Aktiviteti i biznesit në Eurozonë u mbështet muajin e kaluar nga industria dominuese e shërbimeve të bllokut, duke kompensuar një rënie të thelluar në sektorin e prodhimit, sipas një sondazhi i cili gjithashtu tregoi se presionet e përgjithshme të çmimeve ishin ulur.
Indeksi përfundimtar i përbërë i Menaxherëve të Blerjeve (Purchasing Managers’ Index, PMI) i HCOB, i përpiluar nga S&P Global dhe i parë si një matës i mirë i shëndetit të përgjithshëm ekonomik, ra në nivelin më të ulët tre-mujor në 52.8 në maj, nga 54.1 në prill.
Ndërsa ende më lart se vlera 50, që ndan rritjen ekonomike nga rënia, vlerësim paraprak i tij ishte 53.3.
PMI, që mbulon sektorin e shërbimeve, ra në 55.1, nga niveli më i lartë një-vjeçar i prillit prej 56.2.
PMI e prodhimit, publikuar javën e kaluar, tregoi se rënia në aktivitetin e fabrikave u thellua, pasi kërkesa ra pavarësisht çmimeve në rënie.
Presionet e përgjithshme të kostos, ishin më të ulëta në muajin maj dhe indekset e përbëra të çmimeve të lëndëve të para dhe të prodhimit ranë. Indeksi i prodhimit ra në 56.4 nga 56.8, më i ulëti që nga prilli 2021.
Ndërsa kjo ka të ngjarë të mirëpritet nga politikëbërësit në Bankën Qendrore Europiane, të cilët ende nuk e kanë ulur inflacionin për të synuar, kjo ishte kryesisht për shkak të uljes së çmimeve nga fabrikat pasi firmat e shërbimeve, të vëzhguara nga afër nga BQE, rritën tarifat e tyre më shpejt.
Pavarësisht kësaj, kërkesa për shërbime vazhdoi të rritet dhe firmat rritën numrin e punonjësve, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë. Indeksi i punësimit ra në 54.6 nga niveli më i lartë 11-mujor i prillit prej 55.6.
“Sektori i shërbimeve po mbështetet nga tregu i fortë i punës, rritja e pagave dhe sektori i turizmit, që po lulëzon në të gjithë Europën,” tha Cyrus de la Rubia, drejtues ekonomik në Bankën Tregtare të Hamburgut.
“Rritja e turizmit konfirmohet nga PMI i eksportit të biznesit, i cili përfshin kërkesën e lidhur me turizmin, vlera e të cilit ishte pranë pikut në muajin maj.” / Reuters