Rusia mund të jetë në prag të pamundësisë për të paguar borxhet e saj, pas vendosjes së sanksioneve të Perëndimit në vazhdën e pushtimit të Ukrainës.
Ajo do të duhet t’u paguajë investitorëve të mërkurën 117 milion dollarë interesa për dy obligacione të emetuara në dollarë.
Por, aksesi i Rusisë te rezervat e saj në vakutë të huaj prej 630 miliardë dollarësh është ngrirë.
Agjencitë e vlerësimit të kredive kanë paralajmëruar se pamundësia për të paguar borxhin është një skenar “i pashmangshëm”.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se megjithëse mbetet i shqetësuar për ndikimin që do të kishte pamundësia e Rusisë për të paguar borxhet e saj, nuk beson se kjo do të shkaktonte një krizë financiare globale.
Pse Rusia mund të mos jetë në gjendje të paguajë borxhin?
Qeveria ruse – dhe firma të tilla si Gazprom, Lukoil dhe Sberbank – u detyrohen rreth 150 miliardë dollarë investitorëve të huaj.
Pjesa më e madhe e kësaj shume është në dollarë ose euro, por institucioneve ruse tani u është ndaluar aksesi tek asetet në dollarë ose në euro që mbahen jashtë vendit, si pasojë e sanksioneve.
Nëse Rusia nuk arrin të paguajë borxhin e saj, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 1998 që ndodh diҫka e tillë.
Gjithashtu, do të ishte hera e parë që Rusia nuk paguan një borxh në valutë të huaj që nga revolucioni i vitit 1917, kur qeveria e re bolshevike refuzoi të njihte borxhet e carit të fundit.
Po nëse Rusia paguan në rubla?
Ministria e Jashtme e Rusisë ka deklaruar se do t’i paguajë investitorët ndërkombëtarë në rubla, nëse e ka të pamundur që t’i paguajë ata në dollarë ose euro.
Por, asnjëri nga dy obligacionet në dollarë që duhet të paguhen të mërkurën nuk lejon përdorimin e ndonjë monedhe tjetër.
Megjithatë, disa nga borxhet e tjera të Rusisë mund të paguhen në monedha të ndryshme dhe, për këto raste, pagesat në rubla mund të ishin të pranueshme.
Kjo do të varej nga fakti nëse pagesat në rubla do të vlerësoheshin si të barasvlefshme me pagesat në dollarë ose euro që prisnin investitorët.
Çfarë do të thotë kjo për bankat apo vendet që Rusia u ka para borxh?
Investitorët në Rusi kanë parë se si investimeve të tyre u ka rënë vlera gjatë ditëve të fundit.
Për shumë prej tyre, problemi kryesor ishte rënia e shpejtë e Rusisë nga prosperiteti financiar, gjë që u la shumë pak kohë për të reaguar duke shitur investimet e tyre.
Agjencia e vlerësimit të kredive Moody’s thotë se në shkallën e saj të vlerësimit me 21 pikë, e cila tregon se sa i besueshëm është një vend për të investuar, vlerësimi i Rusisë ka rënë në nivelin e dytë më të ulët dhe mund të vazhdojë të bjerë edhe më shumë.
Shefi i kredive në Moody’s, Colin Ellis, tha për BBC: “Ne jo vetëm që po sinjalizojmë se presim që Rusia të mos jetë në gjendje të paguajë borxhet e saj, por gjithashtu po u tregojmë investitorëve se sa mund të shkojnë humbjet e tyre. Kjo varion nga 35% deri në 65% të parave të tyre. ”
Çfarë do të thotë kjo për ekonominë globale?
Herën e fundit që Rusia nuk mund të paguante borxhet e saj, në vitin 1998, u shkaktua një tronditje në tregjet financiare. Nëse një gjë e ngjashme do të përsëritej tani, do të ishte diҫka shumë simbolike, por “nuk do të kishte gjasa që të sillte pasoja të rëndësishme”, sipas kryeekonomistit të Capital Economics, William Jackson.
FMN ka thënë se do të ulë parashikimin e saj të rritjes ekonomike globale prej 4.4% në vitin 2022, si rezultat i luftës. Megjithatë, edhe kryetarja e FMN-së, Kristalina Georgieva, ka hedhur poshtë mundësinë e një goditjeje më të gjerë në sistemin financiar global si pasojë e pamundësisë së Rusisë për të paguar borxhet e saj.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të sillnin një “recesion të thellë” për vendin dhe se lufta do të rriste çmimet globale të ushqimit dhe të energjisë.
Ajo që nuk dihet ende është se cilat borxhe mund të mos paguhen dot nga firmat ruse – dhe çfarë ndikimi do të kishte kjo te investitorët e huaj që kanë investuar shuma të mëdha në Rusi./ BBC