Flet Zak Topuzi, Shoqata e Hotelierëve
Shqipëria u deklarua si një vend COVID-Free duke hapur dyert për çdo turist që donte ta vizitonte gjatë 2021-shit çka rezultoi me një rritje të vizitorëve përtej pritshmërive. Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelierëve shprehet se ecuria pozitive së bashku me ngërçet që u shfaqën duhet t’i shërbejë si mësim Shqipërisë për të marrë masa për vazhdimin.
Tashme kemi lënë pas sezonin turistik veror dhe mund të bëjmë një bilanc për ecurinë e tij. Në këndvështrimin tuaj, cilat janë disa elemente që u vunë re në këtë sezon në aspektin e turistëve që na vizituan, ofertës së Shqipërisë si COVID-free, shërbimit që u ofrua nga strukturat për turistet?
Shifrat zyrtare flasin për një rikuperim të ndjeshëm të industrisë turistike. Rreth 4.380.000 turistë të huaj vizituan vendin nga janari në gusht 2021, ose 10% më pak krahasuar me vitin 2019, i konsideruar si viti më i mirë. Shtatori po shënon sërish shifra rekord ardhjesh duke u ndihmuar dhe nga kushtet e mira të motit.
Lëvizjet më të mëdha u regjistruan në muajt korrik-gusht, me rreth 61% të hyrjeve totale duke përcaktuar si faktor kryesor turizmin e detit dhe rërës. Shifrat tregojnë se 65% e turistëve që erdhën në Shqipëri, i përkasin turizmit rajonal dhe atij patriotik.
Peshën kryesore e ka mbajtur përsëri Kosova me rreth 50% të numrit të turistëve. Turistët gjermanë, polakë, malazezë, italianë dhe ata nga SHBA rigjetën Shqipërinë si destinacion dhe numri i tyre po u afrohet shifrave të vitit 2019 me rreth 15-20% më pak. Rënien më të madhe (rreth 3 herë) e kanë shënuar turistët nga Greqia, për shkak të bllokimit të lëvizjeve drejt kufirit shqiptar. Si përfundim, mund të themi se ka qenë një vit i suksesshëm përtej pritshmërive. Turizmi ndihmoi edhe sektorë të tjerë në rimëkëmbjen e tyre në këtë vit të vështirë.
Shqipëria vazhdon të përfitojë nga trendi i turizmit gjatë pandemisë, “lëvizje të shkurtra, prioritet transporti rrugor” duke arritur rekord. Në rrugë tokësore kanë hyrë rreth 82% e të gjithë turistëve që vizituan vendin gjatë janar – gusht 2021.
Arsyeja kryesore që ka nxitur rritjen e numrit të turistëve të huaj, lidhet me faktin që Shqipëria aplikoi një politikë të dyerve të hapura “Covid Free” gjatë vitit 2021 për të gjithë ata që donin ta vizitonin, ndërkohë që bota u mbyll dhe vendet e BE vendosën rregulla shtesë për hyrjet apo daljet në vendet e tyre duke kaluar deri në masa ekstreme si karantinim të detyrueshëm në kthim.
Pasaporta e vaksinimit nuk u mbështet nga të gjithë vendet e BE, madje kërkohej e shoqëruar me testin anti-Covid i cili duhet të bëhej në ardhje, kthim në disa raste dhe gjatë tranzitit.
Duke shfrytëzuar numrin e ulët të infektimeve në vend u bë i mundur lejimi i lëvizjes së lirë në të gjitha ambientet e mbyllura të shërbimeve pa maskë. Kjo e ktheu Shqipërinë më tërheqëse për të gjithë ata që ishin kundër mbylljeve dhe vaksinimit dhe donin të shijonin lirinë nga rregullat anti-Covid. Përveç mbylljes së aktivitetit pas orës 24:00, nuk ka pasur masa të rëndësishme kufizuese që pengonin turizmin.
Turizmi është një industri komplekse ku shërbimi, standardet dhe produktet turistike, sot janë vendimtare. Nuk mjafton vetëm deti, rëra apo natyra dhe një hotel me çarçafë të pastër. Plotësimi i një game shërbimesh sot janë domosdoshmëri. Vitet e fundit kemi një numër të madh hotelesh cilësore në bregdet, që janë ndërtuar, rikonstruktuar apo janë në proces.
Plotësimi i produktit turistik me pishina, SPA, kënde lojërash, mini-fusha, Beach Bar, sporte ujore, udhëtime me anije apo skafe, etj., dhanë një rezultat të menjëhershëm. Mungesa e kapaciteteve akomoduese, ishte e dukshme. Shqipëria nuk mundi ta përballojë fluksin e madh të turistëve të ardhur nga e gjithë bota. Kaosi nga bllokimet e rrugëve ishte i dukshëm.
Cilat janë mësimet që duhet të marrim nga ky sezon të cilat duhet të përmirësohen në vitin tjetër si për sa i takon sipërmarrjes ashtu edhe qeverisë?
Janë disa mësime që duhen marrim nga ndryshimet dhe trendi i ri i turizmit në botë por edhe përvoja e fqinjëve tanë.
- Mbeturinat ngado dhe ujërat e ndotura që derdhen në det duhet të jenë një histori e shkuar. Menaxhimi me struktura të financuara me fonde të veçanta nga Qeveria, pavarësisht situatës ekonomike të Bashkive, është “emergjencë kombëtare”. Qeveria nuk mund të fshihet pas gishtit. Janë bërë investime kolosale në pastrimin e ujërave të ndotura që duhet të japin efektin e duhur.
