Normat e interesit për kreditë e reja në Lekë kanë regjistruar një rënie të lehtë për bizneset në tremujorin e dytë të vitit, ndërkohë që janë rritur për individët.
Analiza e Bankës së Shqipërisë për tremujorin e dytë të këtij viti tregon se rritja e normës bazë po fillon të reflektohet fillimisht në kreditë që janë më të standardizuara, siç janë kreditë e vogla për biznese dhe kreditë për individët. Megjithatë, në përmasa, rritjet e interesave janë ende minimale dhe niveli i tyre mbetet akomodues për rritjen e mëtejshme të kredisë.
Normat e interesit për kreditë për biznese kanë shënuar rënie në tremujorin e dytë të vitit, si për kreditë në Lekë, ashtu edhe për ato në Euro. Norma mesatare e interesit për kreditë për biznese në tremujorin e dytë rezultoi 5.5% nga 5.8% që ishte një tremujor më parë, duke u luhatur pranë mesatares së saj për vitin 2021. Reduktimi i interesave këtë tremujor ka ardhur nga rënia e normave për kreditë mbi 35 milionë Lekë. Interesi mesatar për këto kredi shënoi 5.3%, nga 5.9% që ishte në tremujorin e parë, duke iu rikthyer vlerës mesatare të vitit të kaluar. Norma e interesit për kreditë e vogla (deri në 35 milionë Lekë), nga ana tjetër, është rritur në 6.2%, nga mesatarja prej 6.0% e tremujorit të mëparshëm dhe e vitit 2021.
Në terma mesatarë, ato u janë afruar niveleve të vitit të kaluar për të dyja monedhat. Ulja e interesit tek kreditë në Lekë reflekton reduktimin e interesave tek kreditë e mesme dhe të mëdha duke “korrigjuar” pjesërisht rritjen e tyre një tremujor më parë. Por, interesi i kredive të vogla në Lekë ka shënuar rritje gjatë këtij tremujori.
Interesi për këtë kategori, e cila përkon kryesisht me financimin e biznesit të vogël e të mesëm, ka qenë përgjithësisht më i lartë se interesi për kreditë më të mëdha gjatë vitit 2021 dhe në vitin aktual, me mesatarisht 0.5 pikë përqindje.
Kjo është edhe kategoria ku rritja e normës bazë po fillon të transmetohet më shpejt, duke qenë se kushtet për kreditë e vogla janë më të standardizuara. Gjithashtu, për kreditë e mëdha, fuqia negociuese e bizneseve është më e madhe, çka mund të sjellë edhe terma më të lehtësuara kreditimi në krahasim me kreditë e vogla. Kjo konfirmohet edhe nga analiza sipas fiksimit fillestar të interesit, e cila evidenton se interesat e kredisë me normë fillestare interesi të
pandryshuar deri në një vit janë ulur krahasuar me tremujorin e parë dhe me vitin e kaluar. Normat e interesit për kreditë në Euro të bizneseve kanë shënuar rënie gjatë tremujorit të dytë të vitit. Ato rezultuan mesatarisht 4.3% në këtë tremujor, nga 4.9% në tremujorin e parë të vitit dhe 4.5% mesatare e vitit 2021. Ndryshe nga kredia në Lekë, interesi i kredisë në Euro këtë tremujor ka reflektuar uljen e tyre për të gjitha kategoritë, por më e theksuar tek kreditë mbi 250 mijë Euro.
Ndërkohë, normat e interesit për kreditë në Lekë të individëve kanë filluar të tejçojnë rritjen e normës bazë të interesit. Rritja më e spikatur në këtë tremujor ishte tek kreditë hipotekare, ku interesi i tyre rezultoi 4.0% nga 3.6% që ishte në tremujorin e mëparshëm dhe 3.7% në vitin 2021. Në një krahasim të shtrirë në kohë, interesi aktual është gjithsesi më i ulët se niveli 4.4% për periudhën 2018-2020. Dy vitet e fundit janë karakterizuar nga një kërkesë e lartë e individëve për kredi hipotekare, e cila është akomoduar nga bankat me kushte të lehtësuara kreditimi. Diferenca e interesit për këto kredi kundrejt yield-it të bonove të thesarit 12-mujore, që shpesh përdoret si normë referencë, ka qëndruar e ulët në gjysmën e pare të këtij viti, në 1.9%, dhe pothuaj aq sa ishte edhe gjatë vitit 2021. Për periudhën 2018-2020, kjo diferencë ishte mesatarisht 2.4 pikë përqindje. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të standardizimit tek kreditë hipotekare dhe të vogla1, rritja e interesave në këtë tremujor duket të reflektojë rritjen e normës bazë në fund të tremujorit të parë të vitit. Analiza sipas periudhës së fiksimit të normës së interesit evidenton rritje të interesave tek të gjitha maturitetet, me rreth 0.3-0.4 pikë përqindje.
Tremujori i dytë i këtij viti ka shënuar një rritje edhe në interesin e kredisë konsumatore. Ky interes rezultoi me një nivel mesatar prej 9.3%, nga 9.1% në tremujorin e parë të vitit. Rritja e interesit për këtë lloj kredie ishte më e përmbajtur në këtë tremujor, pas rritjes që shfaqi në tremujorin e parë të vitit. Normat e interesit për kreditë konsumatore janë luhatur rreth nivelit 8.1% për periudhën 2018-2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.