Flet Albert Shehu, Drejtues i Departamentit të Kredive Hipotekore dhe Financimit të Konsumatorit, Banka Kombëtare Tregtare (BKT)
Kërkesa për kredi hipotekore paraqitet në rritje, sidomos pas shtatorit të vitit të kaluar, pohon Albert Shehu, Drejtues i Departamentit të Kredive Hipotekore dhe Financimit të Konsumatorit. Sipas tij, rritja e çmimeve, por edhe shtimi i investimit në banesa më të shtrenjta, si vilat, kanë nxitur më shumë kërkesën nga familjet për kredi bankare.
Megjithatë, z. Shehu shprehet se rritja e ndërtimeve dhe e çmimeve të pronave duhet ta kishin rritur më shumë kërkesën për kredi hipotekore, duke lënë të kuptohet se bumi i ri i ndërtimeve nuk mbështetet i gjithi te financimet nëpërmjet kredisë bankare.
Si paraqitet ecuria e portofolit të kredisë për blerje banesash në bankën tuaj? Sa u ndikua ky produkt prej krizës së pandemisë?
Ecuria e portofolit të kredisë për blerje banesash në Bankën Kombëtare Tregtare paraqitet në rritje, krahasuar nga njëri vit te tjetri. Por, vitin e kaluar, deri në mesin e muajit shtator 2020, pati rënie drastike të kërkesës për blerje banesash, për shkak të situatës së pandemisë, e për pasojë, si në çdo sektor, kjo ndikoi edhe në kërkesën për kredi hipotekore. Pas shtatorit dhe deri në fund të vitit 2020 u vu re rritje e konsiderueshme e kërkesës për kredi hipotekore.
Si e vlerësoni aktualisht kërkesën për kredi bankare me qëllim blerjen e banesave?
Viti 2021 filloi më i gjallëruar sesa viti që kaloi, kjo në çdo aspekt, dhe efektet e pandemisë nisën të zvogëlohen. Në dy muajt e parë të këtij viti pati qëndrueshmëri të kërkesës për kredi me qëllim blerjen e banesave, por duke ruajtur trendin e viteve të mëparshme ku përgjithësisht, janari dhe shkurti, edhe gjatë viteve të kaluara, kanë rezultuar muaj me numër të ulët të transaksioneve për blerje shtëpie.
Pas muajit mars, edhe si pasojë e rigjallërimit të ekonomisë, ka një rritje të konsiderueshme të kërkesës për blerje banesash dhe ecuria e portofolit të kredisë për këtë qëllim në BKT ka shënuar rritje të konsiderueshme. Mendojmë se kjo rritje do të shoqërojë edhe muajt në vazhdim.
Duhet theksuar që kontribut për rritjen e kërkesës për kredi për blerje banesash ka edhe bashkëpunimi që BKT ka me Qeverinë Shqiptare në lidhje me projektin e të pastrehëve.
Aktualisht, BKT është një nga tre bankat përfituese të Programit të Qeverisë Shqiptare “Për subvencionimin për familjet që përfitojnë Kredi të Lehtësuara nga Buxheti i Shtetit” dhe në kuadër të këtij programi, në shtator 2019, Banka Kombëtare Tregtare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Objekt i marrëveshjes është kreditimi i individëve që do të përfitojnë nga programi i strehimit të përmendur më lart. Listat me emrat e përfituesve dërgohen nga Bashkitë përkatëse në BKT.
Vitet e fundit, janë rritur ndjeshëm çmimet e banesave, sidomos në kryeqytet. Sa dhe në ç’mënyrë e ka ndikuar ky faktor kërkesën për kredi hipotekore?
Duhet theksuar se rritja e çmimit të banesave për shtëpi ka ndikuar në rritjen e kërkesës për blerje banesash me financim nga banka. Gjithashtu, investimi në pasuri të paluajtshme të tipit vila, të cilat arrijnë vlera shitje relativisht të larta, nga ana e individëve, ka rritur kërkesën për kredi hipotekore.
