Cikli i ri i rritjes së tregut të pasurive të paluajtshme po tërheq në rritje kredinë bankare edhe atë të sigurimit të jetës.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto në tregun e sigurimit të jetës për katër muajt e parë të këtij viti u rritën 20% me bazë vjetore. Ashtu si tregu i sigurimeve të jo-jetës është i varur kryesisht nga sigurimet e detyrueshme motorike, tregu i jetës është edhe më shumë i varur nga sigurimi i jetës së huamarrësve. Ecuria e këtij produkti është përcaktuese në tendencat e tregut.
Statistikat e AMF tregojnë se numri i përgjithshëm i kontratave të sigurimit të jetës për periudhën janar-prill u rrit me 31%, ndërsa primet e shkruara bruto u rritën me 29%. Sigurimi i jetës së debitorit solli më shumë se 71% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të jetës për këtë periudhë, çka e ilustron qartë rëndësinë e këtij produkti për tregun. Pandemia e rrit edhe më shumë peshën e këtij produkti, për shkak të rënies së dukshme të biznesit në produktet e lidhura me udhëtimet e shtetasve, sidomos në sigurimin e aksidenteve dhe jetës në udhëtim.
Sigurimi i jetës së debitorit është pothuajse ekskluzivisht i lidhur me kreditë e dhëna nga sektori bankar. Nga pikëpamja formale, ky sigurim është vullnetar, por në praktikë ai është një produkt i detyrueshëm, me të cilin bankat ngarkojnë kredimarrësit. Ai është i lidhur sidomos në kredinë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët, megjithëse banka të veçanta mund të kërkojnë një sigurim të tillë edhe për kreditë konsumatore, kur ato prekin vlera të mëdha.
Vitin e kaluar, shoqëritë e sigurimit të jetës raportuan gjithsej rreth 62 mijë kontrata të sigurimit të jetës, për një vlerë totale prej 759 milionë lekësh ose rreth 6.2 milionë eurosh.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë treguan se për periudhën janar-prill, sektori bankar disbursoi rreth 10.5 miliardë lekë ose mbi 85 milionë euro kredi të reja për shtëpi. Krahasuar me një vit më parë, kredia për shtëpi është rritur me 61%, duke prekur njëkohësisht nivelin më të lartë në gjashtë vitet e fundit. Kontrata e sigurimit të jetës rinovohet çdo vit, deri në shlyerjen e plotë të detyrimit ndaj institucionit të huadhënies. Rritja e numrit të kontratave nënkupton një rritje paralele të kontratave të kredisë bankare të këtij lloji.
Një faktor që tërhtorazi e ndikon tregun e sigurimit të jetës është edhe rritja e çmimit të pronave. Me rritjen e çmimeve, individët po marrin hua në vlera mesatare më të larta për të përballuar blerjen e pronave. Rrjedhimisht, edhe shumat mbi të cilat sigurohet jeta është më e madhe, duke nxitur rritje të primeve të sigurimit të jetës. Për katër muajt e parë të këtij viti, tregu i sigurimit të jetës përbënte rreth 7.3% të tregut total të sigurimeve në Shqipëri, sipas primeve të shkruara bruto, nga rreth 6.9% që ishte pesha e tij një vit më parë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.