Në raportin më të fundit të INSTAT mbi Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve Ekonomike 2014 bëhet e ditur se numri i ndërmarrjeve është rritur me 0.5 % krahasuar me vitin 2013.
Numri total i tyre arriti shifrat e 85.206. Sipas aktivitetit ekonomik, dominon tregtia, e cila zë 42,7 përqind, ndërsa sipas madhësisë, ndërmarrjet me 1- 4 të punësuar mbizotërojnë me 88,8 përqind, ku prodhuesit e shërbimeve zënë 79,1 përqind.
INSTAT bën të ditur se në vitin 2014, numri i të punësuarve gjithsej është rritur 7,7 përqind krahasuar me 2013, ose e shprehur me shifra me 26.359 të punësuar. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 5,4 përqind, ndërkaq prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 2,3 përqind.
Shitjet neto në 2014 arritën vlerën 1.739 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 6,3 përqind ndaj vitit 2013. Shitjet e realizuara nga prodhuesit e shërbimeve për 2014 përbëjnë 66,4 përqind të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me 5,3 përqind në rritjen gjithsej të këtij treguesi.
Përsa i përket investimeve dallohet një rritje e tyre prej 11,3 përqind në vitin 2014, ku investimet nga ndërmarrjet kapën vlerën 181 miliardë lekë, në krahasim me 163 miliardë lekë që u investuan në 2013. Ndryshe nga treguesit e tjerë, prodhuesit e të mirave dhanë kontributin më të madh në rritje duke përbërë 69,7 përqind të investimeve gjithsej për 2014 nga 56,9 përqind që përbënin në 2013.
Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, shprehin se shitjet neto për të punësuar, për vitin 2014 kanë pësuar rënie me 1,3 %, si rezultat i rritjes së numrit të të punësuarve (7,7 %) me një ritëm më të lartë sesa shitjet neto (6,3 %). Situata paraqitet e njëjtë për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve. Rritja e punësimit me përkatësisht 6,1 përqind dhe 8,6 përqind përkundrejt rritjes së shitjeve neto me 2,7 përqind dhe 8,1 përqind rezultoi në rënie të shitjeve neto për të punësuar për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve përkatësisht me 0,4 përqind dhe 3,2 përqind.
Ndërmarrjet sipas aktivitetit
Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, 86,3 përqind, operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe kryesisht në sektorin e tregtisë (ku përfshihen, tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve). Në tregti operojnë 42,7 përqind e ndërmarrjeve të cilat përbëjnë 50,0 përqind të shitjeve neto nga të gjitha ndërmarrjet së bashku. Në rritjen gjithsej prej 6,3 përqind, ndërrmarrjet tregtare kanë kontribuar me 4,4 përqind. Të punësuarit në këtë sektor zënë 24,8 përqind të numrit të të punësuarve gjithsej. Në tregti është investuar vetëm 11,1 përqind e vlerës gjithsej të investimeve të kryera në të gjithë aktivitetet ekonomike të mbuluara në vrojtim. Shitjet neto në sektorin e shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) janë rritur 27,4 përqind krahasuar me një vit më parë. Ky sektor ka shënuar rritjen më të lartë prej 22,9 përqind në numrin e të punësuarve gjithsej dhe 7,6 përqind në numrin e ndërmarrjeve aktive gjate vitit 2014. Investimet e realizura nga gjithë prodhuesit e shërbimeve rezultojnë me rënie.
Ndërmarrjet sipas madhësisë
Statistikat strukturore të ndërmarrjeve sigurojnë informacion edhe sipas madhësisë së ndërmarrjeve (përcaktuar në termat e numrit të personave të punësuar). Në ndërmarrjet ekonomike, rezultuar aktive gjatë vitit 2014, janë punësuar 370.887 persona. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë 39,7 përqind të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizuan 44,6 përqind të shitjeve neto dhe kryen 65 përqind të investimeve. Në këtë grup ndërmarrjesh, (prej 50 e më shumë të punësuar), dominojnë prodhuesit e të mirave përkundrejt ndërmarrjeve prodhuese të shërbimeve për numrin e ndërmarrjeve aktive (57,4 përqind), numrin e të punësuarve (54,7 përqind) dhe investimeve te realizuara (76,3 përqind). Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë 31,7 përqind të të punësuarve gjithsej të cilët kanë realizuar 13,8 përqind të shitjeve neto. Ndërmarrjet e vogla janë dominuese në prodhuesit e shërbimeve përkundrejt prodhuesve të të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive (89,1 përqind), numrin e të punësuarve (87,1 përqind). dhe shitjeve neto (81,3 përqind).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.