Tetë persona kanë vdekur nga koronavirusi në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit ndërsa 828 kanë rezultuar pozitivë. Ky është edhe numri më i lartë i shënuar këtë vit me persona të prekur.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë kategorizimin e ri të komunave të Kosovës, bazuar në raste pozitive të COVID-19 në ditët e fundit.
Nga sot deri më 26 mars, 18 komuna janë në zonë të kuqe.
Leposaviqi, Zubin Potoku, Zvecani, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Podujeva, Vushtrria, Obiliqi, Prishtina, Fushë Kosova, Lipjani, Graçanica, Novoberda, Gjilani, Kamenica, Gjakova, Peja dhe Ferizaj.
Ndërsa në zonë të verdhë gjenden: Deçani, Juniku, Istogu, Klina, Skenderaj, Drenasi, Prizreni, Suhareka, Shtimja, Kaçaniku, Vitia dhe Kllokoti, kurse në të gjelbërten: Ranillugu, Parteshi, Hani i Elezit, Shterpca, Malisheva, Rahoveci, Dragashi dhe Mamusha.
Bazuar në kategorizimin e kaluar, Podujeva nga zona e verdhë ka kaluar në zonën e kuqe, Graçanica nga zona e gjelbër ka kaluar ne zonën e kuqe, Drenasi nga e gjelbër ka kaluar ne zonën e verdhë dhe Shtimja nga zona e gjelbër ka kaluar ne zonën e verdhë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar të premten tetë viktima me koronavirus.
Në 24 orët e fundit janë identifikuar 828 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 5.102 mostrave në institucionet publike dhe ato private.
Më 19 mars, sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, e kanë mposhtur 744 persona, derisa aktive janë 11.812 raste.
Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 80.621 raste të infektimit. Prej tyre 1.744 kanë vdekur.
IKSHPK njofton se numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Ky Institut apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.