“Rritja e deficitit, rreziku kryesor për 2014-ën”

05/01/2014 8:01 AM 0 komente

Flet Dr. Selami Xhepa Dekan i Institutit Kanadez të Teknologjisë (CIT)

Si e vlerësoni projekt buxhetin 2014 dhe paketën fiskale?

Komenti i parë është: i hartuar në nxitim, pa iu nënshtruar një diskutimi me grupet e interesit, në veçanti nga studiuesit dhe kërkuesit, dhe që krijon hapësira të mëdha për më shumë pasiguri. Sigurisht që ky ishte viti i parë i qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet dhe është e mirëkuptueshme shkelja e afatit kohor dhe aspekteve proceduriale sipas parashikimeve që ka ligji buxhetor. Por, duke pasur parasysh shkallën e ndjeshme të ndërhyrjeve që i janë bërë sistemit fiskal në vend, qoftë në taksat direkte dhe në ato indirekte, një periudhë më e gjatë kohore debati publik do të ishte shumë e dobishme. Një debat më i plotë duhet të ishte bërë edhe për alokimin e shpenzimeve publike, pasi sërish ndryshimet që janë kryer janë relativisht të ndjeshme, në raport me prioritetet e reja strategjike, një debat që mund të ndriçonte projektet kryesore që do të financoheshin sipas sektorëve dhe impaktin e tyre ekonomik e social.

Nëse do të ndalem më hollësisht në ndryshimet që janë bërë në krahun e të ardhurave, rritja e parashikuar prej 13% e tyre pritet të vilet kryesisht nga rritja e tatimeve mbi biznesin (me 51%) dhe rritja e akcizës (36%), ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale do të ndikojë negativisht në të ardhurat e buxhetit. Pra, në tatimet direkte duket një zhvendosje e dukshme e barrës fiskale nga individi tek biznesi, që do të realizohet nga rritja e tatimit mbi fitimin nga 10% në 15%. Por, barra fiskale e individit rritet kryesisht nëpërmjet tatimeve indirekte, si, rritja e akcizës për disa mallra konsumi, rritja e taksës së qarkullimit mbi naftën, si dhe nga rritja e tatimit mbi të ardhurat personale (deri në 23%) për grupet me të ardhura të larta dhe vendosja e një takse të re për shtëpi të dyta etj., rritje që parashikohet t’i japin arkës së shtetit gati 20 miliardë më shumë lekë. Në këtë kuptim, rritja e të ardhurave, nëpërmjet një rritje të barrës fiskale, në pothuaj të gjitha kategoritë e tatimeve, është një çështje shumë e ndjeshme dhe me ndikime ekonomike të dyshimta.

Një tjetër tipar shumë i debatueshëm i këtij buxheti është shifra e borxhit publik: huamarrja e qeverisë e kalon shifrën e 95 miliardë lekëve, nga mesatarisht 45-50 miliardë që kanë qenë historikisht (tre-katër vitet e fundit) kufiri vjetor i huamarrjes publike. Duke qenë se të ardhurat shtesë (prej 20 miliardë) pothuaj barazohen me shifrën e borxhit të trashëguar, shtesa e huamarrjes së re për efekt të detyrimeve të prapambetura, duhet të ishte shumë modeste, në raport me atë që është parashikuar. Në këtë kuptim, kjo rritje impresionuese e deficitit fiskal është njëherësh edhe rreziku kryesor me të cilën do të përballet ekonomia gjatë vitit të ardhshëm. Zhvillimet e pritshme do të varen shumë nga ecuria e normave të interesave në treg e cila do të reflektojë mënyrën se si do të perceptohet rreziku i borxhit publik shtesë. Nëse tregu do të jetë neutral, manovra fiskale do të ketë një efekt pozitiv të fortë, si një stimul i shtuar fiskal.

Sa do të ndikojnë ato në rregullimin e problemeve strukturore të ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe nxitjen e punësimit?

Kjo paketë fiskale duket se vendos si prioritet të vetin ruajtjen e ekonomisë nga recesioni më tepër se krijimin e hapësirave për më shumë punësim nga sektori privat. Është evidente se rritja e barrës fiskale për biznesin nuk  e lehtëson, përkundrazi e vështirëson zgjerimin e sipërmarrjes private. Në afat të gjatë, ky reformim fiskal që ka ndodhur mundet të ketë impakte pozitive, nëse zbatimi i legjislacionit fiskal do të shënojë përmirësime të ndjeshme. Një tatim mbi fitimin dhe të ardhurat e tjera jo nga paga, në 15%, është sërish një nivel konkurrues, duke pasur parasysh se normë efektive tatimi konsiderohet shifra 20%. Sidoqoftë, eficienca e politikave fiskale, siç është provuar tashmë gjerësisht, më shumë se nga normat nominale të taksave, varen nga eficienca e zbatimit të tyre. Edhe pse vendi ynë ka pasur një tatim 10%, për shembull, sërish në pagimin e taksave vendi ynë ka pasur renditjen më të dobët në treguesit e të bërit biznes.

