Rritja e rrjeteve sociale nuk ndalet. Në 2023 do të arrijnë në 6.5 mld përdorues

29/06/2021 5:54 PM 0 komente

Bumi si pasojë e pandemisë, nuk ndalet. Në podium qëndron Facebook, YouTube dhe Instagram. Por komuniteti i fotove rritet më shumë ndër të gjithë. Në tre vjet do të kalojë kufirin e 1 miliard përdoruesve

 

Bumi i përdorimit të rrjeteve sociale, vitin e kaluar, në mes të pandemisë, nuk do të ndalet me rikthimin gradual të normalitetit të ri. Në vitin 2023, Facebook, YouTube dhe Instagram do të arrijnë në total, 6.5 miliardë përdorues. Sipas një analize të publikuar nga StockApps.com, duke u mbështetur te të dhënat e Statista, që këtë vit, tre kolosët e rrjeteve sociale do të arrijnë 5.7 miliardë përdorues. Në dy vitet e ardhshme, do të shtohen edhe 800 milionë të tjerë.

Facebook, numri një. Gjysma e përdoruesve, në Azi

Facebook do të mbetet platforma e parë e rrjeteve sociale në botë. Në 2019, numëronte 2.1 miliardë përdorues. Në vitin 2020, me lockdown që nxiti më shumë njerëz të ruanin lidhjet nëpërmjet instrumenteve dixhitale, numri i përdoruesve arriti thuajse 2.3 miliardë. Vlerësimet e analistëve flasin për një rritje 2.4 miliardë përdorues në 2021 dhe 2.63 miliardë në vitin 2023.

Kjo është një rritje e fortë, por jo e bujshme, për një rrjet social, i cili lufton për të rritur numrin e përdoruesve me ritme eksponenciale dhe përpiqet ta rrisë audiencën, duke pasuruar gjithnjë e më shumë shërbimet e konsumatorit dhe biznesit. Kontinenti me më shumë përdorues të Facebook është Azia (1,1 miliardë abonentë, numri i tyre do të rritet në 1,24 miliardë në 2023). Amerika dhe Europa e ndjekin në distancë, me përkatësisht 665 milionë dhe 385 milionë përdorues këtë vit.

YouTube pushton Indinë, rrjeti social i dytë më i përdorur

Rritja është më e fortë për YouTube, që në 2020 numëronte 2.1 miliardë përdorues në botë. India ka numrin më të madh të përdoruesve (373 milionë në 2020). Renditja vijon me SHBA dhe Brazilin, me përkatësisht 205 dhe 145 milionë përdorues. Statista parashikon për platformën e “video-social” Google 2.24 miliardë përdorues në vitin 2021 dhe 2.56 miliardë në 2023 (+15% në dy vjet).

Instagram rritet më shumë nga të gjithë

Por rrjeti social që lë pas të gjithë të mëdhenjtë për rritjen e numrit të përdoruesve është Instagram, aplikacioni i fotove dhe videove, pjesë e kompanisë Facebook. Vitin e kaluar, Instagram arriti 926 milionë përdorues, 140 milionë më shumë krahasuar me 2019. Ndër të tjera, duke u mbështetur te të dhënat e Sensor Tower, në vitin 2020, Instagram ishte ndër pesë aplikacionet më të shkarkuara, si në App Store edhe në Google Play.

Në vitin 2021, numri i përdoruesve parashikohet të kapërcejë, për herë të parë, kufirin 1 miliard. Në vitin 2023, numri i personave që përdorin Instagram duhet të rritet me 23%, duke arritur në 1.3 miliardë në të gjithë botën.

/ Corriere Comunicazioni

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of