Rritet kërkesa për certifikata vaksinimi false apo teste negative në Francë, pasi presidenti Macron njoftoi se certifikata e vaksinimit apo një test negativ do të jenë të detyrueshme për të hyrë në restorante, kinema, kompeticione sportive apo ngjarje kulturore.
Shoqëria e sigurisë Check Point Software Technologies, thotë se rritja është rreth 5000% dhe gjithashtu janë rritur kanalet e komunikimit në Telegram.
Duke qenë se në shumë vende është hapur debati i zbatimit të rregullave të ngjashme – shpjegojnë ekspertët – hacker-ët dhe mashtruesit po përpiqen të përfitojnë nga situata.
Sipas agjencisë izraelite të sigurisë kibernetike, po shfaqen disa tendenca.
Së pari është që “një numër në rritje i kanaleve të komunikimit në Telegram po ofrojnë certifikata false vaksinimi, apo teste negative për koronavirusin”.
Gjithashtu është rritur “dramatikisht” numri i përdoruesve që u bashkohen grupeve me teste dhe certifikata false.
Nga qindra përdorues, sot mijëra njerëz janë në grupe të ngjashme. Një grup francez, për shembull, sot ka më shumë se 7000 përdorues. / ANSA