Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve fiskale, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), çmimet e konsumit kanë shënuar rritje, duke e varfëruar shportën e konsumatorit. Nga të dhënat e indeksit të çmimeve të konsumit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vërehet se ka pasur rritje të produkteve të konsumit.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit me 0.2% në muajin shkurt, krahasuar me janarin 2017-të. Shkalla e inflacionit e matur në muajin shkurt 2017 me muajin shkurt 2016 ishte 1.7%.
“Rritja e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.2%), pemë (3.4%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇKt. Shkalla e inflacionit e matur në muajin shkurt 2017 me muajin shkurt 2016 ishte 1.7%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.7% në muajin shkurt 2017, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2016. Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: mish (0.9%); qumësht, djathë dhe vezë (6.0%); sheqer dhe ëmbëlsira (7.3%); kafe, çaj dhe kakao 5.8%.”, thuhet në raportin e fundit të çmimeve të konsumit të ASK-së. Pavarësisht të dhënave zyrtare të ASK-së, që e dëshmojnë rritjen e çmimeve për të cilat është liruar TVSH nga 16 në 8 përqind si buka, vezët, qumështi e tjera, ministri i Financave, Avdullah Hoti, nuk e pranon se zbritja e TVSH-së ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Ai madje thotë se Qeveria nuk është e shqetësuar për sa i përket inflacionit. Por me deklaratat e ministritë Hoti, nuk po pajtohën qytëtarët e vendit. Ata po ankohen se ka rritje të çmimeve të produkteve.
Hamit Basholli ka vërejtur se ka rritje të çmimeve të produkteve që i konsumon. “ Vazhdimisht mendoj që ka rritje edhe për shkak të inflacionit, por ka edhe rritje vende-vende domethënë, varësisht prej dyqaneve”, tha Basholli.
Edhe Nasir Baxhaku mendon se çdo ditë çmimet po ngiten. Ndërsa, një qytetarë tjerë, Besim Boshnjaku, mendon se përveç që ka rritje të çmimeve, ka edhe mashtrime duke i liruar disa artikuj e disave iu rrisin çmimin.
Sidoqoftë me ndryshimet e pakos fiskale, zyrtarët qeveritarë në vazhdimësi kanë deklaruar se ka pasur efekte pozitive në ekonominë e Kosovës. /KosovaPress/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.