithashtu, për qëndrimet e veta, Osmani tha se ka të drejtë morale të flasë në emër të elektoratit të LDK-së.
Në fund, ajo tha se për vota kundër këtij mocioni është votë pro së ardhmes së vendit të saj.
Kujtojmë se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë u nis nga partneri i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi Albin Kurti shkarkoi Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.