Rritja e pragut të TVSH-së, çon përjashtimet tatimore në 5,4% të PBB-së

28/10/2020 11:00 PM 0 komente

Përjashtimet tatimore të tilla, si diferencimi i TVSH-së akcizës dhe Tatim Fitimit për disa sektorë e çojnë vlerën e taksave të munguara në buxhet në 1,7 miliardë lekë ose sa 5.4% PBB-së, sipas parashikimeve në projektbuxhetin 2021.

Taksat e munguara në buxhet nga përjashtimet tatimore do të rriten vitin që vjen për shkak të hyrjes në fuqi të zerimit të Tatimit mbi Fitimin për biznesin e madh me xhiro 8-14 milionë lekë. Ky ndryshim parashikohet të sjellë një efekt në buxhetin e shtetit prej -0.3 miliardë lekë.

Gjithashtu nga 1 janari hyn në fuqi rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë në 10 milionë. Pra bizneset me të ardhura deri në 10 milionë lekë, nuk do të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ky ndryshim parashikohet të sjellë një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej 3 – 4 miliardë lekë.

Përjashtimet tatimore, apo “tax expenditures” konsiderohen humbje nga të ardhurat fiskale të parashikuara në legjislacionin fiskal në fuqi, si rezultat i lehtësirave fiskale ose normave preferenciale të vendosura për kategori të caktuara tatimpaguesish ose aktivitetesh.

Pjesa më e madhe e përjashtimeve tatimore i takon Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Për vitin 2021 përjashtimet nga TVSH-ja zënë një vlerë prej 91 miliardë lekësh ose 5.3 % e PBB-së.

Përjashtimet nga akciza janë 1,28 miliardë lekë ose 0,07% e PBB-së, ndërsa përjashtimet nga Tatimi mbi Fitimin zënë 653 milion lekë ose 0,04% e PBB-së.

Përjashtimet tatimore, bashkë me kontratat koncesionare të Partneritetit Publik Privat (PPP) janë konsideruar si një nga rreziqet më të mëdha fiskale që i kanosen stabilitetit fiskal.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar heqjen e përjashtimeve tatimore në rishikimin e post-programit me Shqipërinë. Përjashtimet tatimore veç të tjerash krijojnë hapësira të reja për evazion fiskal, kështu që humbjet në të ardhura pas çdo përjashtimi janë edhe më të mëdha.

Shqipëria ka ende një administratë të brishtë fiskale të aftë për të kontrolluar dhe penguar abuzimet me përjashtimet tatimore. Ndaj Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon që Shqipëria të aplikojë një sistem të thjeshte taksash pa pragje dhe përjashtime, skemë e cila do të lehtësonte barrën si për bizneset ashtu edhe për administratën fiskale./B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of