Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Italia, Sllovenia, Greqia dhe së fundmi Maqedonia, po rrisin bashkëpunimin në katër shtylla: rritja blu, ndërlidhja, cilësia mjedisore dhe turizmi, në kuadër të Strategjisë Adriatiko-Joniane. Fokusi, këtë vit, te rritja blu dhe turizmi
Çfarë e bashkon Shqipërinë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Serbinë, Italinë, Slloveninë, Greqinë dhe Maqedoninë? Përveç afërsisë gjeografike, historisë së ngjashme, lagies nga detet Adriatik dhe Jon (përveç Serbisë e Maqedonisë) të nëntë shtetet, disa anëtare të BE-së dhe disa jo, janë pjesë e Nismës Adriatiko-Joniane, të themeluar në 2014-n, si pjesë e strategjisë së Bashkimit Europian për rajonin Adriatik dhe Jonian (EUSAIR).
Kjo nismë synon fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e stabilitetit ekonomik dhe politik, duke hapur rrugën, në këtë mënyrë, për një bazë të qëndrueshme në procesin e integrimit europian, për shtetet që janë ende jashtë BE-së. Për vendet që nuk janë ende pjesë e BE-së, kjo strategji shërben si një mekanizëm për integrimin e tyre.
Strategjia Adriatiko-Joniane bazohet në katër shtylla: rritja blu, ndërlidhja, cilësia mjedisore dhe turizmi. Çdo vit, Forumi tërheq aktorë të ndryshëm, si Komisioni Europian dhe institucione të tjera të BE-së, ministritë kombëtare, autoritetet rajonale dhe lokale, sektorin e biznesit, akademinë dhe shoqërinë civile, të cilët ndajnë pikëpamjet, shkëmbejnë përvojën dhe diskutojnë mënyrat e bashkëpunimit për projektet e përbashkëta.
Samiti i radhës, që këtë herë u zhvillua në Budva të Malit të Zi, kishte si risi kryesore shtimin e një anëtari të ri, atë të Maqedonisë së Veriut. Aivo Orav, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Mal të Zi, tha se fakti që Maqedonia ka marrë ftesë të bëhet shteti i nëntë, është një sinjal i tërheqjes së strategjisë makrorajonale.
“Ju keni fokusin e duhur”, tha z. Karmenu Vela, komisioneri europian për çështjet detare dhe të peshkimit, përmes një video-mesazhi. “Që nga 2014, kur u prezantua për herë të parë strategjia Adriatiko-Joniane, kemi bërë rrugë, fokusi është promovimi i prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik në rajon”, tha ai, duke shtuar se është i kënaqur të shohë që po shtohen propozimet.
Znj. Corina Cretu, komisionere europiane për politikat rajonale, tha se strategjia makrorajonale kontribuon në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor. “Strategjia Adriatiko – Joniane është maturuar, komisioni është gati t’ju mbështesë në këtë proces”.
Z. Rudolf Niessler, drejtori për Rritjen e Zgjuar dhe të Qëndrueshme dhe zbatimin e programeve, pranë Komisionit Europian, tha se strategjia e BE-së
për Rajonin Adriatik dhe Jonian, ka një vlerë thelbësore, pasi ka potencialin të nxisë procesin e integrimit, teksa vendet punojnë së bashku.
Këtë vit, fokusi i konferencës ishte rritja blu dhe turizmi. “Rritja blu ka në fokus inovacionin dhe punësimin, duke përdorur burimet ujore. Kjo vjen mes sfidës për ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre burimeve”, tha z. Niessler. Ndërsa vit pas viti, rajoni po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, po sfida, rekomandoi z. Niessler është që të ketë zhvillim të qëndrueshëm, duke zgjatur sezonin dhe duke ulur turizmin masiv.
Ai shtoi se ruajtja e rajonit Adriatiko – Jonian dhe tokës është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe orientimi në strategjinë e vogla e të fokusuara mund të krijojë oferta të specializuara. “Të rinjtë kudo në Europë po promovojnë ruajtjen e mjedisit. Edhe ju duhet të përfshini të rinjtë në këtë strategji”, shtoi ai.
Klosi: Në kërkim të formulës magjike për turizmin
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, theksoi në forumin për turizmin se Shqipëria së fundmi po përjeton një bum turistik, me një rritje të lartë të numrit të turistëve, që pritet të jenë 20% më shumë këtë vit.
“Duam të krijojmë turizëm 12-mujor”, tha ai. “Ne po ofrojmë jo vetëm turizëm të detit, por dhe agroturizëm, kemi caktuar 100 fshatra, si prioritarë”. Një tjetër strategji që po ndiqet është nxitja e ndërtimit të hoteleve me 5 yje.
