Për fasonistët, rritja e pagës sjell më shumë vështirësi financiare, sidomos në kushtet e krizës dhe pamundësisë për të rritur çmimin te partnerët.
“Nëse kërkon rritje çmimi je automatikisht jashtë tregut”, thotë Gjergj Leqejza, administrator i një prej kompanive më të mëdha të fasonit në vend, duke shtuar se rritja prej 5% e pagës minimale ka efekt të ndjeshëm, sepse shoqërohet me një rritje prej 5% të kontributit të sigurimeve që paguan biznesi.
“Në këto kushte, kur kostot rriten në mënyrë të vazhdueshme, qeveria rrezikon të nxisë ekonominë informale dhe të shtojë individët që punojnë në të zezë”, thotë Leqejza.
Qeveria shqiptare, si çdo vit, ka hartuar projektvendimin për rritjen e pagës minimale, që pritet të bëhet efektive që nga 1 korriku 2012. Sipas projektvendimit të qeverisë, paga minimale rritet në 21 mijë lekë, nga 20 mijë lekë që ishte më parë. Gjithsesi, vendimi përfundimtar pritet të merret më 22 qershor nga Këshilli Kombëtar i Punës.
Rritja e pagës minimale nuk do të japë as efektin pozitiv të shfuqizimit së pagës referencë tek bizneset, duke përfshirë edhe fasonin. Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e tij të fundit që të heqë përdorimin e pagës referencë, që ishte kundërshtuar ashpër nga biznesi, që kur filloi të përdorej, në vitin 2007.
VKM-ja e “famshme” me nr. 285, miratuar në maj të vitit 2007 shkaktoi shumë debate në qarqet e sipërmarrjes private, pasi shikohet si një dhunim i së drejtës së tregut të lirë në përcaktimin e pagave, ku tashmë ishte qeveria ajo që diktonte nivelin e tyre dhe jo biznesi. Me vendosjen e referencave në vitin 2007, arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat personale u rritën me gati 70 për qind, ndërsa shumë biznese u ankuan se qeveria po fut duart në arkën e tyre përmes taksave. Debati mori përmasa të mëdha, kur në vendim u caktua se sa do të ishte numri i punonjësve. Niveli i pagave, deklaruar në tatime për efekt të pagesës së taksës që aplikohet në burim, në masën 10 për qind nuk përputhej me realitetin, pasi bizneset shmangin sa më shumë paraqitjen e saktë të shumës. Pakkush, përveç punonjësve të bankave e telekomunikacioneve, si dhe ata që punojnë në shtet, deklaronin vlerën reale, ndërsa në sektorë të tjerë informaliteti ishte i lartë.
Në buxhetin e shtetit, të ardhurat nga tatimi mbi pagën u rritën në vitin 2011 në masën 3.4% në raport me vitin 2010, ndërsa në raport me planin, realizimi ishte më pak se 95%. Trendi rritës ka ardhur në rënie, që prej vitit 2007, kur të ardhurat pësuan kapërcim me 70 për qind, për shkak të efektit që dha VKM-ja.
Në total, të ardhurat, sipas statistikave zyrtare nga Ministria e Financave ishin rreth 28 miliardë lekë, ku sektorët publikë dhe privatë kanë kontributin më të madh.
Në shtet, nga punonjësit e administratës publike, tatimet kanë mundur të mbledhin afro 8.8 miliardë lekë, me një rritje në raport me 2010-n në masën 4.2%, kurse në privat, arkëtimet regjistruan një nivel prej 8.9 miliardë lekësh, ose 11.5% më shumë. Sikurse duket nga të dhënat, edhe pse dihet që pagat në privat janë më të larta dhe me shumë të punësuar, të ardhurat nga ky sektor janë gati të njëjta si me të punësuarit në shtet, ku numri nuk shkon më shumë se 100 mijë. Shumë punonjës në privat nuk e deklarojnë ende pagën e plotë te tatimet, për shkak se detyrimi për të paguar nga llogaritja e 10 përqindëshit del i lartë dhe preferojnë që një pjesë ta marrin në bankë dhe diferencën në dorë.
Rritje edhe pagës maksimale
Vendimi për pagën minimale nuk është shoqëruar me një vendim për rritjen e pagës maksimale për efekt të përllogaritjes së sigurimeve shoqërore. Sipas drejtorit të Kontributeve në ISSH, Sabah Goci, rritja e pagës minimale, që pritet të miratohet së shpejti, do të jetë vetëm për efekt të punëdhënësve si dhe rritjen e minimumit jetik.
“Është përgatitur projekti që parashikon rritjen e pagës minimale (të vetëpunësuarit) dhe maksimale për efekt të sigurimeve shoqërore, por pritet që të miratohet në qeveri. Rritja do të jetë në të njëjtin nivel të viteve të mëparshme”, thotë z. Goci.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.