Viti 2011 pritet të shtojë konkurrencën në tregtinë me pakicë. Në treg do të hyjnë zinxhirë ushqimorë europianë, që do të shtojnë konkurrencën dhe do të sjellin ulje çmimesh. Më shumë konkurrencë edhe në hapësira tregtare, me hyrjen e “Tirana East Gate”
Tregtia me pakicë gjatë këtij viti pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në zinxhirin ushqimor, por edhe për të gjithë tregun në tërësi.
Menaxherja për Shqipërinë e agjencisë shumëkombëshe “Colliers International”, Stela Dhami, thotë se gjysma e dytë e këtij viti do të sjellë ndryshime të rëndësishme në fushën e tregtimit të ushqimeve, sepse do të hyjë një operator i ri europian, duke e çuar në katër numrin e zinxhirëve të supermarketeve në Shqipëri.
Ndërkohë Monitor ka mësuar se është drejt përfundimit marrëveshja për hyrjen në tregun shqiptar të treguesit me pakicë francez Carrefour, – tregtuesi retail i dytë më i madh në botë pas amerikanes Wall Mart përsa i përket të ardhurave- i cili do të jetë i pranishëm në qendrën e re tregtare, Tirana East Gate (TEG).
“Njëherësh edhe ‘Euromax´ ka ndryshuar pronësinë, me blerjen e ‘Delta Maxi´ (e cila kishte nën pronësi ‘Euromax´) nga zinxhiri i madh retail ‘Delhaize´. Kjo do të nxisë edhe më shumë konkurrencën në treg”, shpjegon Dhami.
Sipas Dhamit, këto risi do të shtojnë ofertat duke ulur çmimet e produkteve, çka do të jetë pa dyshim në favor të konsumatorit vendas.
Por ky vit do të shënojë edhe hyrjen në treg të një qendre të re tregtare, “Tirana East Gate”, që do të shtojë më shumë konkurrencën në treg. TEG do të ketë një sipërfaqe prej më shumë se 40 mijë metra katrorësh, duke e çuar në mbi 150 mijë m² hapësirën tregtare në kryeqytet.
“Për vitin 2011, ne parashikojmë stabilitet të shoqëruar nga norma qiraje dhe hapësira të qëndrueshme në tregun e zyrave. Rritja pritet të ndodhë në sektorin e retail-it, me hyrjen në treg të qendrës më të re tregtare, ndërkohë dhe më e madhe, ‘Tirana East Gate´”, shpjegon menaxherja e “Colliers International”.
Risi markash dhe brand-esh
Tregu i retail-it në Shqipëri është i ri, kjo sepse qendrat e para tregtare nisën të hapeshin pas 2005 dhe deri në vitin 2010 ka pasur vazhdimisht hyrje të reja në treg.
Sipas raportit të fundit të “Colliers” mbi ecurinë e tregut të retail-it në 2010, shumë projekte shërbimesh që kanë në përmbajtje hapësira moderne për tregti janë shtyrë që nga fundviti i 2009-s dhe vazhdojnë të jenë inaktive ose kanë shtyrë planet e zhvillimit.
Me gjithë shtyrjen, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010, tregu i retail në Tiranë ka “mirëpritur” degë të reja franchise në disa qendra ekzistuese tregtare, si “Collezione”, “VS Collection”, “Visconti”, “7 Camicie”.
Ndërkohë drejtori i “CityPark”, Genti çela, ka konfirmuar për “Monitor” se edhe gjatë këtij viti pritet të hyjnë në këtë qendër marka të reja ndërkombëtare veshjesh, kryesisht të fashës të mesme. “Jemi duke punuar për të sjellë në treg një kompani të njohur kanadeze, por edhe kompani të tjera europiane”, thotë çela.
Bëhet e ditur se edhe në “Tirana East Gate” do të hyjnë mjaft kompani të njohura, qoftë në zinxhirin ushqimor, qoftë në atë të veshjeve.
Por kur pritet që këtë vit të ketë risi në tregun e retal-it, nuk hyri në treg asnjë hapësirë e re në gjysmën e dytë të vitit 2010 duke e lënë tregun në një total prej 117 mijë metra katrorësh me hapësira të qendrave tradicionale, ndërkohë që rreth 40 mijë m² të tjerë janë brenda hapësirave të ndryshme.
Sipas “Colliers”, tregu i retail-it në Tiranë ka aktualisht 8 qendra tradicionale tregtare, nga të cilat 67% janë të përqendruara në zonat periferike, 17% brenda në qytet, 12% brenda qendrave të biznesit dhe 4% në qendër të kryeqytetit.
Zonat periferike janë më të preferuarat nga zhvilluesit e rinj të tregut, falë mundësisë për hapësira të mëdha tregtare, por edhe parkimeve të bollshme.
Qendrat aktuale janë “City Park”, QTU, “Casa Italia”, ETC, “Twin Towers”, “Kristal”, “Condor” dhe “Olympia”.
