Rritjet e fundit të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane (BQE) pritet të lehtësojë kostot e bankave për fondet e lira në monedhën europiane.
Këtë muaj, BQE rriti normën bazë të interesit (atë të operacioneve të rifinancimit) nga 0.5% 1.25%, ndërsa norma e interesit për depozitat ditore të bankave u rrit nga 0 në 0.75%. Në veçanti norma e interesit të depozitave ka një ndikim të ndjeshëm në normën e interesit me të cilën bankat tregtare mbajnë fondet e lira në Euro, pranë Bankës së Shqipërisë ose bankave të tjera jashtë vendit.
Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë vendosi që norma e remunerimit të bankave për rezervën e detyrueshme në euro të rritej në një nivel të barabartë me normën e interesit të depozitave të BQE-së, por jo më shumë se zero. Ndërsa norma e remunerimit të tepricës (shumën e mbajtur që tejkalon vlerën e rezervës së detyruar) në euro është 25 pikë bazë (0.25%) më e ulët se norma e interesit të depozitës së përcaktuar nga BQE-ja, por jo më e madhe se 0.
Me rritjen e fundit të normës së depozitave nga BQE-ja në muajin shtator, edhe norma e interesit për tepricat mbi rezervën e detyrueshme shkon në 0.
Megjithëse norma e remunerimit të rezervës dhe tepricës nuk reflekton normën më të re prej 0.75% të BQE-së, së paku Banka e Shqipërisë i çliroi bankat nga normat negative të interesit për fondet e rezervës së detyrueshme në euro. Është e pritshme që në vazhdim Banka e Shqipërisë ta heqë kufirin 0 për normën e remunerimit për rezervën në euro, për të ndjekur një linjë të përafërt me atë që aplikon BQE.
Banka e Shqipërisë nuk ofron llogari fizike në valuta të huaja për bankat tregtare. Fondet e rezervës së detyrueshme në valutë të huaj mbahen pranë llogarive të Bankës së Shqipërisë në Bankën Qendrore Europiane dhe kjo është një nga arsyet pse norma e remunerimit të rezervës në Euro është e lidhur me normën e interesit të depozitave ditore të BQE-së.
Para datës 3 gusht, norma e remunerimit të rezervës së detyrueshme kishte qenë -0.5%, çka nënkupton se bankat duhet të paguanin para për të mbajtur rezervën e tyre të detyrueshme ligjore pranë Bankës së Shqipërisë.
Në vitet e fundit, depozitat bankare në euro po rriten me ritme të shpejta dhe kjo ka bërë që sektori bankar të jetë mbilikuid në monedhën europiane. Sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik sektori bankar kishte rreth depozita dhe vendosje në valutë të huaj për një shumë të barabartë me rreth 290 miliardë lekë. Kjo shumë përbën rreth 36% të depozitave në valutë që zotëron sektori bankar në Shqipëri. Nga këto, rreth 126 miliardë lekë depozita në valutë janë të mbajtura si rezerva dhe teprica pranë Bankës së Shqipërisë. Shumat në euro, që përbëjnë edhe pjesën dërrmuese të fondeve në valutë, tashmë është e lehtësuar nga normat negative të interesit.
Rezerva e detyrueshme konsiston në një përqindje të caktuar të detyrimeve të bankave tregtare në secilën prej monedhave përkatëse, që duhen mbajtur të papërdorura në një llogari pranë Bankës së Shqipërisë. Në kuadrin e strategjisë së deeuroizimit, u vendos që shkalla e rezervës së detyruar në valuta të huaja të ishte më e lartë krahasuar me atë të monedhës vendase. Qëllimi kryesor ishte rritja e kostos së ndërmjetësimit në valutë të huaj për bankat shqiptare. Konkretisht, norma e rezervës për valutat e huaja (EUR dhe USD) është 12.5% (nga 10% që ishte më parë) për detyrimet në valutë, kur këto zënë nën 50% të totalit dhe 20% (nga 10% që ishte më parë), për pjesën e detyrimeve në valutë mbi 50% të totalit.
Paralelisht, rezerva u ul në 7.5% (nga 10% që ishte më parë) për detyrimet në Lekë me afat maturimi jo më të gjatë se 12 muaj dhe 5% (nga 10% që ishte më parë) për detyrimet në Lekë me afat fillestar më të gjatë se 12 muaj deri në 2 vjet.
E njëjta logjikë vlen edhe për depozitat e tjera në euro që bankat shqiptare mbajnë pranë bankave të huaja korrespondente. Rritja e shpejtë e normave të interesit nga BQE-ja do të reflektohet edhe në interesat e këtyre depozitave. Tani që normat e interesit në tregje po rriten edhe për euron, është e pritshme që kjo të fillojë të reflektohet edhe normat e interesit të tregut të brendshëm bankar në Shqipëri./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.