Presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka zbuluar në fjalimin e mbajtur javën e kaluar, premtimin për një investim miliarda dollarësh në ndërtimin e një autostrade kyç që do të lidhë Beogradin me Sarajevën.
Vizita e Erdoganit javën e kaluar në kryeqytetin boshnjak, u cilësua kryesisht si një vizitë pune, por në fakt arsyeja kryesore ishte fjalimi që ai mbajti për mijëra turq që kishin ardhur nga vende të ndryshme të Europës Perëndimore, si Gjermania, Holanda dhe Austria, por gjithashtu nga mbarë Ballkani dhe Bosnja.
Ministrat e Transportit të Bosnjës dhe Turqisë pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për ndërtimin e autostradës që do të lidhë dy kryeqytetet e Ballkanit, një projekt që llogaritet në rreth 3 miliardë euro (3.5 miliardë dollarë amerikanë), por deri tani i bllokuar nga serbët boshnjakë, të cilët e kanë kundërshtuar këtë ndërtim. Erdogan tha se priste që ministrat e të dyjave vendeve të pranonin detajet teknike deri në fillimin e verës, periudhë kur do të bëhet edhe shpallja e tenderëve për ndërtimin e seksioneve rrugore.
Ai shtoi se një projekt kaq i madh do të përfshijë edhe marrjen e një kredie nga Banka Exim e Turqisë. “Turqia është kombi ynë”, tha Coskun Celiloglu, një student maqedonas me prejardhje turke. “Ne erdhëm në Sarajevë vetëm për të mbështetur Shpëtimtarin tonë Erdogan”, tha ai më tej.