Rritja e parasë jashtë bankave duket se është stabilizuar përfundimisht dhe ka arritur nivelet e para pandemisë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të këtij viti, norma vjetore e rritjes së parasë jashtë bankave ishte mesatarisht 5.4%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja e parasë jashtë bankave me bazë vjetore kishte arritur nivelin 19.2%.
Rritja e parasë jashtë bankave arriti nivelet maksimale në fillim të vitit të kaluar, me një ndryshim vjetor që arriti një nivel maksimal prej 19.6%.
Por, pas tremujorit të parë 2021, kurba e rritjes nisi të binte gradualisht, edhe për shkak të shuarjes së efektit të bazës krahasuese me periudhën para pandemisë. Rritja e parasë jashtë bankave pas pandemisë erdhi pjesërisht nga pasiguria që pandemia krijoi tek agjentët ekonomikë, por edhe nga zgjerimi i shpejtë i ofertës monetare nga Banka e Shqipërisë. P
ër të shmangur çdo shqetësim të lidhur me mungesën e likuiditetit, Banka e Shqipërisë iu dha bankave tregtare akses pa limit në financime afatshkurtra. Kjo ndikoi edhe në rritje e të gjithë agregatëve monetarë në monedhën vendase.
Rritja vjetore e agregatit M2, që përfaqëson ofertën monetare në lekë, ka një kurbë të ngjashme. Kjo rritje preku nivelet më të larta në fund të vitit 2020 dhe fillimin e vitit 2021. Trajektorja e rritjes së parasë jashtë bankave është e ngjashme me rritjen e agregatit M2, çka tregon që shtimi i parasë jashtë sektorit bankar ka ndjekur rritjen e ofertës së lekut në përgjithësi.
Për tremujorin e parë, agregati M2 madje ka shënuar një rritje mesatare me 5.6%, normë kjo lehtësisht më e lartë se rritja me 5.4% e parasë jashtë bankave. Kjo tregon një tendencë për rritje më të shpejtë të llogarive dhe depozitave në lekë, në raport me rritjen e parasë jashtë bankave.
Depozitat bankare vazhdojnë të rriten me bazë vjetore, megjithë një frenim gjatë muajve shkurt dhe mars, të shprehur sidomos tek depozitat në lekë. Llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në fund të marsit shënuan një rritje vjetore me 10.9%, ndërkohë që depozitat me afat vazhdojnë të jenë në rënie, me 4.6% më pak krahasuar me një vit më parë.
Për shkak të normave të ulëta historike të interesit, në vitet e fundit depozituesit nuk kanë pasur shumë stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita me afat dhe i kanë zhvendosur kryesisht drejt llogarive të hapura. Ndërkohë, depozitat në valutë të huaj vazhdojnë të ruajnë norma të larta rritjeje.
Në fund të muajit mars, rritja vjetore e tyre arriti në 13.9%. Njëlloj si me lekun, edhe fondet në valutë e kryesisht në Euro janë kryesisht të orientuara drejt llogarive rrjedhëse dhe depozitave pa afat.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars total i depozitave bankare arriti në 1.44 trilionë Lekë, në rritje vjetore me 10.7%./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.