Prodhimi i biznesit në Eurozonë qëndroi në rritje të qëndrueshme në muajin maj, për të pestin muaj radhazi, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë, sipas Indeksit të Përbërë të Menaxherëve të Blerjeve (Purchasing Managers’ Index, PMI) të S&P Global dhe Hamburg Commercial Bank.
Sondazhi tregoi rënie në 53.3 në maj, nga 54.1 në prill. Ndërsa ndodhet ende mbi vlerën 50, që ndan rritjen ekonomike nga recesioni, ishte nën pritshmëritë prej 53.5.
“Pavarësisht se sinjalizon ritëm më të ngadaltë të rritjes, rezultatet e përgjithshme të PMI të tremujorit të dytë, në vlerë nominale, tregojnë një fitim të qëndrueshëm të produktit të brendshëm bruto. Por kjo është në kundërshtim me anketat e tjera dhe të dhënat e forta,” tha Ricardo Amaro në Oxford Economics.
Me çmimet në rritje të ndjeshme dhe familjet, që do t’u duhet të paguajnë kosto të rritura të huamarrjes, rritja e përgjithshme e kërkesës u zbeh ndjeshëm. Indeksi i ri i biznesit ra në 50.4, nga 52.5.
Shifrat e PMI treguan një pabarazi të ngjashme në Gjermani, ku prodhimi i përgjithshëm i biznesit u rrit, por prodhimi pësoi rënie. Në Gjermani, aktiviteti i biznesit u zgjerua për të katërtin muaj radhazi, i nxitur ekskluzivisht nga një ringjallje e sektorit të shërbimeve, që më shumë se kompensoi një rënie të prodhimit në ekonominë më të madhe të Europës.
Por në Francë, aktiviteti u zgjerua me ritmin më të ngadaltë në katër muaj, pasi prodhimi vazhdoi të tkurret dhe rritja në sektorin dominues të shërbimeve u ngadalësua.
Kompanitë e shërbimeve në Mbretërinë e Bashkuar, rritën çmimet me një ritëm të shpejtë, ndërsa kërkesa vazhdoi të qëndronte e fortë, duke shtuar shqetësimet e Bankës së Anglisë për vazhdimin e inflacionit të lartë.
PMI për industrinë e shërbimeve të Eurozonës, ra nga niveli më i lartë 1-vjeçar i prillit, prej 56.2, në 55.9, duke mposhtur parashikimet për një rënie më të madhe, në 55.6.
Pavarësisht ngadalësimit të rritjes së bizneseve të reja, firmat e shërbimeve rritën numrin e punonjësve me një ritëm të fortë – indeksi i punësimit ishte 55.0, megjithëse më i ulët se niveli më i lartë i 11-mujorit, atë të muajit prill, prej 55.6.
Ndërkohë kërkesa për mallra të prodhuara, u ul dhe PMI e fabrikave ra në 44.6 nga 45.8, më e ulëta që nga maji 2020, kur pandemia e koronavirusit po dominonte kudo nëpër botë.
Një indeks matës i prodhimit, i cili ushqehet në PMI të përbërë, ra në nivelin më të ulët gjashtëmujor prej 46.3, nga 48.5.
Por, zinxhirët e furnizimit, kryesisht në gjendje të mirë, dhe çmimet më të ulëta të energjisë, bënë që kostot e lëndëve të para për fabrikat të bien me ritmin më të shpejtë në më shumë se shtatë vjet, duke i lejuar fabrikat të ulin çmimet e tyre për herë të parë, që nga shtatori 2020. Indeksi i çmimeve të prodhimit u ul në 49.0 nga 51.6.
Ky mund të jetë një lajm i mirëpritur për politikëbërësit në Bankën Qendrore Europiane, të cilët pavarësisht se kanë hyrë në rrugën shtrënguese më agresive në historinë ekonomike të bankës, nuk kanë arritur deri më tani të kthejnë inflacionin në objektivin 2.0%.
Megjithatë, çmimet e ngarkuara nga firmat e shërbimeve u rritën më shpejt, dhe BQE-ja pritet të shtojë 25 pikë të tjera bazë në normën e depozitave muajin e ardhshëm dhe në korrik, pavarësisht se shumë nga kolegët e saj kanë ndaluar tashmë rritjen e normave ose do ta bëjnë së shpejti.
“Presionet mbi çmimet janë ende të forta, PMI-të e çmimeve të hyrjes dhe të prodhimit mbetet i lartë, sipas standardeve historike, duke mbështetur rastin që BQE të rrisë më tej normat,” tha Andrew Kenningham në Capital Economics. / Reuters