Rregullimet strukturore të ekonomisë, për të cilat flitet shumë pak ose aspak edhe pse janë shumë kritike dhe me ndikim vital në evoluimin e standardit të jetës sonë ekonomike dhe sociale, nuk janë trajtuar. Për shembull, edhe pse mund të jetë shoqërisht e pranueshme vendosja e një takse më të lartë mbi banesën e dytë (edhe pse në gjykimin tim është e padrejtë pasi takson shumë fort individët që përpiqen të kursejnë dhe të krijojnë pasuri për fëmijët e tyre), sërish ajo nuk mund të pranohet kur më shumë se gjysma e popullsisë nuk e paguan fare taksën as edhe për shtëpinë e parë në të cilën banojnë prej vitesh. Pra, kur bashkitë dhe komunat nuk janë në gjendje të vjelin taksat e banesave në mënyrë të ndershme mbi popullatën e tyre, përse një grup individësh që mund të kontrollohen (sepse ata janë përgjithësisht edhe të rregullt në raport me ligjin) duhet të taksohen në mënyrë penalizuese?

Ose, cila masë do të ndikonte më shumë jetën e një punëtori dhe të familjes së tij: ulja e tatimit mbi pagën apo një kontroll publik mbi pagat; një kontroll rigoroz mbi standardet në punë dhe kushtet e shëndetit dhe të punës në fabrika dhe miniera; një zë më i fortë e tyre në mbarëvajtjen e biznesit dhe të ekonomisë, një autoritet mbikëqyrës më i mirë i tregut dhe konkurrencës etj? Si mund të rritet taksa e karburanteve edhe me 10 lekë dhe ndërkohë që tregtarët e karburanteve vazhdojnë të abuzojnë çdo ditë si me cilësinë dhe me sasinë e asaj që na shesin e ndërkohë institucionet publike edhe kur konstatojnë shkelje flagrante, e mbajnë informacionin sekret?

Qytetarët nuk i paguajnë taksat për hir të fisnikërisë së tyre, por kur shohin një interes vetjak, kur shohin se ata po paguajnë që të marrin shërbime më të mira publike dhe mbrojtje nga abuzimi që mund t’iu bëhet interesave të tyre nga firma, individë apo palë të treta.

Pra, rregullimi strukturor i ekonomisë kërkon një sistem fiskal jo vetëm të lehtë nga aspekti i taksimit normativ, por mbi të gjitha një administrim eficent, jo diskriminues dhe të kulturuar në raport me taksapaguesit. Uroj që edhe megjithëse nuk flitet për këto çështje në buxhet, ato të jenë thelbi i vërtetë i politikave të ardhshme të qeverisë.

Cilën gjykoni mënyrën më të mirë për ecurinë e ekonomisë: rritjen e borxhit apo rritjen e  taksave?

Në fakt, siç e zhvillova në krye të intervistës, ky buxhet i parashikon që të dyja, edhe rritjen e taksave, edhe rritjen e borxhit. Në gjykimin tim, rritja e borxhit është gjithnjë mënyra më e mirë për të ruajtur ekonominë nga një rrezik recesionit, pasi ky kanal ndikon më shpejt në afat të shkurtër, ndërkohë që rritja ekonomike në afat të gjatë nëpërmjet borxhit, është pa asnjë dyshim një rritje shumë e rrezikshme, sepse në një moment të caktuar kohor, ai do të bëhet i paqëndrueshëm. Dhe siç u provua edhe së fundmi, krizat e borxheve e zhbëjnë progresin e shoqërisë, progres i krijuar në mënyrë artificiale, përveçse ato krijojnë një proces të pandershëm rishpërndarje e të ardhurave si dhe mund të ketë edhe implikime sociale e politike të paparashikueshme. Prandaj, rritja ekonomike me borxhe është e rrezikshme dhe e padëshirueshme. Ndërkohë, një sistem fiskal i lehtë, asnjanës/neutral, dhe i mirëadministruar, janë mënyra e duhur. Rritja e taksave, përkundrazi është dekurajuese në aspektin ekonomik, dhe në planin social, krijon nxitje për deformimin e vlerave morale të shoqërisë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of