Fondi i Sigurimit të Depozitave në Kosovë (FSDK), prezantoi raportin vjetor për vitin 2012. Drejtoresha menaxhuese Violeta Arifi-Krasniqi tha se Fondi ka arritur që të ngrejë nivelin e kapitalit në përputhje me planin e biznesit. Sikundër në vitet e mëparshme, depozitat në sektorin bankar në Kosovë shënuan rritje të qëndrueshme me 8.47% , duke arritur në 2.2 miliardë euro në krahasim me dhjetorin e vitit 2011.
FSDK siguron mbi 910 mijë llogari depozituese (ose 93%) në tetë bankat anëtare që paraqesin totalin e depozitave në shumën prej 321 milionë euro (ose 14%). Fondi i Sigurimit të Depozitave arriti vlerën prej 17 milionë euro deri në fund të dhjetorit 2012, ndërsa nga Prill 2013 arriti në 19.9 milionë euro. Arifi-Krasniqi theksoi më tej se falë mbështetjes së vazhdueshme të donatorëve kryesorë, qeverisë së Kosovës (QRKS), Republikës Federale të Gjermanisë (përmes KfË-së) dhe Bankës Botërore (në emër të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim “IDA”), kapitali i paguar i Fondit ka arritur nivelin e zotimit të synuar prej 15.5 milionë euro në përputhje me marrëveshjen tri palëshe të projektit dhe financimit për Kapitalizimin dhe Themelimin e Sistemit të Sigurimit të Depozitave në Kosovë. Qeveria Gjermane (përmes KfË-së) ka dhënë një grand prej 4.5 milionë për kapitalizimin e fondit që do të bëjë të mundur sigurimin e 2 milionë eurove shtesë me nënshkrimin e marrëveshjes së re të financimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.