“Formula magjike që po kërkojmë është si ta mbajmë vendin siç është, por dhe të gjejmë gjuhën me investitorët për të ndërtuar hotele në bregdete”, tha Klosi. Ai shtoi se zhvillimi i hoteleve në bregdet do të përqendrohet në pjesën më të madhe për argëtim, 35% do të jetë për ndërtim dhe pjesa tjetër argëtim.
Për ministrin Klosi, Mali i Zi është një model i mirë për zhvillimin e hotelerisë. “Ne duam të krijojmë shembuj si hotelet në Mal të Zi”, shtoi ai.
Ministri i Turizmit në Mal të Zi, Duro Zugic, tha se strategjia e tyre e turizmit ka qenë gjithnjë në linjë me zhvillimin e qëndrueshëm dhe parimet e tij, teksa “hapësira për ne është e kufizuar dhe s’ka pasur asnjëherë plan për zhvillim masiv, duke pasur parasysh dhe infrastrukturën dhe burimet e pakta njerëzore”.
Ai shtoi se zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kërkon një lloj balance mes humanizimit të hapësirës dhe natyrës, veçanërisht burimeve të parinovueshme, teksa në fund të fundit, qëllimi ekonomik është shfrytëzimi i disa burimeve për të jetuar më mirë dhe duke mos dëmtuar natyrën.
Në një prezantim për turizmin në rajon, dr. Sanja Cizmar, nga Kroacia, konsulente për hotelerinë dhe destinacionet, tha se sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria dhe Serbia kanë indeks të ulët të intensitetit të turizmit, i matur si numri i netëve të të huajve për banor. Për Kroacinë, ky tregues është 20.3, për Greqinë 8.5, për Malin e Zi 6, për Italinë është 3.5 dhe në fund janë Shqipëria me 1.1 dhe Serbia me 0.5. Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.8.
“Rajoni ka diversitet të madh dhe burime të bollshme”, tha ajo. “Turizmi është një element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, megjithatë ai ka një sezonalitet të madh dhe një shpërndarje të pabarabartë sipas rajoneve”.
Sipas Këshillit Botëror të Turizmit, më konkurrues në rajon janë Italia, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia dhe në fund janë Shqipëria dhe Bosnja, sipas raportit të fundit, i vitit 2017.
“Sezonaliteti është tipar edhe në Europë. 53% e mbërritjeve në Europë janë në 4 muaj”, tha ajo. Por, në rajon, ky tregues është më i lartë. Në Shqipëri shifra është 77% dhe i referohet vetëm të huajve. Në Kroaci është më e lartë, me 85%, pasi 60% të shtretërve janë akomodime private që operojnë vetëm dy deri në tre muaj në vit.
Ndërsa Italia, Sllovenia, Serbia kanë përqindje të ngjashme me Europën, sepse kanë produkte bazë të tjera.
Dr. Cizmar përmendi disa nga efektet e sezonalitetit, ku problemi kryesor është shkëputja e punësimit. “Sot, në Kroaci, kemi probleme me fuqinë punëtore. Kjo ka sjellë produktivitet më të ulët dhe rënie të cilësisë së shërbimit, pasi punonjës të tjerë trajnohen çdo vit dhe kjo sjell ulje të kënaqësisë së klientëve”.
Ajo rekomandoi që strategjitë për zhvillimin e turizmit duhet të synojnë diversifikim produkti, si kultura, gastronomia, produkte cilësore, vlerësimi i produkteve lokale, autenticitet, diferencim në çmime, segmentim të tregut etj.
Ajo përmendi shembullin e rajonit Alto-Adige në Bolzano të Italisë, që është i famshëm për prodhimin e mollëve dhe verave dhe ka një industri mjaft të zhvilluar turistike, me resorte dimërore të rinovuara.
Z. Jean Pierre Halkin, kreu i njësisë për makro-rajonin, bashkëpunimin rajonal dhe fondet IPA, rekomandoi që vendet e rajonit duhet të ndjekin katër prioritete në strategjinë e tyre për zhvillimin e turizmit: forcimi i investimeve; dixhitalizimi; përmirësimi i bashkëpunimit dhe mbajtja e talenteve; diversifikimi i turizmit.
