Rriten çmimet e naftës në bursa, operatorët në Shqipëri: Do ta reflektojmë pas festave

22/12/2016 9:08 AM 0 komente

Çmimet e naftës janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në bursat ndërkombëtare javët e fundit, duke arritur në 55 USD për fuçi, për shkak të uljes së pritshme të inventarit të naftës së papërpunuar amerikane.

Nafta e papërpunuar e West Texas Intermediate (WTI) tregtohej me 53.73$ për fuçi, 43 cent më shtrenjtë, duke u rritur me 0.81 pikë përqindje.

Nafta e papërpunuar ndërkombëtare tregtohej me 55.59$ për fuçi, 44 cent më shtrenjtë, duke u rritur çmimi me 0.79 pikë përqindje.

Tregtarët thonë se çmimet më të larta vijnë si pasojë e një pakësimi të pritshëm të inventarëve amerikanë të naftës së papërpunuar.

Jeffrey Halley, analist në OANDA në Singapor, tha se stoku i naftës së papërpunuar amerikane pritet që të ulet me 2,563 milionë fuçi.

Në vitin e ardhshëm, banka franceze Societe Generale në parashikimin për  tregjet e naftës në dhjetor, tha se marrëveshja midis OPEC-ut dhe të tjerë prodhues të mëdhenj të naftës, si Rusia, për të reduktuar prodhimin me pothuajse 1.8 milionë fuçi në ditë nga janari 2017 do të nxisë rritjen e çmimeve nga 40-50$ në fuçi në vitin 2016 në 50-60$ për fuçi në vitin 2017.

Pritshmëria për çmimet relativisht të ulëta për 2017-n vinte pasi tregjet e naftës priten të mbeten të mirëfurnizuara pavarësisht planeve për të shkurtuar prodhimin.

Prodhimi i naftës për 2016 i Rusisë pritet të jetë 547.5 milionë tonë (11 milionë fuçi për ditë), një rritje prej 2.5% nga viti i mëparshëm, tha ministri i Energjisë, Alexander Novak.

Duke përfituar prej sasisë së madhe dhe relativisht të lirë të naftës së papërpunuar, rafineritë, veçanërisht në Azi, po prodhojnë më shumë naftë se sa tregu mund të thithë.

Kina eksportoi 1.47 milionë tonë naftë diesel në nëntor, 61.8% më shumë se i njëjti muaj një vit më parë.  Eksportet e benzinës u rritën me 64.6% në nëntor në 940 mijë tonë.

Operatorët në Shqipëri: Do ta reflektojmë pas festave

Në Shqipëri, nafta këmbehet aktualisht me 165-170 lekë dhe rritja e fundit ishte rreth dy muaj më parë. Ndërsa disa operatorë të vegjël kanë filluar të reflektojnë çmimin, tregtuesit e mëdhenj pohojnë se ata pritet që të reflektojnë pas festave. “Ndonëse nafta ka vazhduar të rritet në bursa, nuk e kemi shtrenjtuar më çmimin”, thonë tregtuesit, por ata shtojnë që do të jenë të detyruar ta bëjnë këtë nëse vazhdon kjo tendencë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of