Shqiptarët e Kosovës kanë marrë shumë kredi gjatë vitit 2018. Por, qytetarët e shtetit më të varfër në Europë nuk qëndrojnë keq edhe me kursime në banka.
Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar për Monitor.al se gjatë vitit të kaluar shqiptarët e Kosovës kanë marrë kredi nga bankat komerciale 2.7 miliard euro. Sipas BQK vlera e kredive është rritur krahasuar me dy vitet paraprakë.
“Vlera e kredive në vitin 2016 ishte rreth 2.4 miliardë euro, kurse një vit më përpara 2.2 miliardë euro”.
Në BQK kanë treguar se vlera e kredive për ekonomitë familjare në vitin 2018 ishte 998.5 milionë euro, më 2017 arriti në 897.8 milionë euro, kurse më 2016 ishte 796.5 milionë euro.
“Ndërsa, vlera totale e kredive të dhëna për ndërmarrjet gjatë vitit 2018 arriti në 1 miliard e 751 milionë euro, më 2017, 1 miliard e 582 milionë euro, kurse më 2016 u dhanë 1 miliard e 428 milionë euro kredi për ndërmarrjet”, thuhet në përgjigjen e BQK.
E krahas kredive të mëdha, qytetarët e Kosovës kanë kursyer edhe para të majme në banka.
Në BQK thonë se vlera e depozitave në vitin 2018 ishte 3 miliard e 364 milionë euro. Në vitin 2017 vlera e depozitave ishte 3 miliard e 94 milionë euro, kurse në vitin 2016, vlera e depozitave ishte 2 miliard e 897 milionë euro.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës ekonomitë familjare gjatë vitit të kaluar kanë deponuar në banka hiç më pak se 2 miliard e 326 milionë euro.
“Sa i përket depozitave të ekonomive familjare, në vitin 2018 ishte 2 miliard e 326 milionë euro, më 2017, 2 miliard e 164 milionë euro dhe në vitin 2016 ishte 2 miliard e 120 milionë euro”.
Edhe ndërmarrjet qe veprojnë në Kosovë nuk qëndrojnë keq me parat që kanë deponuar. Sipas të dhënave të BQK në tri vitet e fundit ndërmarrjet kanë ruajtur në banka miliona euro.
“Vlera e depozitave të ndërmarrjeve në vitin 2018, ishte 710.5 milionë euro, përderisa në vitin 2017 vlera e depozitave për këtë sektor ishte 176 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 ishte 141.5 milionë euro”, kanë treguar në BQK.
/Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.