Autoriteti i Konkurrencës (AK) vendosi të enjten të hapë një hetim paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore.
Nisur nga shqetësime të ngritura në media mbi rritjen e çmimit të plehrave kimike, ky institucion realizoi një monitorim të tregut, me qëllim vlerësimin e konkurrencës në këtë treg. Nga vlerësimi i informacionit të mbledhur gjatë monitoritmit, rezultoi se disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve. Këto ndërmarrje kanë realizuar importe të përbashkëta dhe kanë siguruar gjendje të produkteve në magazina, duke i shitur ato me çmime shumë më të larta se kostot e blerjes së tyre.
Mbështetur në këto fakte, AK ka krijuar dyshime të arsyeshme se mes ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, ka elementë të një sjelljeje të bashkërenduar, që mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në treg.
Gjithashtu, AK ka vlerësuar se ekziston rrezikut i kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të
pariparueshëm për konkurrencën, ndaj vendosi marrjen e masës së përkohshme për eliminimin e pasojave antikonkurruese. AK urdhëroi ndërmarrjet që operojnë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore t’i japin fund bashkëpunimit mes tyre. Sipas vendimit, këto ndërmarrje duhet të sillen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre tregtar sa i përket importeve të produkteve, caktimit të çmimit të shitjes, si edhe përdorimit të të drejtave ekskluzive.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndërmarrjet mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Megjithatë, vendimi i AK nuk saktëson emrat e ndërmarrjeve nën hetim dhe subjekt i masave të përkohshme.
Në rastin konkret, AK është treguar i shpejtë në marrjen dhe publikimin e një vendimi, por ndërkohë së fundmi ka thelluar praktikën e publikimit selektiv të vendimeve të veta.
Dhjetëra vendime të marra gjatë vitit 2020 dhe fillimit të vitit 2021 nuk janë publikuar ende në faqen e internetit të institucionit, sipas kërkesave të ligjit dhe përcaktimeve të programit të transparencës. Ky institucion nuk i është përgjigjur në mënyrë të përsëritur këkesave për informacion nga revista “Monitor” për çështje të lidhura me funksionimin e konkurrencës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.