Flet Arben Çipa, administrator i “Sipa Tours”
Turistët europianë duket se do të jenë një grup i rëndësishëm i atyre që vizitojnë Shqipërinë, si në formë individuale, ashtu edhe të organizuar.
Administratori i agjencisë “Sipa Tours”, Arben Çipa, tha se është rritur numri i rezervimeve nga ky grup, i konfirmuar nga hotelet në zonën bregdetare.
Lidhur me Sarandën, ai parashikon që heqja e kufizimeve do të sjellë më shumë turistë edhe si pjesë e vizitave të shkurtra ditore nga Korfuzi, por edhe nëpërmjet aeroportit që përdoret për fluturimet nga agjencitë e huaja që sjellin turistë në organizuar në vendin tonë.
Nga të dhënat paraprake, pritshmëritë e operatorëve janë që 2022 të jetë një vit i mirë për turizmin në sezonin veror.
Po, ajo që bie në sy në Sarandë, kur kemi vizitorë, është rritja e fluksit në Bulevard, diçka që ka nisur të vihet re ashtu sikurse shohim edhe prurjen me tragete, që në fakt është premtues që tani.
Flitet që do të jetë një sezon i mirë, e lidhur kjo dhe me heqjen e plotë të kufizimeve prej COVID-19.
Surpriza është që pritëm kroçerën e parë me turistë amerikanë, që ishin ditorë dhe zgjodhën disa lloje turesh gjatë qëndrimet të tyre këtu, siç ishte Jeep safari, vizitë në Gjirokastër, Butrint dhe një degustim në kantinë vere.
Parashikohet që të rritet numri i kroçerave që vizitojnë Sarandën. Gjithsesi nuk do jetë e lehtë të kapim vitin 2019, pasi duhet të kalojë edhe pak kohë. Është një turizëm shumë i ndjeshëm dhe kërkon përgatitje dhe pandemia, edhe pse tani pa kufizime, ka lënë gjurmët e saj.
Saranda e ka të lidhur ngushtë aktivitetin me Korfuzin, pasi një pjesë e turistëve që vizitojnë ishullin i drejtohen Sarandës në vizita të shkurtra, ose përdorin aeroportin për fluturime. Si e shihni vitin 2022 në këtë aspekt?
Ajo që është e sigurt dhe e konfirmuar nga rezervimet në Greqi në përgjithësi, por edhe në Korfuz, është se pritshmëria e tyre është që të jetë viti më i mirë ndonjëherë në turizëm.
Kjo do të thotë një vit edhe më i mirë sesa viti 2019, kur pandemia dhe aspekte të tjera kufizuese që kemi sot nuk ishin. Kjo situatë në fqinjin tonë është premtuese edhe për ne. Kompanitë e trageteve gjithashtu shprehen se do të jetë një vit i mirë sa i takon transportit të grupeve. Na mbetet të shohim sesi do të materializohet kjo.
Ju jeni një nga tur-operatorët që operoni me turizmin e organizuar. Cilat janë përshtypjet apo të dhënat paraprake që merrni nga agjencitë e huaja për rezervimet mbi Shqipërinë?
Në bazë të kontratave, turizmi i organizuar deri më tani duket se do të jetë më mirë sesa në periudhën e pandemisë, kur kishim kufizime dhe nuk ishim në kushte normale.
Sigurisht nuk i ka shpëtuar rezervimeve ndikimi nga lufta në Ukrainë dhe na raportohet se ka një lloj stanjacioni prej të paktën katër javësh. Mund të themi se ka rënë ritmi i rezervimeve. Kjo vjen për shkak të pasigurisë dhe ndikimi është më i dukshëm në tregun polak për shkak të afërsisë gjeografike që ata kanë me Ukrainën.
Cilat janë ato tregje për të cilat ju ndërkohë keni vënë re rritje të interesit për vendin tonë?
Po vihet re që tregjet e Europës kanë një rritje të rezervimeve dhe janë kryesisht turistë francezë, gjermanë, por edhe spanjollë. Këto janë informacione që kam nga hotelet dhe tendenca e rritjes së turistëve perëndimorë është një fakt. Kjo rritje është, si në nivelin e turistëve individualë, ashtu edhe në nivel operatorësh.
Si e prisni ecurinë e çmimeve, duke qenë janë rritur, në disa aspekte?
Rritje e çmimeve ka prekur çdo vend të botës dhe do të jetë shumë e vështirë të mos kenë ndryshime. Për shembull, meqë Greqinë e kemi fqinj, mund të them se ajo që na raportohet është që çmimet janë rritur me 70%. Është e pashmangshme rritja në kushtet kur gjithçka është shtrenjtuar.
Turistët e Ukrainës dhe Bjellorusisë u kthyen në një grup të rëndësishëm vitet e shkuara dhe në fillim mungesa e tyre nuk u cilësua si problematike, duke nënvizuar se mund të zëvendësohen. Kush po i zëvendëson në fakt?
Ata nuk po i zëvendëson dikush për momentin. Në territorin tonë, ata mbulonin nga 10-15% të turizmit të organizuar dhe nuk është aq e thjeshtë të bësh zëvendësim menjëherë.
Por tendenca nga europianët perëndimorë që folëm pak më sipër, mund ta zbusë efektin e mungesës. Janë besoj, më pak, diku te 10%, por ka diçka tjetër që mund ta kompensojë këtë mungesë, edhe me shifra më të ulëta. Turistët europianë paguajnë më shumë sesa ukrainasit dhe bjellorusët dhe në vlerë bëhet më e zëvendësueshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.