Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur fjalën e presidentit amerikan Joe Biden, që të martën u shpreh se rritja e çmimeve në gjithë botën të produkteve bazë është kostoja e mbrojtjes së lirisë së Ukrainës. Ai ka thënë se Kosova preket nga rritja e çmimeve për shkak të varësisë së saj të madhe nga importi.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Kosova preket nga rritja e çmimeve për shkak të varësisë së saj të madhe nga importi.
Gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, Kurti tha që rritja e çmimeve të produkteve elementare në gjithë botën është “kostoja e mbrojtjes së lirisë së Ukrainës”.
“Sot po bëhen dy javë nga fillimi i agresionit në Ukrainë. Republika jonë ka treguat gatishmëri për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina dhe kemi ndarë 150 mijë euro për pranimin e gazetarëve nga Ukraina. Kujtojmë se Rusia është një prej eksportuesve ma të mëdha të gazit dhe naftës në Europë. Energjia që mundëson prodhimin dhe nafta për transport janë fillimi dhe fundi i zinxhirit. E di edhe kuptojmë shqetësimin e gjithsecilit prej jush për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo s’është shkaktuar nga ne, po na prek edhe ne. Kur para 12 ditëve iu bashkuam botës për sanksionet, një kosto e tillë ishte e pashmangshme. Por kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë”, ka thënë ai.
Perëndimi i ka vënë sanksione të shumta ekonomike Rusisë pasi nisi pushtimin e Ukrainës. Listës së shteteve që vendosën sanksione iu bashkua edhe Kosova. Nisja e luftës dhe vendosja e sanksioneve ka bërë të ketë rritje të mëdha të çmimeve të produkteve elementare.
Çmimi i naftës dhe benzinës në vendin tonë është duke u rritur çdo ditë nga 8 deri në 10 cent për një litër. Pavarësisht kësaj, në rrugët tona vazhdon të ketë numër të madh automjetesh, edhe pse çmimet e karburanteve tashmë kanë arritur në mbi 1.60 euro.
Me këtë trend të rritjes së vazhdueshme, pritet që shumë shpejt çmimet të arrijnë deri në 2 euro për një litër naftë. Është paralajmëruar se brenda një kohë të shkurt çmimi i naftës do të arrij deri në 3.50 euro.
Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, Qeveria e Kosovës më 1 mars ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.
Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.