Flet Sybi Hida, deputet, anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë: Programet sociale mbrojnë të varfrit dhe jo ulja e taksave apo diferencimi i TVSH.
Forcat politike kanë nisur betejën për nivelin e ri të taksave. Cila duhet të ishte forma e duhur për kushtet e vendit tonë? Ka hapësirë për rishikimin e TVSH-së?
Po, keni të drejtë. Lideri i opozitës, zoti Rama, ka filluar fushatën e rritjes së taksave. Realisht, ajo çfarë zoti Rama po u thotë shqiptarëve është që ai do të vijë në pushtet duke rritur taksat, politikë e cila fshihet pas eufemizmit “taksë progresive”. Nga ana tjetër, Rama po mundohet të joshë votuesit duke premtuar që rritjen e taksave do ta shoqërojë edhe me heqjen e taksës së biznesit të vogël, pa u kujdesur që mund të shkatërrojë sistemin tatimor. Jam i bindur që ai nuk do ta ketë luksin të qeverisë vendin, por, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, unë e shikoj në këtë mënyrë politikën e rritjes së taksave që ofron lideri i PS-së. Së pari, zoti Rama do të rrisë taksat. Së dyti, heqja e taksës së biznesit të vogël është vetëm një taktikë politike, pasi heqja e taksës së biznesit të vogël do të kompensohet me të ardhurat që do të vijnë nga taksat mbi të ardhurat për shkak se ato do t’i nënshtrohen taksës progresive. Pra, në përfundim, biznesi i vogël nuk do të paguajë taksa, ndërsa pronari i biznesit të vogël do të paguajë më shumë taksa sesa paguan tani. Përfundimi: është e njëjta politikë që ka ndjekur kur ishte në krye të bashkisë së kryeqytetit, taksa të larta. Pra, zoti Rama, lideri i PS-së, është në kundërshtim me zotin Rama kryetar bashkie. Gjithashtu, në politikën e taksave, zoti Rama është në kundërshtim edhe me politikën që ka ndjekur PS gjatë 8 viteve pas ‘97, ku janë ndërmarrë disa politika të uljes së taksave dhe të shkurtimit të shkallëve të taksës progresive, duke zvogëluar progresivitetin e saj. Kështu që politika e zotit Rama nuk është politika e PS, por ajo e PS99.
Unë mendoj që politika e taksës së sheshtë është politika më e drejtë si për sa i përket efektivitetit në ekonomi, ashtu edhe nga synimet sociale. Mbështetja e shtresave me të ardhura të ulëta nuk arrihet nëpërmjet politikës së taksës, por nëpërmjet programeve të qarta sociale, përfundim i nxjerrë nga shumë studime akademike. Sistemi aktual i taksave është sistemi mbi të cilin ne duhet të vazhdojmë dhe ta forcojmë. Miratimi i Ligjit të Deklarimit Integral të të Ardhurave dhe i zbatuar për herë të parë gjatë këtij viti është sistemi modern i sistemit të taksave. Ky sistem lejon që të përdoren politika mbështetëse për shtresat me të ardhura të ulëta. Fuqizimi i këtij sistemi deklarimi të ardhurash e pagim taksash duhet të shtrihet në të gjitha familjet shqiptare dhe si një bazë për të përdorur politika mbështetëse për shtresat në nevojë. Ndërsa ruajtja e taksimit të ulët për fitimin e korporatave është sistemi që duhet të mbajmë, pasi rezulton i suksesshëm si në thithjen e investimeve të huaja ashtu edhe në rritjen e nivelit të punësimit. Për sa i përket normës së TVSH-së, mendoj që sistemi aktual i një norme fikse është superior ndaj një sistemi me një normë të shkallëzuar. Edhe një herë, e përsëris, që politikat e taksave nuk janë efektive për të mbështetur shtresa të caktuara konsumatorësh, vetëm programet sociale mund të arrijnë një objektiv të tillë. Megjithatë, diskutimet për të mbështetur sektorë të veçantë dhe investime strategjike me normë TVSH të ulët janë të mirëpritura dhe duhen analizuar me kujdes. Në këtë pikë, dua të përshëndes vendimin e Kryeministrit për të hequr TVSH-në për makineritë dhe pajisjet që ndikojnë direkt investimet strategjike dhe përjashtimin e materialeve që mbështesin sektorin e energjisë.
Jeni shprehur disa herë pro rritjes së borxhit. Ku e bazoni këtë? A është e drejtë kjo dhe çfarë rreziqesh mund të shkaktojë, duke pasur parasysh rekomandimet e FMN dhe BB?
Që në fillim dua të theksoj se jam kundër qeverisjeve me borxhe të larta dhe të qeverive të mëdha. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mohojmë realitetin që ndesh një ekonomi apo një qeveri, sidomos në rastet kur ato janë rrjedhojë e faktorëve të jashtëm. Gjatë dy viteve të para të qeverisë “Berisha”, programi i së cilës bazohet në lirinë ekonomike dhe një qeverisje të vogël, u arrit një reduktim i borxhit publik edhe pse investimet publike pësuan rritje të ndjeshme. Ulja e borxhit publik ndryshoi kah në vitin 2008 dhe 2009, për shkak të stimulit fiskal që ndoqi qeveria për të përballuar presionin e krizës financiare e reale që goditi vendet e zhvilluara. Një ekonomi si ajo e vendit tonë, me infrastrukturë të varfër e me probleme të mëdha, nuk kishte luksin që t’ia linte përballimin e presioneve të krizës globale sektorit privat, madje fokusi i qeverisë ka qenë mbështetja e tij nëpërmjet uljes së kostove të të bërit biznes. Do të sugjeroja një sjellje krejt tjetër nëse reformat e fillimviteve ‘90 do të kishin nismuar që në vitin 1944 dhe biznesi shqiptar do të kishte pasur atë zhvillim që ka biznesi në vendet europiane. Pra, kjo është situata ku gjendet ekonomia jonë dhe borxhi publik gjatë dy viteve të fundit luhatet rrotull 60 përqindëshit të ekonomisë, një tregues që ka fituar popullaritet si një tregues kritik ‘mos më kalo’. Jam i bindur që i njëjti debat do të bëhej sot edhe sikur borxhi publik në vendin tonë të luhatej tek 50 përqindëshi i PBB-së. Do të diskutohej që, nëse kalon nivelin 50 për ind, ekonomia do të kalojë në krizë.
Plani i qeverisë që ju i referoheni për rritjen e borxhit publik mbi nivelin e 60 përqindëshit të ekonomisë është një reflektim i situatës ekonomike. Mendoj që qeveria duhet të tregohet e guximshme për të mbyllur të gjitha llogaritë kontraktuale me sektorin privat dhe të vazhdojë të ruajë nivelin e investimeve publike. Qeveria duhet të marrë në konsideratë që treguesit ekonomikë të vendeve europiane parashikohen të përkeqësohen gjatë 2013-s, që rritja e depozitave në sektorin bankar nuk po shkon në kredi dhe që biznesi privat ka rritur kreditë e këqija edhe për shkak të llogarive të hapura me qeverinë. Pra, analiza duhet të jetë afatmesme dhe në dobi të rritjes ekonomike dhe jo mendimit që, nëse borxhi publik është 59.7 për qind e PBB-së, është mirë dhe, nëse është pak mbi 60 për qind të ekonomisë, është shumë keq.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.