Rritja e rasteve me COVID-19, Qeveria e Gastronomët në “luftë” për fajtorët

15/10/2020 12:00 PM 0 komente

Ditëve të fundit në Kosovë ka filluar të rritet numri i rasteve me COVID-19. E Qeveria e Kosovës po pretendon se fajet për këtë i kanë lokalët dhe kafenetë. Gastronomët kanë reaguar duke thënë se, kjo shton presionin direkt në punën dhe veprimtarinë e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se sektori i gastronomisë është njëri nga shkaktarët e rritjes së rasteve me COVID-19, gjatë dy javëve të fundit.

Hoti  ka thënë se është e papërgjegjshme nga ana e institucioneve që të moskujdesen për mirëmbajtjen e plotë të masave të vendosura.

“Në bazë të vlerësimit të burimeve të infektimeve edhe të rritjes së rasteve se kush po e shkakton këtë rritje gjatë dy javëve, është shqetësuese se kur gjurmohen se nga po vijnë ato, po del se vijnë nga gastronomia edhe nga institucionet. Është e papranueshme dhe e papërgjegjshme nga ana e institucioneve që të mos kujdesen për një mirëmbajtje të plotë të masave”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, nëse vazhdon rritja e numrit të rasteve, atëherë do të merren masa më ekstreme.

“Rreziku është real që ne për dy deri në tri javë të kemi të njëjtën gjendje që po kalojnë shumica e vendeve të BE-së. Në regjion kemi filluar të rrethohemi prej vendeve me numër shumë të lartë të të prekurve, te ne sapo ka filluar të rritet numri. Rreziku është real që pas dy tri javëve nëse shkon me këtë trend ne do të detyrohemi të marrim masa më ekstreme”.

Pas deklarimit të kryeministrit Hoti se gastronomët janë njëri nga shkaktarët e rritjes së rasteve, këta të fundit kanë reaguar duke thënë se, kjo shton presionin direkt në punën dhe veprimtarinë e tyre.

“Duke marrë parasysh që sektori i gastronomisë është një prej sektorëve më vital të Republikës së Kosovës, aludimi në faktor të rritjes së shpërthimit të infeksioneve të reja me COVID-19, shton presion direkt në punën dhe veprimtarinë e gastronomëve”, thuhet në reagimin e tyre.

Shoqata e Gastronomëve thotë se duhet diskutohet në gjetjen e faktorëve së rritjes së rasteve, e jo të lëshohen deklarata të tilla.

“Çështje si e tillë, duhet të diskutohet dhe të gjenden faktorët e saktë të rritjes së rasteve, marrë për bazë paralajmërimet e ekspertëve të epidemiologjisë për valën e re të pandemisë nga muaj më parë, e jo të lëshojmë sinjale që masat duhet të shtrëngohen, gjë e cila me shumë gjasë aludon edhe për neve”, përfundon reagimi.

Aktualisht në Kosovë, numri i rasteve aktive me COVID-19 është 1,315, kur numri i atyre që kanë humbur jetën nga ky virus është 650.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of