Yield-et e letrave të borxhit të qeverisë shqiptare po vijojnë rritjen.
Këtë javë, Minitria e Financave organizoi rihapjen e ankandit të obligacioneve 5-vjeçare, të emetuara fillimisht në muajin mars.
Edhe ky ankand konfirmoi tendencën në rritje të yield-eve dhe kërkesë më të shtrënguar të tregut për këto instrumente. Yield-i mesatar i ponderuar arriti në 3.97%, nga 3.56% që kishte qenë në ankandin fillestar të muajit mars.
Nga 6 miliardë Lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën kërkesa totale për vetëm 4.25 miliardë Lekë.
Obligacionet 5-vjeçare janë pjesë e projektit të titujve referencë, të ndërmarrë nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, me qëllim zhvillimin e tregut dytësor të titujve.
Në ankandet e këtyre titujve marrin pjesë në mënyrë direkte vetëm pesë banka tregtare që kanë lidhur marrëveshje me Ministrinë e Financave për këtë qëllim, të përcaktuar si Zhvillues të Tregut. Pjesëmarrësit e tjerë të interesuar mudn të marrin pjesë vetëm nëpërmjet këtyre subjekteve.
Titujt referencë gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë Zhvilluesit e Tregut për të kuotuar çmime blerjeje dhe shitjeje në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Financave. Aktualisht, në projektin e titujve referencë përfshihen obligacionet me maturitet 3, 4 dhe 5 vjeçar.
Një tendencë e ngjashme e rritjes së yield-eve u shënua më herët gjatë këtij muaji edhe në rihapjen e ankandit të obligacioneve 15 vjeçare, ku nga dy miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur, Ministria e Finacave vendosi të shesë obligacione për vetëm 785 milionë lekë (nga 1.26 miliardë lekë të kërkuar). Yield-i uniform i pranuar në ankand arriti në 6.9%, nga 5.84% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Yield-et po rriten edhe për Bonot e Thesarit, por megjithatë në ankandet e fundit kërkesa për këto instrumente është përmirësuar disi, falë përdorimit më të madh të këtyre instrumenteve nga bankat tregtare, që i kanë pjesë të domosodshme në menaxhimin e likuiditetit të lirë dhe në operacionet që kryejnë me Bankën e Shqipërisë.
Për instrumentet me maturim afatgjatë, tregu po karakterizohet ende nga një hezitim i konsiderueshëm i investitorëve. Kjo është e lidhur kryesisht me pritshmëritë për rritje të mëtejshme të normave të interesit, që mund t’i bëjë më pak të leverdisshme investimet me yield-et aktuale në afatin e mesëm dhe të gjatë.
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar një normalizim gradual të politikës monetare në afatin e mesëm, që nënkupton rritje graduale të normës bazë të interesit. Rritja e fortë e inflacionit që ka prekur ekonominë shqiptare këtë vit, kryesisht si rezultat i pasojave që shkaktoi lufta në Ukrainë në tregjet e mallrave, bëri që procesi i rritjes së normave të interesit të niste më herët nga sa parashikohej.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.