Ndër qendrat e specializuara në retail përfshijnë edhe franchise italian “Coin” dhe “Department Store & Oviesse Industry” dhe dy njësitë “bëje vetë ti” “Megatek” dhe “Praktiker”.
“Rritja më e madhe në segmentin e tregtisë me pakicë ndodhi në gjysmën e dytë të 2009-s, me një ofertë të shtuar prej 71,000 m², një shifër shumë më e lartë se 35,000 m², që ishte hapësira që hyri në treg në vitin 2005”, thonë agjentët e “Colliers”.
Drejt qendrave tregtare
Në kontrast me tendencat e mëparshme të shopping-ut, ku rrugët kryesore dhe qendrat tregtare në qendër dominuan tregun, sot shumë konsumatorë shqiptarë blejnë në hapësira tregtare si “City Park”, QTU, “Casa Italia”, “Megatek” dhe “Praktiker”, të gjitha të lokalizuara jashtë Tiranës.
Gjatë gjysmës së dytë 2010, një rënie e ashpër prej 20-30% është vënë re në fuqinë blerëse nga blerësit potencialë të dyqaneve në rrugët kryesore. Këto qendra kanë marrë “tregun” e dyqaneve në rrugët kryesore, duke sjellë kështu uljen e fuqisë blerëse në këtë segment.
Nga ana tjetër, rrugët kryesore mbeten ende ndër më të preferuarat, për shkak të kërkesës ende të lartë.
“Ky fakt konfirmohet edhe nga rënia e njësive tregtare ‘boshe´ që jepen me qira në këto rrugë, në gjysmën e dytë të 2010-s. Të njëjtin trend ka kërkesa edhe për segmentet e qendrave tregtare tradicionale”, thotë Stela Dhami e “Colliers International”.
Në total, hapësirat e lira në qendrat tradicionale tregtare janë duke u rritur vazhdimisht. Gjatë gjysmës së dytë të 2010 ato u rritën 8% krahasuar me 10% në gjysmën e parë të 2010, kjo do të thotë përafërsisht 9,100 metra katrorë dhe 11,700 metra katrorë hapësirë tregtare e lirë. Edhe pse qiradhënësit deklarojnë ulje të shitjeve me pakicë, rrugët kryesore, por edhe ato dytësore kanë regjistruar një shifër të ulët të dyqaneve që lëshohen me qira gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010, krahasuar me 2009-n dhe gjysmës së parë të 2010-s.
Qiratë në rënie
Megjithëse rrugët kryesore nuk raportojnë ndryshime në çmimet e qirave, të dhënat konfirmojnë se ato kanë rënë prej së paku 16.7% ose rreth 10 euro/m².
Qendrat kryesore tregtare vijojnë të regjistrojnë ndryshime të pakta në çmimet e qirave, nga 35 euro/m² në gjysmën e parë të 2010 në 33 euro/m² në gjysmën e dytë. “Gjithsesi besohet se normat e qirasë mund të kenë rënë edhe më shumë”, theksohet në raportin e “Colliers”.
Por si pasojë e rritjes së popullsisë në një nga zonat periferike më në zhvillim, siç është Farka, që tashmë është një destinacion i preferuar për apartamente rezidenciale dhe vila, qendra më e re dhe më e madhja tregtare është duke u ndërtuar në këtë zonë. “Tirana East Gate” do të shtojë një hapësirë prej 41,200 m² në tregun tradicional të qendrave tregtare në Tiranë dhe pritet të hyjë në treg brenda gjysmës së parë të 2011. Si pasojë, hapësirat tregtare do të rriten, ndërkohë “Colliers” nuk pret ndryshim çmimesh gjatë gjysmës së parë të 2011-s.
çmimet në Retail
Vendndodhja çmimi/muaj
Rrugët kryesore 50 euro
Qendra Tregtare 33 euro
Hapësirat 117,000 m²
SC Vacancy 8%
BURIMI: Colliers International Research
Hapësirat retail
Viti Qendra Sipërfaqja (Sqm)
2005 ETC 9,000
2005 Twin Towers 5,000
2005 QTU 21,000
2007 Casa Italia 17,400
2008 Kristal 10,200
2008 Condor 10,000
2009 Olympia 6,800
2009 Coin & Oviesse 8,900
2009 City Park 40,000
2009 Praktiker 11,000
2009 Megatek 20,000
Burimi: Colliers International Research
“Delhaize”, hyn fuqishëm në rajon
Zinxhiri ushqimor belg “Delhaize Group” ka konfirmuar tashmë blerjen e 100% të “Delta Maxi Group” për 932.5 milionë euro, si pjesë e strategjisë për t´u zgjeruar në Europën Juglindore. çmimi përfshin një borxh neto prej rreth 300 milionë eurosh,
“Delta Maxi” operon në rreth 450 njësi në 5 shtete. Duke i shtuar prezencën që ka në Greqi dhe Rumani, blerja e “Delta Maxi Group” do ta shndërrojë “Delhaize Group” në kompaninë lider në tregtinë me pakicë në rajon, sipas një artikulli të Balkan Insight.
