Rriten rreziqet për ekonominë, Sejko paralajmëron ulje tjetër të normës së interesit

02/10/2019 4:46 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë gjykon se politika e saj monetare do të vijojë të mbetet në kahun lehtësues. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrjes në daljen  tij para mediave theksoi se risqet e kahut të poshtëm janë forcuar edhe më tej si përsa i përket ambientit të jashtëm në eurozonë me zhvillimet brenda saj ashtu edhe ato të ambientit të brendshëm ku tensioni politik vijon të ushtrojë presion. Janë këto arsyet se pse BSH sipas Sejkos vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit 1 për qind për lekun si dhe paralajmëroi për vijimin e politikës lehtësuese monetare.

“Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e parashikimeve të skenarit bazë do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare përgjatë gjithë horizontit afatmesëm. Ky skenar parashikon se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft gradual dhe – në çdo rast – fillimi i tij nuk do të jetë më i hershëm se tremujori i dytë i vitit 2020.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës vijon të konstatojë se rreziqet e kahut të poshtëm janë forcuar më tej. Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës shfaqet në ngadalësim, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri.

Nisur nga sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i goditjeve të rrezikut mund të kërkojë një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare.

Banka e Shqipërisë bën thirrje për vijimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore, si instrumenti kryesor i rritjes së produktivitetit, zgjerimit të potencialit ekonomik, rritjes së rezistencës ndaj goditjeve, dhe konvergimit me standardet e Bashkimit Evropian” tha Sejko.

Lidhur me ecurinë e përgjithshme Sejko tha se kredia ka vijuar përshpejtimin me një nivel 7.4 për qind. Rritja e kredisë tregon përshpejtim të kredisë për segmentin e bizneseve dhe individëve si dhe zgjerimin e kredisë në lekë dhe valutë. Kjo sipas BSH është nxitur edhe nga rënia në nivelin 11 për qind e kredisë me probleme si dhe hyrja në treg e aktorëve të rinj. “Në skenarin tonë bazë BSH pret një rritje  të vazhdueshme të ekonomisë në periudhën afatmesme. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të ushqehet nga kushtet e përshtatshme financiare, kredia dhe mbështetja tek bilancet e shëndetshme si dhe përmirësimi i besimit. BSH pret kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021” tha Sejko.

Financimi i PPP nga bankat

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ju përgjigj edhe interesimit të mediave lidhur me shqetësimin ngritur nga kreu i Partisë Demokratike Lulëzim Basha për financimin e projekteve të Partneritetit Publik Privat nga sektori bankar. Ai tha:

“Letra e djeshme e z. Basha kishte të bënte me dy rreziqe që përballen bankat e nivelit të dytë. Në radhë të parë, me rrezikun e kredisë, lidhur me financimin e projekteve të partneritetit publik-privat. Sikurse e kemi theksuar, bankat e nivelit të dytë kanë shtrënguar kriteret e rrezikut pas krizës financiare botërore të vitit 2008. Dhe kjo ka ndikuar në kreditimin e ekonomisë, prandaj dhe ne kemi bërë herë pas here thirrje bankave që të kenë një riorientim më të mirë ndaj sektorëve më produktiv të ekonomisë. Në rastin konkret, projektet PPP vihen nën kriteret e Financimit të Projektit. Pra, janë disa projekte specifike që janë të kushtëzuara në kritere të veçanta që kërkojnë financim të projekteve të veçanta. Pikërisht këto kritere janë në fokus të bankave të nivelit të dytë.

Ne si Bankë e Shqipërisë, bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare, kemi hartuar dhe miratuar rregulloret tona, të cilat rregullojnë aktivitetin e bankave të nivelit të dytë në lidhje me rrezikun e kreditimit dhe këtu përfshihen dhe kriteret e rrezikut të projekteve të mëdha. Njëkohësisht, vetë bankat kanë kërkesat dhe kufizimet e tyre për miratimin e këtyre projekteve dhe sigurisht në rast se do të ketë projekte që plotësojnë kriteret për të cilat po flas, atëherë do të jenë të financueshme nga ana e bankave.

