Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se sektori i sigurimeve, që përfaqëson rreth 3.0 për qind të gjithsej aseteve të sistemit financiar, në dhjetor 2016 shënoi rritje vjetore prej 6.1 për qind.
“Një ndër kontribuesit kryesorë në rritjen e aseteve të sektorit të sigurimeve ishte rritja e parave të gatshme të mbajtura në bankat komerciale, që ka pjesëmarrjen më të madhe në strukturën e aseteve të kompanive të sigurimit”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.
Sipas këtij raporti sigurimet jo-jetë, të cilat përfaqësojnë pjesën më të madhe të sektorit me 89.9 për qind të gjithsej aseteve, shënuan rritje vjetore prej 5.8 për qind. Ndërsa sigurimet ‘jetë’, që përbëjnë pjesën e mbetur të aseteve, shënuan rritje vjetore prej 8.3 për qind.
“Gjatë vitit 2016, vlera e primeve të shkruara nga kompanitë e sigurimeve arritën vlerën prej 83.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 4.4 për qind. Struktura e primeve të shkruara kryesohet nga primet e sigurimit jo-jetë të cilat përfaqësojnë 96.9 për qind të gjithsej primeve të shkruara. Vlera e realizuar e primeve të shkruara nga sigurimi jo-jetë arriti në 80.9 milionë euro në vitin 2016, që tregon për një rritje vjetore prej 4.7 për qind. Ndërsa, vlera e primeve të shkruara nga sigurimi jetë arriti vlerën 2.6 milionë euro, duke shënuar një rënie vjetore prej 3.7 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive. /Telegrafi
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.