“Delhaize” ka shumë të ngjarë që të zgjerojë si formatet e vogla të “Maxi”-t, ashtu dhe të hapë njësi të reja në zona dhe qytete të mëdha nëpër Serbi”, thotë Milos Ryba, analist i “Planet Retail”, me qendër në Londër. “Ne mund të shohim konkurrentë të tjerë në treg sapo Serbia t´i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Europian. ‘Delhaize Group´ do të jetë stabilizuar dhe do të jetë një konkurrent i fortë për ta”, tha Ryba, duke shtuar se gjigantë si francezja “Carrefour”, “Shwarz”-i gjerman si dhe “Tesco” britanike mund të hyjnë gjithashtu në Serbi, në një periudhë afatmesme.
“Në momentin që anëtarësimi do të sigurohet, ne do të shikojmë një sërë hyrjesh të operatorëve të tregtisë me pakicë në Serbi”, shtoi Ryba.
Sipas konsulentit të investimeve me bazë në Beograd, Milan Kovacevic, “Delhaize” ka të ngjarë ta zgjerojë formatin e dyqaneve të vogla për të përmbushur nevojat e konsumatorëve në bashki të vogla.
“Zinxhiri i tregtisë me pakicë ‘Mercator´ dhe ‘M-Rodic´ kanë hyrë në shumë zona të mëdha dhe ka ende shumë qytete të mesme dhe të vogla, ku konsumi ditor ende mbizotëron. ‘Delhaize´ do të duhet të reflektojë këto lloj sjelljeje dhe do t´i përshtatet këtyre tregjeve,” tha Kovacevic.
“M-Rodic” është kryesisht nën pronësinë e “Mercator Serbia”, i cili ka 5% të tregut të retail-it modern në Serbi, ndërkohë që “Maxi” zë rreth 19% të tregut.
“Mendoj se ka ende shumë hapësirë për njësi të mëdha tregtare në Beograd, Novi Sad dhe Nis. Dhe gjithashtu janë Valjevo, Sabac dhe Zajecar, të cilët janë tregje për formate të mëdha dhe të vogla”, tha Kovacevic, duke shtuar se kompania belge mund të ribrandojë disa dyqane nga “Maxi” nën fashën e “Delhaize”.
Ryba e kundërshton këtë fakt, duke thënë se “Delhaize” nuk do të ndryshojë emrin e formateve të “Delta M”, sepse edhe te blerjet e tij në Rumani dhe Greqi, “Mega Image” dhe “Alfa-Beta Vassilopoulos” kanë ruajtur identitetin e tyre lokal.
“Megjithatë, ‘Delhaize´ mund të rimodelojë disa dyqane dhe të vërë në zbatim ekonominë e tij të zhvilluar të çmimeve të quajtur ‘365´, si dhe të përdorë çmime standarde në etiketat e produkteve nën emrin ‘Delhaize´”, thotë Ryba. Ai shton se produktet nën markën e tij do të jenë një kërcënim shumë i madh për tregtarët e vegjël me pakicë, por edhe për konkurrentët aktualë, si “Mercator” apo kroatja “Agrokor”.
Avantazhi më i madh për retail-in në Serbi do të jetë kapaciteti i tyre për të ruajtur para përmes fuqizimit nga bizneset e hapura në vendet fqinje.
Zv.presidenti i “Mercator” për Europën Juglindore, Stanka Curovic, tha javën e kaluar se tregjet lokale ushqimorë janë të prirura për ndryshim, kryesisht falë teknologjisë së re që “Delhaize” do të fusë, por hyrja në treg e “lojtarëve” të rinj do të varet nga ecuria e ekonomisë serbe.
Njësia serbe e gjermanes “Metro Cash & Carry” tha se hyrja e “Delhaize” është shenjë për rritjen e besueshmërinë ndaj tregut vendas të tregtisë me pakicë dhe provë se vendi ballkanik është një destinacion tërheqës për investime, me gjithë recesionin global.
“Tregu serb është duke pësuar zhvillime intensive, kjo sepse konkurrenca këtu është ende mbrapa shumë vendeve fqinje, prandaj shumë operatorë modernë do të kenë rritje interesi në zhvillimin e tregut serb”, tha presidenti për Serbinë i “Metro Cash & Carry Serbia”, Veronika Punceva,.
Blerja e “Delta Maxi Group” do të shtojë kontrollin në Serbi, Bullgari, Mal të Zi dhe Shqipëri. Transaksioni do të mbyllet tërësisht në tremujorin e tretë të 2011-s. Presidenti i “Delhaize Group”, Pierre-Olivier Beckers, tha se operimet e “Delhaize” në shtatë shtete të Europës Juglindore pritet të gjenerojnë rreth 3.4 miliardë euro në 2011 dhe të arrijnë një rrjet dyqanesh prej 800 të tillë.
Nga Laura çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.