Një tren i ri që do të mundësojë edhe fjetjen në të, do të fillojë punën në 2022 dhe do të lidhë Pragën, Drezdenin, Berlinin, Amsterdamin dhe Brukselin, duke mundësuar krijimin e një rrjeti rrugësh të planifikuara që do të lidhin qytetet anembanë kontinentit europian.
Treni i ri i natës nga RegioJet dhe European Sleeper do të niset gjatë pasdites nga Praga përmes Dresdenit dhe Berlinit për në Amsterdam dhe do të mbërrijë në Bruksel, në mëngjes. Trenat do të mundësojnë edhe udhëtimin në kabina me fjetje dhe do të ofrojnë internet falas, mëngjesin, kafe falas dhe shumë shërbime të tjera. Transporti i biçikletave do të lehtësohet.
RegioJet bëri gjithashtu të ditur se gjatë këtij viti do të nisë edhe shërbimin e një treni tjetër nate, nga Praga përmes Przemyśl për Lviv. Kjo është edhe shtrirja më e madhe e planifikuar e rrjetit europian të trenave të natës ndër vite. Hekurudhat shtetërore në Gjermani, Austri, Francë dhe Zvicër kanë njoftuar tashmë një partneritet me një fond investimi prej 605 milionë dollarësh amerikanë (697 milionë euro) për të rimëkëmbur shërbimin e trenave të natës.
Vetëm katër vite më parë, Deutsche Bahn, hekurudha shtetërore e Gjermanisë, shiti të gjithë vagonët me kabina fjetjeje, duke i shpallur ata jofitimprurës për shkak të numrit të ulët të pasagjerëve. Por ndryshimi i klimës dhe pandemia COVID-19 po ndikojnë në mënyrën sesi udhëtarët shkojnë nga pika A në B, duke mos harruar edhe faktin tjetër, shumë të rëndësishëm, se disa trena eruopianë janë edhe më të shpejtë se sa të shkosh në atë destinacion nëpërmjet rrugëve ajrore.
Pesë itinerare të tjera pritet të fillojnë në katër vitet e ardhshme. Deri në dhjetor 2021, një shërbim i ri nate do të funksionojë midis Vjenës dhe Parisit përmes Mynihut, si dhe midis Cyrihut dhe Amsterdamit. Trenat midis Cyrihut dhe Romës do të jenë funksionalë nga dhjetori i 2022. Dhjetori i 2023 do të shohë një tjetër shërbim midis Vjenës dhe Parisit, duke udhëtuar përmes Berlinit dhe Brukselit. Trenat e natës gjithashtu do të nisin të lëvizin midis Cyrihut dhe Barcelonës nga dhjetori i 2024.
Suedia njoftoi në vitin 2020 se po planifikonte të sillte një shërbim të ri ndërkombëtar të trenave të natës me Gjermaninë dhe Belgjikën deri në vitin 2022. Itinerari i ri do të lidhë qytetet suedeze me Hamburgun dhe Brukselin, duke mundësuar lidhje të shpejta me Europën Qendrore dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Një tren i ri nate me kosto të ulët midis Pragës dhe bregdetit kroat nisi punën verën e kaluar dhe ishte një befasi e tillë saqë ky shërbim filloi të ofrohej çdo natë. Gjatë javëve të përurimit, më shumë se 30,000 bileta u shitën dhe disa trena u rezervuan tërësisht falë biletave që kishin çmim më të ulët se 22 euro (19,11 dollarë amerikanë) vetëm në një drejtim. / Lonely Planet