Ka dhe një kufizim tjetër për këto projekte pasi përfaqësojnë vlera të mëdha, të cilat një bankë e vetme e ka të vështirë t’i mbështesë dhe në këtë rast do të duhej një sindikatë ose bashkim i disa bankave për t’i mbështetur ato. Nga pikëpamja burokratike, kjo e vështirëson edhe më shumë miratimin e tyre, pasi kërkon harmonizimin dhe koordinimin e disa komiteteve, të bankave të ndryshme, për financimin e një projekti të caktuar. Sigurisht që këto janë një potencial biznesi për bankat e nivelit të dytë të cilat ato vetë po i vlerësojnë.

Ne si Bankë e Shqipërisë jemi shumë të kujdesshëm që të kemi një vazhdimësi në ecurinë e kreditimit me cilësi, pra të ruhet cilësia e kredisë pasi kemi harxhuar shumë punë dhe energji me një plan të veçantë masash, i cili ka qenë në nivel reforme, për të ulur raportin e kredive me probleme, nga 25% në 11%. Ne parashikojmë ta ulim dhe më tej këtë nivel dhe ndërkohë që dëshirojmë të kemi një rritje të shëndetshme pa cenuar cilësinë e kredisë.

Këto doja të thoja lidhur me rrezikun e kredisë dhe kriteret e financimit të projekteve nga ana e bankave. Bankat tregtare janë të detyruara t’i respektojnë këto kritere, jo vetëm në Shqipëri, në rajon, por në gjithë botën, pra këtu nuk ka asgjë të veçantë.

Bankat nuk kanë kundërshti, por në rast se do të jetë një projekt që do të plotësojë kriteret, atëherë dhe bankat do të vijojnë me miratimin, pasi edhe ato vetë duan të japin kredi.

Rreziku i dytë që përmendëm dhe që është më i ndjeshëm në deklaratën e djeshme, ka të bëjë me rrezikun e pastrimit të parasë. Banka e Shqipërisë, si institucion mbikëqyrës për sistemin financiar, ka ndërtuar kuadrin rregullativ dhe rregulloret e nevojshme dhe të domosdoshme për menaxhimin e këtij rreziku, por nga ana tjetër dhe vetë bankat kanë kritere dhe filtra mjaft strikt dhe shumë të fortë për të parandaluar pastrimin e parasë dhe financimin e terrorizmit. Në bazë të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Banka e Shqipërisë është institucion mbikëqyrës,  ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave është  institucion përgjegjës. Institucione mbikëqyrëse ka disa, dhe Banka e Shqipërisë si e tillë, mbikëqyr institucionet që ajo licencon dhe rregullon sic janë bankat e nivelit të dytë, institucionet financiare jobanka, zyrat e këmbimit valutor. Ndërsa, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, është mbikëqyrës për institucionet që ai licencon,  ministritë e ndryshme për institucionet e tyre që janë të përfshira në kuadrin e tyre rregullativ si psh, Ministria e Drejtësisë mbikëqyr noterët që kanë një rol të caktuar. Pra, ka shumë subjekte të ndryshme që operojnë dhe rregullohen nga institucione të ndryshme.

Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për sistemin bankar, brenda kuadrit tonë mbikëqyrës dhe rregullativ. Ne mund të themi që bankat e nivelit të dytë kanë ndërtuar sisteme kontrolli mjaft të mira për të parandaluar pastrimin e parave. Ne nuk kemi shqetësime konkrete  deri më sot, ose tregues që të themi që banka të caktuara kanë ekspozime serioze ndaj këtij rreziku.

Këtu mund të theksoj edhe raportin e Moneyval të Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku qartësisht u vlerësua sistemi bankar në nivelin më të lartë të vlerësimit që është “Thelbësor – Substantial”. Pra nga gjithë sektorët e  përfshirë në raport, sistemi bankar shqiptar u vlerësua me notën më të lartë. Kjo duhet theksuar pasi ky raport na jep një informacion dhe na bën të ndihemi të sigurt ose jo në raport me ekspozimin ndaj një rreziku të caktuar. Por, sigurisht që ky është një rrezik i cili duhet menaxhuar, kjo nuk do të thotë që ne si banka qendrore do të flemë gjumë. Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë dhe mbikëqyrim.

Si përmbledhje, dua të them që normalisht qoftë për rrezikun e kredisë ashtu dhe për rrezikun e pastrimit të parave, bankat e nivelit të dytë kanë rregulloret dhe instrumentet e nevojshme për ta monitoruar këtë rrezik dhe ne ndihemi të sigurt që rreziku është i mirëmenaxhuar. Kjo është ajo që do të thoja në emër të BSH lidhur me këtë çështje”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of