Qytetarët shqiptarë që kanë një mjet udhëtimi apo transporti nuk do të rendin më nga një sportel në tjetrin në Drejtoritë e Policisë dhe ato të Qarkullimit Rrugor për të paguar taksat. Në kuadër të ndryshimeve për hartimin e Paketës Fiskale 2005 me projektligjin e propozuar nga Ministria e Financave për vitin që vjen, qytetarët do të paguajnë vetëm një taksë vjetore për qarkullimin rrugor të automjeteve. Në këtë taksë do të grupohen të tri taksat ekzistuese: taksa e tonazhit për aks të automjeteve, taksa e regjistrimit të automjeteve si dhe taksa ekzistuese e qarkullimit rrugor të automjeteve. Automjetet që punojnë me naftë, do të paguajnë 20% më shumë taksë të qarkullimit rrugor. Këto janë disa nga ndryshimet kryesore në projektligjin për disa shtesa e ndryshime në Ligjin Nr. 8977, datë 12.12.2002 “Për Sistemin e Taksave në Republikën e Shqipërisë”. Tri taksa në një të vetmeMe projektligjin e ri “Për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë” do të paguhet vetëm një taksë vjetore për qarkullimin rrugor të automjeteve. Në këtë taksë do të përfshihet taksa e tonazhit për aks të automjeteve, taksa e regjistrimit të automjeteve si dhe taksën ekzistuese të qarkullimit rrugor. Grupimi i tri taksave ekzistuese në një të vetme, sipas relacionit të projektligjit ka disa përparësi. Së pari, kjo taksë e vetme do të lehtësojë procedurat e pagesës së taksave për përdoruesit e automjeteve. Në projektligjin e propozuar nga Ministria e Financave qytetarët do të paraqiten vetëm një herë për të paguar taksën e re vjetore të qarkullimit rrugor. Kjo taksë, sipas specialistëve të Ministrisë së Financave, do të ulë koston e mbledhjes së kontrollit të taksave që paguajnë aktualisht përdoruesit e automjeteve. Në vend të dy pullave aktuale që vërtetojnë pagesën e taksave, do të ketë vetëm një të tillë si dhe një mandat pagese të vetëm. Nga ana tjetër, specialistët e Ministrisë së Financave kanë sqaruar se niveli i taksës është rezultat i shumës së tri taksave ekzistuese me një rritje prej 20% vetëm për autoveturat me naftë. Në këtë mënyrë, sipas specialistëve të Ministrisë së Financave, do të ketë një rritje të ardhurash në buxhetin e shtetit dhe në total ky efekt për vitin 2005 llogaritet të arrijë në rreth 200 milion lekë. Agjent tatimor për mbledhjen e kësaj takse do të jetë përsëri nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila në këtë rol propozohet të përfitojë 5% të të ardhurave të arkëtuara nga 8% që përfitonte me ligjin e mëparshëm. Ulja e propozuar e përqindjes që përfiton Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor si agjente tatimore lidhet me faktin se vendosja e një takse të unifikuar, në vend të tri ekzistueseve, do të shoqërohet me uljen e kostos së mbledhjes së saj. Gjithashtu, Ministrisë së Rendit Publik për kryerjen e kontrollit për vjeljen e taksës i lihet 1% e taksave të vjela. Kjo Ministri me ligjin ekzistues ka përfituar 2% të të ardhurave nga taksa e regjistrimit të përvitshëm të automjeteve dhe taksa e tonazhit për aks, ndërsa nga taksa e qarkullimit rrugor 0%. Këto të ardhura të dy institucionet do ti përdorin sipas kritereve të ligjit bazë “Për sistemin e taksave”.Një tjetër ndryshim i rëndësishëm në projektin e propozuar është ndarja më vete e mjeteve motorike në shërbim të sektorit të bujqësisë dhe vendosja e një takse simbolike prej 10 lekë nga 50 mijë lekë që është për mjetet e tjera të të njëjtës kategori. Kjo, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, do të nxiste përdorimin e këtyre mjeteve në punimin e mekanizuar të tokës bujqësore, kërkesë kjo e bërë dhe nga shoqatat e biznesit. Vjelja e taksës së re do të shtrihet gjatë gjithë vitit kalendarik dhe do të paguhet në momentin e kryerjes së kontrollit teknik më të parë të automjeteve. Një praktikë e tillë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave është vlerësuar si pozitive gjatë vjeljes së taksës së qarkullimit rrugor për vitin 2004, pasi sipas tyre çoi në vjeljen më të mirë dhe me kosto më të ulët të taksës ekzistuese të qarkullimit rrugor. Ministrisë së Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit nga të ardhurat totale të taksës së re të qarkullimit rrugor propozohet ti lihen 16% e tyre, aq sa përqindja e të ardhurave nga taksa e regjistrimit të përvitshëm të automjeteve ndaj totalit të të ardhurave të mbledhura nga të tri taksat ekzistuese së bashku. Makinat e vjetra, taksë më të lartë importimiProjektligji parashikon ndryshimin e taksës së importimit të autoveturave të përdorura, duke e lidhur masën e saj me vitet e përdorimit (vjetërsinë) dhe me fuqinë motorike të tyre. Sipas ligjit ekzistues kjo taksë është 60 mijë lekë për automjetet e importuara, të prodhuara para vitit 1995 dhe 40 mijë lekë për mjetet e importuara të prodhuara pas vitit 1995. Propozimi për një ndryshim të tillë sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave do të ketë një efekt pozitiv, pasi do të ulet importi i makinave të vjetra të përdorura që janë burimi kryesor i ndotjes së ambientit, i cili sipas të dhënave është 8 herë më i lartë se norma e lejuar në BE dhe burimi kryesor i aksidenteve me pasojë vdekjen apo plagosjen. Ky ndryshim sipas përfaqësuesve të financave do të sjellë dhe ristrukturimin gradual të tregut të makinave duke stimuluar importimin dhe përdorimin e automjeteve të reja, të cilat janë më ekologjike dhe më të sigurta për jetën e njeriut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.