Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar ra për të tretin tremujor radhazi në tremujorin e dytë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky tregues pësoi një rënie të lehtë në nivelin 17.95%, nga 18.1% që kishte qenë në fund të tremujorit të parë. Ky tregues është më i ulët edhe krahasuar me mesin e vitit të kaluar, kur ekonomia sapo kishte dalë nga mbyllja dhe aktiviteti i sektorit bankar ishte kushëzuar ndjeshëm prej pandemisë. Megjithatë, ai ngelet dukshëm mbi kërkesat minimale bazë të përcaktuara në rregulloren përkatëse të Bankës së Shqipërisë.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të peshuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Ai është treguesi më i rëndësishëm rregullator për bankat tregtare dhe vlerëson aftësinë e tyre për të mbuluar me kapital rreziqet e marra përsipër. Rënia e këtij treguesi në tremujorët e fundit i detyrohet kryesisht zgjerimit të kreditimit nga sektori bankar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredisë në fund të muajit qershor ishte në rritje vjetore me afërsisht 6%. Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të muajit mars arriti në 883 miliardë lekë, rreth 22 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundin e tremujorit të parë. Edhe krahasuar me mesin e vitit të kaluar, vlera e aktiveve me rrezik shënon një rritje me 5.3%. Kjo reflekton kryesisht rritjen e kreditimit dhe më në përgjithësi një tendencë të bankave për të rritur biznesin dhe për të marrë përsipër rreziqe, ndërkohë që gjendja e ekonomisë është përmirësuar nga përmirësimi i situatës së epidemisë në tremujorin e dytë të vitit.
Në krahun tjetër, vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar arriti në rreth 158.5 miliardë lekë, rreth 2.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me tremujorine parë dhepothuajse shattë miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Raporti mes kapitalit të nivelit I dhe aktiveve me rrezik është 16.9%, duke dhënë kontributin kryesor në treguesin e kapitalizimit total të sektorit.
Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, si për shembull ato me kapital grek, kërkesa gjatë viteve të krizës ka qenë edhe më e lartë. Me miratimin e rregullores për shtesat makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë. Nga fillimi i këtij viti, bankat kanë përmbushur edhe shtesën konservuese prej 1% në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Për pesë bankat më të mëdha, që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, ky raport duhet të jetë edhe më i lartë, nga 0.5% deri në 1%, në varësi të bankës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.