Megjithatë, mendojmë se rritja e çmimeve të banesave dhe rritja e sasisë së ndërtimeve me qëllim banimi nuk është reflektuar mjaftueshëm në rritjen e portofolit të kredive hipotekore. Mendojmë se këta dy faktorë duhet ta kishin rritur relativisht më shumë kërkesën për kredi hipotekore.
Ecuria e portofolit dhe vrojtimet e aktivitetit kreditues në vitet e fundit tregojnë rritje të fokusit të bankave në segmentin e individëve dhe sidomos të kredive hipotekore. Pse ka ndodhur kjo?
BKT është bankë lider dhe banka më e madhe në vend. Aktualisht, ne kemi një bazë shumë të gjerë të klientëve dhe portofolin më të madh të kredive hipotekore në treg. BKT ka pasur gjithmonë fokus të veçantë te segmenti i kredive individuale dhe sidomos te kreditë hipotekore në monedhën vendase Lek.
BKT, jo vetëm në këtë periudhë, por gjithmonë, ka pasur në fokus primar individët, duke ofruar jo vetëm normat e interesit më të mira në treg, por ka qenë gjithnjë e angazhuar në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve dhe procedurave të kreditimit, për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor klientëve të saj dhe në një kohë të shkurtër.
Kohët e fundit vërehet se është rritur fokusi edhe nga bankat e tjera në segmentin e individëve, kryesisht në kreditë hipotekore, që mendojmë se ka ardhur edhe si pasojë e rritjes së çmimeve, sasisë së ndërtimeve të reja dhe numrit në rritje të transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme.
Sa ka ndikuar cikli i normave të ulëta të interesit në zgjerimin e kredisë hipotekore?
Cikli i normave të interesit ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e kredisë hipotekore, kjo jo vetëm gjatë vitit 2021 por edhe më parë, pasi normat e interesit për financimin e blerjeve të shtëpive për individët kanë qenë të qëndrueshme gjatë tre viteve të fundit. Prej disa vitesh, përveç normave të luhatshme të interesit, bankat ofrojnë gjithashtu norma fikse gjatë viteve të para për produktin kredi për shtëpi.
A keni kërkesa për kredi hipotekore nga shtetas të huaj ose jorezidentë në Shqipëri? A ofroni financim në këto raste dhe, nëse po, me çfarë kushtesh?
BKT ofron kredi me të njëjtat kushte vetëm për emigrantët, të cilët duan të investojnë në vendin e tyre. Ka një kërkesë të vazhdueshme në vite nga ky segment, por nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e lartë.
Disa firma ndërtimi ofrojnë shitjen e apartamenteve me kredi bankare që në fazën e ndërtimit. Si funksionon bashkëpunimi i bankave me firmat e ndërtimit, për të financuar blerjen e banesave ende në proces ndërtimi, ose kontrata porosie?
Për individët, të cilët duan të financohen nga banka me kredi hipotekore, por nuk kanë asnjë pasuri të paluajtshme të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për të ofruar si garanci për bankën, BKT ofron produktin kredi për blerje shtëpie pa kolateral (Kredi në Nivel Zero). Aktualisht, BKT ka marrëveshje aktive me disa kompani ndërtimi, me përvojë të gjatë e të konsoliduar në tregun e ndërtimit të pasurive të paluajtshme, që kanë plan të mirë biznesi, situatë financiare me rritje pozitive, etj.
Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve bëhet i mundur financimi i apartamenteve, vilave apo dyqaneve, të cilat janë ende në proces ndërtimi, pa qenë nevoja e ofrimit të një kolaterali nga klienti. Pasi prona objekt kredie regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, ajo bllokohet në favor të BKT, duke e konvertuar kredinë në kredi me garanci hipotekore. Ne kemi qenë dhe do të jemi shumë aktivë në këtë treg, edhe në vitin 2021 e në vazhdim, duke qenë optimistë se tregu i kredive hipotekore do të vijojë të ketë rritje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.