Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për rritjen e çmimeve me të cilat po përballën qytetarët ditëve të fundit. Kurti thotë se edhe Kosova sikurse gjithë bota i është ekspozuar një inflacioni. Ai ka treguar se janë duke punuar për një pako masash si ndihmë për qytetarët.
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë.
Kurti ka theksuar se rritja e këtyre çmimeve është e ndikuar botërisht, gjë që po ndikon në ngritjen e tyre edhe në Kosovë.
Ai tregon se ditëve në vijim do të ketë pako të masave për t’i ndihmuar qytetarët.
“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave. Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9 për qind, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, me anë të kësaj rritje të çmimeve në vend, po tentohet të fajësohet Qeveria e Kosovës.
“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë. Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngritët, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët. Paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, ndikojnë në blerje të shtyra nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve”, thuhet në reagimin e tij.
Kurti në këtë shkrim thotë se, një gjë e tillë është tentuar të bëhet vitin e kaluar, në fillim të pandemisë COVID-19.
“Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pa bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët”, thotë Kurti.
“Të njëjtën gjë, pra qetësi e durim, po u kërkoj edhe tani teksa po punojmë që ditëve në vijim të kemi një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve”, shton ai.
Ai në fund thekson se ata që po e fajësojnë Qeverinë, janë të njëjtit që nuk e kanë brengë çmimin e bukës dhe ata që kanë shpërblyer supermarketet më qindra mijëra euro.
“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vite, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve por xhepave të miqve të tyre. Janë po të njëjtit që nuk thanë asnjë fjalë kur fabrika e vajit në Ferizaj ishte shitur për skrap. E tani ankohen për çmimin e vajit të importuar! Janë po të njëjtit që vitin e kaluar, në emër të rimëkëmbjes ekonomike kishin shpërblyer supermarketet e mëdha me qindra mijëra euro, përkundër faktit që ishin po ato biznese që kishin fitime rekord në kohë pandemie”.
Agjencia thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.
“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”.
Sipas ASK-së, një litër vaj ushqimor në muajin shtator 2020 kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.55 euro. Gjatë shtatorit të vitit të kaluar, një kilogram oriz ka kushtuar 1.38 euro ku sivjet blihet për 1.44 euro, kurse 30 copë vezë gjatë muajit shtator janë shitur 2.61 euro nga 1.95 euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.