Intervistë me Redi Hakani, Administrator i Përgjithshëm i ABI Invest
Mjedisi me norma interesi në rritje paraqet oportunitete për investitorët, të cilët kanë fokus afatgjatë investimi.
Redi Hakani, Administrator i Përgjithshëm i ABI Invest, thotë se rritja graduale e normave të interesit, duke filluar nga viti i shkuar, ka ndikuar kryesisht fondet, të cilat investojnë në instrumente me të ardhura fikse.
Sipas tij, në këtë situatë, fondet kanë reaguar, duke ulur maturitetin e investimeve. Kjo strategji mund të japë rezultate pozitive në afat të gjatë, pasi investimet e fondit maturohen më shpejt dhe në rastin e rritjes së normave të interesit, kjo i jep mundësinë shoqërisë të riinvestojë fondet me një kthim më të lartë.
Si e vlerësoni ecurinë e fondeve të investimeve në vitin 2021?
Viti 2021 ka qenë një vit përgjithësisht i suksesshëm për fondet e investimit. Ndonëse në fillimet e saj, ABI Invest administron 3 fonde investimi. ABI EIA emeton dhe shlyen kuota në monedhën Lek; ABI FLEX EURO, i cili emeton dhe shlyen kuota në monedhën Euro, dhe ABI FLEX USD.
Duhet theksuar se ABI FLEX USD është i vetmi fond në treg që emeton dhe shlyen kuota në Dollar Amerikan. ABI EIA ka filluar aktivitetin në mars të vitit 2021, ndërkohë që ABI Flex EURO dhe ABI FLEX USD kanë filluar në nëntor 2021.
Synimi i ABI është të ndërtojë një bazë klientele “butik”, që vlerëson përfitimet afatgjata të fondeve të investimit.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregu i fondeve të investimeve u rrit me rreth 15% gjatë 2021. Kjo rritje, duke pasur parasysh karakteristikat e tregut shqiptar, konsiderohet e kënaqshme, megjithatë duhet përmendur se jemi në fazat e para të një tregu, i cili është ende duke u njohur për publikun shqiptar dhe ofron potencial të ndjeshëm për t’u zhvilluar në vitet në vijim.
Në raport me GDP, totali i aseteve në menaxhim të fondeve të investimeve në vitin 2021 ishte rreth 4.40%, një raport i cili është i krahasueshëm me vendet e rajonit, ndërkohë që mbetet karakteristikë më e theksuar përqendrimi në titujt e qeverisë shqiptare.
Cilët ishin faktorët kryesorë që përcaktuan ecurinë e tregut vitin e kaluar?
Në përgjithësi, 2021 ka qenë një vit pozitiv, duke rezultuar në rritje të aseteve neto, kryesisht në fondet që emetojnë në monedhën vendase, performanca e të cilave ishte pozitive në kushtet e një mjedisi stabël të normave të interesit.
Prej fundit të vitit 2021, ka nisur një tendencë e rritjes së normave të interesit/yield-eve për Euron, ndërsa muajt e fundit një tendencë e tillë po vërehet edhe për instrumentet në Lek. Çfarë ndikimi ka pasur deri tani kjo rritje për fondet e investimit në Shqipëri?
Që nga fillimi i vitit 2022, bankat qendrore kanë ndryshuar kahun e politikës monetare, e cila deri tani, dhe sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit ka qenë ekspansioniste, pra, me tendencë ulëse të normave të interesit.
Në përgjigje të treguesve të inflacionit, Bankat Qendrore si FED dhe Banka e Shqipërisë, kanë reaguar me rritje të normës së interesit. Gjithashtu dhe Banka Qendrore Europiane pritet të rritë normën e interesit në mbledhjen e saj në fillim të muajit korrik. Kjo ka ndikuar kryesisht fondet, të cilat investojnë në instrumente me të ardhura fikse, pra, obligacione.
Ndikimi ka qenë më i theksuar te fondet, të cilat kanë investime afatgjata në këto instrumente. Ulja e kohëzgjatjes së investimeve, ose ajo që quhet ndryshe duration, është strategjia më e mirë për t’u mbrojtur në këtë situatë. E thënë ndryshe, shoqëria administruese fokusohet në përzgjedhjen e investimeve me maturitet të shkurtër.
Kjo strategji mund të japë rezultate pozitive në afat të gjatë, pasi investimet e fondit maturohen më shpejt dhe në rastin e rritjes së normave të interesit, kjo i jep mundësinë shoqërisë të riinvestojë fondet, me kthim më të lartë.
Pavarësisht kësaj, tregu shqiptar paraqet alternativa të kufizuara investimi për fondet që investojnë në monedhën Lek, sidomos në aksione apo instrumente të kapitalit.
Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE) është licencuar për herë të parë në vitin 2017 dhe ka filluar operacionet e para në 2018 dhe ende nuk ka një kompani të listuar, si një alternativë shtesë investimi.
Megjithatë, mbeten për t’u përshëndetur nismat e fundit, si për shembull, konferenca ndërkombëtare e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me pjesëmarrës politikëbërës dhe përfaqësues të shumë institucioneve prestigjioze, ku konkluzioni kryesor ishte se kemi nevojë për diversifikimin e tregjeve financiare, nëpërmjet zhvillimit të tregjeve të kapitalit.
Në këtë drejtim është shumë e rëndësishme përfshirja e të gjithë stakeholders (palëve të interesit) si Bankat, Shoqëritë Administruese, Qeveria, Rregullatorët etj., për të zhvilluar tregun, pasi zhvillimi i tregut do të sjellë përfitime për të gjithë.
Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar një projekt-rregullore që do të bëjë të zbatueshme shitjen në Shqipëri të kuotave të fondeve të investimit të licencuar në BE. Si e vlerësoni një hap të tillë dhe çfarë ndikimesh mund të japë në tregun shqiptar?
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar këtë projekt-rregullore, në mbështetje të kërkesave të ligjit 56/2020 “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”.
Mendojmë se një hap i tillë do të rrisë më tepër konkurrencën në tregun e brendshëm. Aktualisht, ne si shoqëri administruese mendojmë se konkurrenca sjell zhvillim dhe jemi pozitivë ndaj çdo lloj nisme që nxit zhvillimin e tregut.
Në këtë drejtim, mbështesim përpjekjet e AMF për të liberalizuar dhe për të hapur tregun.
Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për vitin 2022? Si prisni të ndikojë në tregun e fondeve të investimit inflacioni i lartë dhe rritja e mëtejshme e normave të interesit?
Pritshmëritë tona për 2022-shin janë që ky vit do të jetë me luhatshmëri të shtuar për sa u përket tregjeve financiare, ndikuar nga disa ngjarje si për shembull, lufta në Ukrainë, rritja e inflacionit apo politikat shtrënguese të Bankave Qendrore, të cilat parashikohet të rrisin normat e interesit.
Aktualisht, një situatë e tillë paraqet oportunitete për investitorët, të cilët kanë fokus afatgjatë investimi.
Për këtë arsye, ne nuk jemi të shqetësuar për luhatshmërinë afatshkurtër që mund të kenë tregjet, pasi fokusi ynë është të investojmë fondet e investitorëve, në mënyrën më të mirë të mundshme, duke synuar një horizont afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.