Rritja e turizmit në Bosnjë kënaq biznesin, por polarizon vendasit

03/09/2016 8:03 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Abdulah Al Sanousi shijon flladin dehës në apartamentin e resortit luksoz që ndodhet jashtë Sarajevës, apartament të cilin familja e tij e bleu për t’i shpëtuar të nxehtit përvëlues të Kuvajtit, duke u bërë kështu një prej mijëra blerësve të rinj të Gjirit, ku investimet e këtij të fundit polarizuan opinionin vendas.

Ata zbuluan Bosnjën malore, ku gjysma e popullsisë është myslimane, pas “Pranverës arabe”, e cila destabilizoi shumë destinacione tradicionale të pushimeve të tilla si Libia, Tunizia dhe Egjipti.
Ky trend ka rritur numrin e fluturimeve direkte, resorteve të reja dhe ka shënuar edhe fundin e kufizimeve të marrjes së vizave.
Agjentët e pasurive të patundshme dhe bizneseve vendase e kanë mirëpritur këtë rritje ekonomike. Por në një vend laik, ku shumica e myslimanëve konsumojnë alkool dhe veshin rroba të stilit europian, ndërtimi i një qendre me stil arab, ku nuk tregtohen pije alkoolike dhe ku burkën dhe veshjet tradicionale arabe mund t’i ndeshësh kudo është kthyer në shqetësim për një numër të madh vendasish.
“Njerëzit nga Lindja e Mesme vijnë këtu për shkak të natyrës dhe klimës së mirë, çmimeve shumë të lira për pronën dhe mallrave të tjera”, tha 28-vjeçari Sanousi, i cili punon në industrinë e medias në Kuvajt.
“Shumë myslimanë mendojnë se është një vend i mirë për ta, ata ndihen shumë rehat, njësoj si në vendin e tyre dhe me njerëzit e tyre, u shpreh ai në vendpushimin e rezorit të populluar kryesisht nga vizitorët e Gjirit. Ky rezort u ndërtua nga një investitor nga Kuvajti dhe u përurua vitin e kaluar.
Numri i vizitorëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe u rrit në 13.000 gjatë shtatë muajve të këtij viti nga 7,265 që ishte vitin e kaluar, sipas të dhënave të hoteleve nga departamenti i turizmit të Sarajevës. Në vitin 2010, numri i vizitorëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe ishte vetëm 65.
Bosnja nuk ka një autoritet kombëtar të turizmit dhe të dhënat mbi blerjet e tokës nuk janë të sakta në vendin ballkanik që ka një sistem të fragmentuar të qeverisë.
Sipas vlerësimeve jozyrtare, numri i turistëve arabë luhatet mes 50.000-60.000 në vit, dhe një e katërta e tyre kanë blerë prona.
Këta “mysafirë” kanë sjellë shuma të konsiderueshme, tejet të nevojshme në ekonomi, e cila nuk e ka marrë veten që pas viteve 1990.
Por shumë myslimanë vendas, të cilët ritet fetare të lutjes i kryejnë vetëm në xhami apo në shtëpitë e tyre, u shokuan kur një grup njerëzish arabë të veshur me rrobat tradicionale filluan të luteshin në ambientet e jashtme publike të një resorti pranë Sarajevës vitin e kaluar.
Të tjerë kanë pasur rezerva në lidhje me mostregtimin e pijeve alkoolike dhe mishit të derrit në qendrën tregtare të ndërtuar prej tyre.
“Unë nuk jam e kënaqur me ardhjen e tyre këtu, – tha Amina, një farmaciste myslimane nga Sarajeva, rreth të 50-ave. – Jam e shqetësuar se çfarë ndikimi mund të kenë ata mbi fëmijët tanë, nëse vendosen përgjithmonë në vendin tonë.

Ekuilibri delikat
Shumë boshnjakë i kujtojnë mjaft mirë luftëtarët arabë që erdhën gjatë viteve 1992-1995, të cilët iu bashkuan myslimanëve të Bosnjës kundër serbëve dhe kroatëve, duke sjellë me vete një formë më të rreptë të Islamit, e cila u përqafua nga ndjekës të shumtë, disa prej të cilëve shkuan për të luftuar në Siri dhe Irak për Shtetin Islamik.
Në fund të luftës, disa restorante dhe kafene në pjesën otomane të qytetit të vjetër nuk shërbenin më alkool dhe mish derri dhe banorët e tanishëm thonë që edhe gjatë ditëve të sotme, ato dy produkte nuk janë më pjesë e menyve.
Esad Durakovic, një profesor i studimeve arabe në Universitetin e Sarajevës, shkroi në një editorial për portalin e lajmeve Depo javën e kaluar se blerjet e pronave nga vizitorët e Gjirit mund të dëmtojnë ekuilibrin fetar delikat në Bosnjë.
“Kjo nuk ka të bëjë me turistët e përkohshëm që vijnë e ikin, por me ata që do të jetojnë në shtëpitë e tyre”,- tha ai, duke thënë se ajo mund të nxisë dëshirën për ndarje në mesin e disa serbëve të Bosnjës.
Agjentët e udhëtimit dhe ata të pasurive të paluajtshme janë kundër një arsyetimi të tillë duke mbrojtur idetë e tyre se ata duhet të mirëpriten në vend duke qenë se janë një burim mjaft i mirë të ardhurash, gjë kjo që ndikon në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Nuk po arrij të kuptoj se përse kaq shumë njerëz po ngrenë dyshime të kota në lidhje me investimet arabe, në vend që të përfitojnë prej tyre …dhe kjo është një gjë me të vërtetë e trishtë, u shpreh Abdelal Mustafa, menaxher i përgjithshëm i burimeve njerëzore në një agjenci udhëtimesh.
Ata duan që shteti të përmirësojë legjislacionin për të inkurajuar ardhjen e sa më shumë vizitorëve dhe investitorëve në Bosnjë.
“Legalizimi bllokon një shumë të madhe parash”, – tha Tariq Burjaq, drejtor ekzekutiv i kompanisë së pasurive të patundshme “Kuvajtit Rawasi”, e cila po ndërton një kompleks me vlerë 25 milionë euro në rrënjët e malit Igman, afër Sarajevës, me rreth 246 shtëpi banimi.
Mirsada Gostevcic, i cili shet mjaltë dhe lëng manaferrash në një resort pranë Sarajevës, ku familja Sanousi ka një pronë të sajën, nuk e kupton gjithë këtë bujë të krijuar më kot nga njerëzit. Për mua nuk përbën asnjë problem nëse arabët vijnë në vendin tonë dhe nuk e kuptoj se përse një pjesë e madhe e njerëzve shqetësohen në lidhje me këtë gjë, shprehet ai. Ne jetojmë në një vend ku jeta e përditshme ka vështirësitë e saj dhe prandaj ne po i shikojmë të gjitha mundësitë për të ecur përpara dhe për të fituar sa më shumë para. Ai gjithashtu tha se vizitorët e Gjirit krijojnë edhe stenda dyqanesh ku fermerët vendas shesin prodhimet e tyre./Reuters

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of