Flet Panajot Falo, Hotel George Voskopojë
Greqia është një nga dy shtetet ku shqiptarët kanë emigruar masivisht.
Panajot Falo, nga Voskopoja e Korçës, emigroi më shumë se 28 vite më parë në një ishull, duke ndërtuar aty jetën me bashkëshorten dhe dy fëmijët.
I rikthyer në vendlindje, duke rikonstruktuar shtëpinë e prindërve dhe duke e kthyer në një strukturë akomoduese, ai pohon për “Monitor” se nuk është penduar për këtë vendim.
Z. Falo e sheh si një mundësi të mirë investimin e bërë, duke parë rritjen e vazhdueshme të turistëve në Voskopojë dhe interesin si nga vendasit, edhe të huajt.
Ju vendosët të ktheheni nga emigrimi për të investuar në Shqipëri. Pse bëtë këtë zgjedhje dhe a mund të na thoni diçka më shumë për biznesin tuaj?
Pas 28 vitesh në Greqi, unë dhe bashkëshortja prej tre vjetësh jemi kthyer nga emigrimi.
Kemi jetuar dhe punuar në një ishull, Zakythnos që ka si industri kryesore turizmin. Jam angazhuar në restorant gjatë sezonit turistik, ndërsa në dimër punoja në ndërtim specifikisht punime guri.
Krijuam stabilitet në Greqi, madje fëmijët janë të integruar shumë mirë, megjithatë ne vendosëm të ktheheshim dhe të ndërtonim diçka tonën.
Jam voskopojar dhe duke pasur parasysh zhvillimin që ka marrë zona dhe interesin e turistëve, e kemi përshtatur banesën time dhe të prindërve në hotel dhe restorant.
Natyrisht kemi bërë ndryshime dhe investime, ku gjithsej janë shtatë dhoma për fjetje.
U bënë tre vite që jeni kthyer, madje kjo ka ndodhur pak a shumë njësoj me pandeminë, që nuk ka qenë një periudhë e lehtë. A i qëndroni ende vendimit që keni marrë për t’u kthyer apo jeni penduar?
Pavarësisht vështirësive që ka një biznes në hapat e parë, mendoj se e kemi përballuar mirë dhe nuk jam penduar që u ktheva në vendin tim.
Ka qenë vendimi i duhur, sepse shoh potencial në Voskopojë dhe mundësitë që ofron si një vend turistik nuk janë të pakta.
Kur vija këtu shihja që kishte turistë, gjallëri dhe në këndvështrimin tim ia vlente të investoje.
Dimri është një sezon shumë i mirë për Voskopojën, madje sezoni që lamë pas ishte shumë i mirë. Klientela është rritur nga viti në vit, ndërkohë që interesi nuk mungon as nga të huajt, edhe pse shqiptarët janë kryesorët për ne.
A është i gjithë investimi nga kursimet tuaja apo keni kërkuar edhe mbështetje financiare?
Janë të dyja bashkë, edhe kursimet tona të punës në emigrim, edhe një pjesë tjetër e kemi marrë kredi pranë bankave.
Sa anëtarë ka familja juaj dhe a jeni të gjithë të angazhuar në këtë biznes?
Ne jemi katër, por këtu jam vetëm me bashkëshorten. Djali për momentin studion për mjekësi në Angli, ndërsa vajza është pedagoge në Athinë në Universitetin Shtetëror.
Për ne si prindër kishte ardhur momenti të merrnim një vendim që, ose të qëndronim andej përgjithmonë, ose të shihnim të ndërtonim diçka tonën dhe vendosëm që të ktheheshim në shtëpinë tonë.
Në këtë biznes punojmë unë dhe bashkëshortja, por kemi edhe të punësuar.
A keni vështirësi në gjetjen e krahut të punës sikurse është bërë e zakonshme këto dy vitet e fundit?
Gjetja e njerëzve është një problem i madh. Unë këtë e has kur më duhet të gjej kamerierë, sepse në kuzhinë kam vënë re që nuk është problem, ka mundësi ta gjesh më lehtë. Shqipëria po kalon emigrimin, një proces që e kanë kaluar shumë vende.
E ka kaluar, për shembull, edhe Greqia në vitet ‘60-’70. Është e pamundur të ndalosh këtë largim.
Tani është bërë psikologjike që në emigrim fiton shumë, por ata që po ikin tani nuk e kanë të qartë se Europa nuk është më ajo e dikurshmja.
Në vitet ’90 ikej dhe nga një punë e thjeshtë, siç mund të jetë edhe larja e pjatave, merrje një pagë të mirë, e cila kurseje jo pak.
Sot, taksat dhe kosto e jetesës janë rritur shumë dhe nuk mund të kursesh para si dikur.
Po fëmijët tuaj si e shohin investimin dhe kthimin tuaj në Shqipëri?
Para se të bëja investimin, pyeta djalin edhe për atë sesi e mendon ai jetën dhe të ardhmen, pasi kjo është dhe pronë e tyre dhe më ka thënë shprehjen: Kurrë mos thuaj kurrë. Dhe ka shumë të drejtë.
Kur ika nga Shqipëria, isha 23 vjeç dhe thosha që nuk shkel më në atë vend. Por ja që kohët dhe mendimi ndryshon.
U ktheva e jam këtu. Ndoshta do të vijë dita që edhe ai të kthehet.
LEXONI EDHE:
Thirrja e origjinës; “Të rikthyerit” që po investojnë në vendlindje
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.