Dadic: I pari që hodha idenë e rrugës Prishtinë-Nish, por BE nuk e financoi
Për arsye historike, koniunkturash, konfliktesh të vjetra e të reja, etj., bashkëpunimi mes vendeve të rajonit lë për të dëshiruar, ndonëse Bashkimi Europian po i nxit vendet e rajonit drejt filozofisë së integrimit mes tyre, si një mënyrë që t’i përgatisë ata drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ivica Dadic, ministër i Jashtëm i Serbisë, tha se kjo filozofi do të zhduket po nuk zgjidhëm problemin e infrastrukturës. “Sot është e pamundur të lidhesh me rrugë me rajonin, është si të bësh një garë rally”, tha ai, duke shtuar se ai ka qenë i pari që ka hedhur idenë e rrugës Prishtinë – Nish, si një mënyrë pajtimi, por që Bashkimi Europian nuk e financoi. “Përpjekjet tona janë të zgjidhim gjithë çështjet përmes marrëveshjeve”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srđan Darmanović, tha se nismën Adriatiko-Joniane e shohin si një mjet bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Europian dhe harmonizimin e politikave. “Kemi forcuar mekanizmat e koordinimit, çka ndihmon në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal”, tha ai, duke shtuar se financimi është i rëndësishëm. Ky mekanizëm është shumë i vlefshëm për Ballkanin Perëndimor, shtoi ai. “Kemi promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, mbrojtjen e bregdetit, harmonizimin me legjislacionin e BE-së. Bashkëpunimi krijon terren për stabilitet dhe rritje të qëndrueshme. Vendet e rajonit do të zbatojnë projekte në interesin e tyre të përbashkët”, shtoi z. Darmanović.
Rudolf Niessler, drejtori për Rritjen e Zgjuar dhe të Qëndrueshme dhe Zbatimin e Programeve, pranë Komisionit Europian, pohon se strategjia Adriatiko-Joniane është konsoliduar dhe po shkojmë në fazën tjetër bashkë me sigurimin e mjeteve financiare. “Theksi që Bashkimi Europian ka ndërmarrë është që përgatisim instrumentet e fondeve të nevojshme, si IPA dhe kontributet financiare ndërkombëtare.
Ai shtoi se EUSAIR ka vlerë strategjike politike, pasi i sjell më afër vendet që janë në proces integrimi dhe rrit prosperitetin dhe punësimin në rajon.
Katër shtyllat e bashkëpunimit blu
Rajoni është një zonë funksionale që rrethohet nga deti Adriatik dhe Jon. Duke mbuluar gjithashtu një sipërfaqe territoriale të rëndësishme, ai trajton zonat e marinës, bregdetare dhe tokësore, si sisteme të ndërlidhua. Me intensifikimin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, pas anëtarësimit të Kroacisë dhe perspektivës së anëtarësimit për vendet e tjera të rajonit, portet luajnë rol të rëndësishëm. Vëmendja në lidhjet det-tokë gjithashtu nënvizon ndikimin e aktiviteteve të bazuara në tokë në zonat bregdetare dhe ekosistemin e marinës. Nisma e rajonit Adriatiko-Jonian bazohet në katër shtylla:
-
Rritja blu, ku koordinatorë janë Greqia dhe Mali i Zi. Objektivat kryesorë për këtë shtyllë janë promovimi i kërkimeve, novacionit dhe mundësive të biznesit në sektorët e ekonomisë blu, përshtatja ndaj prodhimit të qëndrueshëm të ushqimeve të detit, përmirësimi i qeverisjes së hapësirave detare.
-
Ndërlidhja në rajon, ku koordinatorët janë Italia dhe Serbia. Objektivat kryesorë për këtë shtyllë janë fuqizimi i sigurisë detare dhe zhvillimi i një sistemi portesh intermodale, si dhe zhvillimi i një sistemi të besueshëm rrjeti transporti, si për mallrat ashtu dhe për pasagjerët. Një tjetër synim është arritja e një tregu të ndërlidhur dhe mirëfunksional të energjisë, duke mbështetur tre objektivat e politikës së energjisë të Bashkimit Europian – konkurrueshmëria, sigurimi i furnizimit dhe qëndrueshmëria.
-
Cilësia e mjedisit, ku koordinatorë janë Sllovenia dhe Bosnjë-Hercegovina. Objektivat kryesorë të kësaj shtylle lidhen me sigurimin e një mjedisi të mirë dhe status ekologjik të marinës dhe mjedisit të bregdetit deri në vitin 2020, në linjë me parimet e Bashkimit Europian dhe përqasjen e ekosistemeve sipas Konventës së Barcelonës. Gjithashtu, synohet kontributi në strategjinë e biodiversitetit të Bashkimit Europian, ku parësore është përgjysmimi i humbjes së biodiversitetit dhe degradimit të ekosistemit, si dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve.
-
Turizmi i qëndrueshëm, ku koordinatorë janë Kroacia dhe Shqipëria, ka si objektiva kryesorë diversifikimin e produkteve dhe shërbimeve turistike të makrorajonit, të koordinuar me sezonalitetin e kërkesës për turizmin bregdetar dhe detar. Ai synon dhe përmirësimin e cilësisë dhe risitë në ofertat turistike, duke e vënë theksin në kapacitetet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme turistike të aktorëve në të gjithë rajonin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.