Rrit çmimin dhe Kastrati, operatori më i madh i naftës në treg; benzina drejt 200 lekëve

06/01/2014 12:23 PM 0 komente

Operatori më i madh i karburanteve në treg, i matur nga xhiro vjetore, karritur çmimet e karburanteve në pikat e tij të tregtimit me pakicë të hënën në mëngjes.

Në pikat e tregtimit në autostradë, një litër naftë shitet me 188 lekë, nga 180 lekë që ishte më parë, ndërsa një litër benzinë me 192 lekë, nga 182 lekë, që ishte më parë, duke reflektuar në këtë mënyrë pothuajse tërësisht shtimin e taksës së qarkullimit nga 7 lekë për liër në 17 lekë për litër që hyri në fuqi që nga 1 janari.

Në Tiranë, çmimet janë rritur më lart, teksa janë përgjithësisht më të shtrenjta, duke bërë që benzina t’i afrohet 200 lekëve për litër.

Të shtunën ishte IT OIl, operatori i tretë për nga xhiro, por ndër më kryesorët në tregun e pakicës, për shkak të shtrirjes së gjerë të rrjeteve të tregtimit, që shtrenjtoi karburantet me 6-8 lekë për litër.

Elda, kompania e dytë më e madhe në vend nuk i ka ndryshuar ende çmimet.

Tregu i përqendruar krijon mundësi për abuzime me çmimet

Nafta është një nga tregjet më të mëdha në vend, që qarkullon mbi 100 miliardë lekë në vit (llogaritur në bazë të xhiros së kompanive kryesore), apo gati 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dukuria tipike e dy viteve të fundit (2011-2012) ka qenë konsolidimi i disa sipërmarrjeve, konkretisht të atyre që investuan me depozita në Porto Romano (“Kastrati” + “Kaspetrol”, “Taçi Oil- IT Oil”, “Europetrol Durrës Albania” dhe së fundmi “Bolv Oil”), dhe rënia e kompanive të tjera të vogla. Në një kohë që tregu i naftës në total nuk është rritur, me importet e këtij produkti që kanë rënë 5.5% me bazë vjetore në 2012-n, torta ekzistuese është rindarë mes kompanive.

Në 2012-n bie në sy dyfishimi i aktivitetit të “Kastratit”, që u rendit si kompania e dytë më e madhe në vend, pas “Bankers”, me një xhiro prej 47.4 miliardë lekësh, 132% më të lartë se një vit më parë. Ndonëse kompania tjetër e grupit, “Kaspetrol”, ka shënuar një rënie të të ardhurave me 70% në 4.7 miliardë lekë, përsëri si grup, “Kastrati” dhe “Kaspetrol” është sipërmarrja më e madhe e naftës në vend. Si grup, të dy kompanitë kanë xhiruar rreth 52 miliardë lekë në 2012-n, me zgjerim prej 26% me bazë vjetore, duke ndarë rreth 40% të tortës së naftës. Fitimi i tenderit për furnizimin e kompanive shtetërore me naftë në 2012-n; furnizimi me hollues i “Bankers Petroleum” dhe fuqizimi në tregun e shumicës janë disa nga arsyet që kanë ndikuar në rritjen e grupit që zotëron depozita me kapacitet rreth 60 mijë metra kub në Porto Romano. Luigj Aliaj, bashkëpronar i grupit “Kastrati” pohon për “Monitor” se arsye të tjera që kanë ndikuar në zgjerimin e kompanisë janë shtimi i pikave të pakicës, diversifikimi i shërbimeve dhe marketingu agresiv. Ai pohon se çdo vit, kompania pret minimumi një rritje prej 5-10%.

Operatori tjetër kryesor në treg, “Europetrol Durrës Albania” (që tregton markën “Elda”) ka shënuar rënie të aktivitetit, pas rritjes së ndjeshme, prej 50% në 2011-n. Xhiro e deklaruar e tij për vitin 2012 ishte 22.35 miliardë lekë, me një rënie prej 27% me bazë vjetore. Kompania duket se e ka zhvendosur vëmendjen në Kosovë, ku po ndërton një rrjet të pakicës në shtetin fqinjë. Edhe “Skënderi G”, tregtuesi me pakicë i “Europetrol Durrës Albania”, ka shënuar ecuri negative, me një rënie prej rreth 5% në 6.7 miliardë lekë. Aksioneri kryesor i kompanisë, Frident Kuqi, pohon për “Monitor” se një efekt negativ në aktivitet ka dhënë dhe shitja dumping (nën kosto) e naftës nga konkurrentët.

Rritje të ndjeshme shënoi dhe “Taçi Oil International”, që e ka përqendruar aktivitetin në këtë kompani në 2012-n, ndryshe nga një vit më parë, kur sipërmarrja tjetër e grupit, rafineria ARMO, mbajti pjesën kryesore të grupit. Xhiro e “Taçi Oil International” arriti në 32.8 miliardë lekë në 2012-n, duke u shtatëfishuar në raport me një vit më parë. ARMO, nga ana tjetër, ka rezultuar me një tkurrje të xhiros prej 20% në 18 miliardë lekë.

“Taçi Oil” kishte ngritur rrjetin më të madh të pikave të pakicës në vend, me rreth 300 pika shitje (pjesa më e madhe e të cilave me qira), nga rreth 1200 që janë në total në vend. Megjithatë, në momentin kur 80% ët aksioneve të ARMO-s, në pronësi të Rezart Taçit, aksionari kryesor i Taço Oil, iu shitën kompanisë azere “Heaney”, konkretisht pika 8, thuhej se Taçi dhe familja e tij nuk duhet të merren me tregun e karburanteve për të paktën pesë vjet.

Pas kësaj, një pjesë e madhe e pikave të saj të pakicës vijuan tregtimin, duke ndryshuar logon në IT OIL, pothuajse krejtësisht e ngjashme me logon e mëparshme, duke mbetur një operator kryesor në vend, sidomos në tregun e pakicës.

Sipërmarrje të tjera të mëdha të naftës janë “Genklaudis”, që gjithsesi nuk ka arritur ta rrisë aktivitetin në 2012-n, por ka rënë me 6% në rreth 12 miliardë lekë.

Me ecuri pozitive rezulton dhe “Bolv Oil”, që në fund të vitit 2011 bleu depozitat e kompanisë së falimentuar “Rira” prej 14 mijë m³, në Porto Romano. Kompania ka deklaruar një xhiro prej 5.6 miliardë eurosh në 2012-n.

Sipërmarrjet e tjera të tregtimit të naftës kanë rezultuar me një aktivitet minimal, teksa i gjithë tregu po përqendrohet në duart e kompanive të sipërpërmendura. E dukshme është rënia e “Vil Oil” (që tregton markën “Alpet”), që në 2009-n ishte e treta më e madhe e naftës, pas “Kastratit” dhe “Taçi Oil”, me një xhiro në atë kohë prej 10.4 miliardë lekësh. Në 2012-n, kompania raportoi një xhiro minimale prej vetëm 188 mijë lekësh.

Ulje të mëtejshme kanë shënuar dhe “Global Petroleum Albania” dhe “Euro Standard Oil”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of