Kostot në sektorin e ndërtimit u rriten lehtë në tremujorin e dytë të këtij viti, por ndryshimi nuk është nga materialet bazë që përdoren në këtë sektor.
Sipas INSTAT indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2019 arriti 103,8, duke shënuar rritje me 0,3 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit ”Kosto të tjera” u rrit me 1,4 %, pasuar nga grupi ”Shpenzime makinerie” me 0,9 % dhe “Shpenzime për paga” me 0,8 %. Rënie kanë shënuar grupet “Shpenzime transporti” me 0,6 % dhe “Shpenzime materiale” me 0,3 %.
Në tremujorin e dytë 2019 ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim shënoi rënie me 0,01 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, rënie kanë shënuar grupet “Kosto te tjera” me 1,0 %, “Shpenzime për paga” me 0,4 dhe “Shpenzime materiale” me 0,2 %. Rritje ka shënuar grupi “Shpenzime transporti” me 0,6 %.
Ritmet e rritjes se kostove në ndërtim kanë vijuar në një trend rënës, teksa sektori i nderimit të banesave sidomos në Tiranë është para një epoke lulëzimi.
Vrulli i ndërtimeve në kryeqytet është më i larti, të paktën i dekadës së fundit, ndonëse popullsia është në rënie dhe kërkesa për të blerë një apartament është maturuar.
Në 6 muajt e parë 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte 753 mijë metra katror, që i korrespondon një vlere të përafërt ndërtimi prej 224 milionë eurosh, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Kjo sipërfaqe është më shumë se dyfishi i rekordeve të mëparshme, të arritura në gjysmën e parë të 2014-s dhe të 2018-s.
E ngjeshur do të jetë sidomos dhe zona e qendrës së kryeqytetit, ku apartamentet do të shiten duke filluar nga 2,000-2500 euro për metër katror dhe zyrat mbi 2500-5000 euro/m², ndërsa maksimumi ka arritur në 4,000 euro/m2 për apartamentet dhe deri në 15 mijë euro/m2 për m2.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.