Eksporti i vezëve të prodhuara në Shqipëri është rritur mbi dy herë në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me janar –qershorin 2011. Këtë e pohojnë drejtuesit e kompanive prodhuese, ndërsa të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë e mbështesin për aq kohë sa janë llogaritur.
Sipas Sami Gjergjit, sipërmarrës i “Floryhen”, eksportet e vezëve gjatë këtij viti janë rritur më tepër se dy herë. Arsyeja kryesore është rritja e kërkesës në tregun europian për proteinën e lirë. Sipas një vrojtimi të bërë së fundi për gjithë tregun europian, konsumatorët po blejnë më shumë vezë për të zëvendësuar proteinat e munguara me uljen e sasive të mishit të konsumuar.
Por, në të njëjtën kohë, vërehet edhe tkurrja e ofertës. Një ligj i ri i hyrë në fuqi së fundi mbi të drejtat e kafshëve në Bashkimin Europian ka forcuar rregullat e prodhimit. Kostot e larta që solli kriza e borxheve, kanë shtyrë disa ndërmarrje në vendet tona fqinje në Perëndim të mbyllin aktivitetin.
Një shtysë e brendshme që po nxit eksportin, sipas prodhuesve, është mbiprodhimi në Shqipëri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në pularitë tona prodhohen çdo vit mbi 800 milionë kokrra vezë. Me një konsum mesatar të llogaritur për frymë në vit 200 kokrra vezë, teprica luhatet në 10-30% të sasisë vjetore të prodhuar (në varësi të prodhimit, i cili ndikohet shumë nga çmimi i drithërave, ushqimit bazë të pulave).
Viti i mbarë për tregtarët (jo aq për blerësit që përfunduan te veza) pritet ta sjellë eksportin e këtij prodhimi në të njëjtat nivele të pak viteve më parë. Siç vërehet edhe nga grafiku, eksporti i vezëve ka pasur luhatje të theksuara ndër vite, e ndikuar shumë nga faktorët e jashtëm, ndërkohë që prodhimi ka shënuar rritje të qëndrueshme.
Sipërmarrësit eksportues tregojnë se këtë vit kanë kontrata shitje me kompani në Greqi e Itali, por vezët shqiptare në fakt përfundojnë deri në tregun francez e atë gjerman.
Z. Gjergji tregon se nuk po eksportojmë vetëm sasi më të mëdha, por edhe me çmim shumë më të mirë se vjet.
Bie 20% çmimi në vend
E megjithatë, tregu i brendshëm është shumë me interes për shitjet, për sa kohë që kostot e transportit mbeten të larta. Konsumi aktual në vend llogaritet në nivelet mesatare të tregjeve në zhvillim, por është shumë larg sasive që konsumojnë vendet e zhvilluara (të cilat e gjejnë në një gamë të madhe prodhimesh, deri në kozmetikë).
Duke dashur të nxisin shitjet, edhe pse një treg i pjekur për momentin, menaxherët e shitjeve kanë ulur çmimin e këtij produkti prej pak muajsh në 10 lekë/kokërr, nga 12-13 lekë që ishte vetëm dy muaj më parë.
Konsumi i vezës për frymë në vendet kryesore (kokrra vezë/vit)
SHBA 259
Kinë 468
Spanjë 224
Meksikë 308
Greqi 118.5
Republika Çeke 296
Gjermani 225
Hungari 265
Shqipëri 200
Burimi: Komisioni Ndërkombëtar i Vezëve
(Për Shqipërinë: Të dhënat e prodhim/eksport/import)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.