Shoqata italiane e mjekëve dhe kirurgëve ka bërë thirrje për një bllokim kombëtar pasi vendi po përballet me një rritje të rasteve me Covid-19, shtrimeve në spitale dhe pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv.
Nëse trendi vazhdon, Italia do të regjistrojë edhe 10 mijë vdekje të tjera në një muaj, tha të Dielën presidenti i shoqatës Filippo Anelli, duke paralajmëruar se të dhënat e javës së kaluar “nuk na bëjnë të parashikojmë ndonjë gjë të mirë”.
“Mesatarisht javën e kaluar kemi regjistruar 1000 pacientë të shtruar në ditë, 110 në kujdesin intensiv, 25 mijë të izoluar në shtëpi dhe mbi 300 vdekje në ditë”, tha Anelli.
Në një muaj, nëse kjo tendencë do të mbetet e pandryshuar, ne do të kemi edhe 10 mijë vdekje të tjera dhe do të tejkalojmë pragun e 5,000 shtretërve në kujdesin intensiv”, shtoi ai.
“Skenari që qëndron përpara është dramatik, jo vetëm për trajtimin e pacientëve me Covid por mbi të gjitha për trajtimin e të gjithë pacientëve që kanë sëmundje të tjera.”
Italia është tashmë në një shtetrrethim nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit në mbarë vendin, me bare dhe restorante që mbyllen në orën 6 të pasdites, ndërsa zona të caktuara përballen me kufizime më të ashpra.
Banorët në rajonet e “zonës së kuqe”, si Lombardia, Piemonte, Valle d’Aosta dhe Kalabria, lejohen të dalin nga shtëpia vetëm për nevojat, shëndetin ose punën. Ata që janë në “zonat portokalli” janë të ndaluar të lënë qytetet e tyre përveçse për arsye pune ose shëndetësore.
Anelli tha më tej “nevojiten masa drastike, të tilla si një bllokim total”, për të shmangur mbingarkimin e spitaleve në fund të dhjetorit, e në fillim të janarit, me pacientë me Covid-19 dhe ata me grip.
Italia regjistroi 32,616 raste të reja ditore me Covid-19 dhe 331 vdekje një ditë më parë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë./CNN