- Cilësia e dobët e transportit publik, sot, shumë shqetësues për turistin e huaj, por dhe atë vendas. Përmirësimi rrugor kërkon dhe një qasje të re ndaj këtij shërbimi. Kjo duhet të fillojë që tani me shembull Tiranën. Turisti nuk mund ta konceptojë Tiranën pa një skemë të lëvizjes së autobusëve dhe emërtim me numra të stacioneve në smartphone.
- Vendi u gjet i papërgatitur për kontingjentin e madh të turistëve të ardhur nga vendet arabe nëpërmjet korridoreve ajrore, Dubai, Arabi Saudite, Egjipt për arsye të kërkesave specifike që këta turistë duan (në restorante apo shërbime specifike në dhomë, etj.).
- Mobilizimi i Bashkive (jo vetëm bregdetare) ndaj detyrës kryesore, sigurimin e së gjithë gamës së shërbimeve për bizneset e fushës së turizmit. Dhënia me vonesë e stacioneve të plazhit solli mjaft probleme. Kontrollet e plotësimit të standardeve nuk gjeti zbatim. Vetë bashkitë nuk plotësuan kushtet minimale në stacionet e plazheve publike, e si mund t’i kërkosh privatit kur nuk je vetë në rregull.
- Mungesa e stafeve të kualifikuara dhe trajnuara ishte një shqetësim për të gjithë industrinë e turizmit, në këtë sezon të shkurtër dhe agresiv. Pandemia ka sjellë ndryshime esenciale në mënyrën e zhvillimit të bizneseve të turizmit, duke detyruar shumë punonjës të ndryshojnë profesion ose të emigrojnë (nga mbyllja e izolimi i gjatë). Por ky ishte një shqetësim global. Ekspertët botërorë po analizojnë shkaqet. Në horizont duket një krizë e re: “Rritja e kostove dhe shtrenjtimi i shërbimeve në Hotele, Bare dhe Restorante, do të jetë i pashmangshëm”.
Pas Durrësit që para vitesh është në krye të frekuentimit nga turistët duket se kemi një rizgjim të interesit edhe për Sarandën. Cilat mendoni se janë arsyet për këtë tendencë? Cili është modeli që po ofron Saranda dhe Ksamili që ka marrë vëmendje?
Saranda dhe Ksamili është poli i ri i turizmit shqiptar, të cilët janë zhvilluar dukshëm pesë vitet e fundit. Kemi rreth 700 njësi akomoduese që shesin online nëpërmjet motorëve të shitjes ndërkombëtare, duke filluar nga hotele me pesë yje e deri apartamente, duke përbëre një kapacitet të madh për një zonë me plazhe të kufizuara. Janë rreth 250 hotele të ndërtuar dhe rikonstruktuar që ofrojnë standarde mjaft të larta për raportin cilësi/çmim. Konkurrenca ka bërë të mundur përfundimet e këtyre investimeve cilësore në qytet (të mbetur pa përfunduar me vite).
Rikonstruksioni i shëtitores, përfundimi i rrugës hyrëse dhe unazës, përmirësimi i furnizimit me ujë dhe eliminimi i derdhjeve të ujërave të ndotura në det, por dhe shtimi i shërbimeve si shëtitjeve me anije e skafe, sporte ujore, lidhja me Korfuzin me mjete të shpejta katamaran, etj, rritën dukshëm produktet turistike dhe ia shtuan vlerat Sarandës, që gjithsesi mbetet një nga perlat e Shqipërisë.
Si ishte Shqipëria në raport me vendet e rajonit në këtë sezon?
Europa nuk mundi të dalë nga ngërçi i krijuar në dy vitet e fundit me gjithë fushatën e vaksinimit të popullsisë. Vendet e BE-së krijuan pengesa artificiale me qëllimin e vetëm të pengojnë daljen e valutës jashtë vendit dhe rritjes së turizmit të brendshëm. Rajoni po zhvillohet në një konkurrencë të fortë, duke shfaqur një qasje të re ndaj tregut. Greqia u mundua të përfitonte nga hapja në muajt korrik e gusht, duke arritur deri 78% të numrit të turistëve të vitit 2019.
Diferenca u krijua nga numri më i ulët me rreth 20,3% të turistëve nga vendet jo-europianë që vizituan vendin. Spanja gjithashtu, si vendi i dytë në botë për nga numri turistëve nuk arriti të rikuperojë humbjet. “Pasaporta ‘Covid’ e krijuar nga BE ishte një dështim. Besimi i pritur që një dokument i vetëm do të siguronte udhëtimet midis vendeve të BE-së nuk është arritur.
Përkundrazi, secili vend ka vendosur rregullat e veta, gjë që ka shkaktuar shumë pasiguri dhe na ka dëmtuar ndjeshëm”, – thotë Carlos Abella, Sekretar i Përgjithshëm i Mesa del Turismo, bordi turistik i Spanjës. Shqipëria arriti nivelin më të lartë të rikuperimit të industrisë turizmit krahasuar me të gjithë vendet e rajonit.
Si e prisni të jetë turizmi në vitin 2022 në përgjithësi, tendencat që priten globalisht dhe fokusi nga objektivat që mund të vendosin vendet si Shqipëria?
Pandemia COVID-19 ka rihapur debatin se si duhet të jenë destinacionet e udhëtimit në të ardhmen, pra Turizmi pas 2022. Ndërsa në shekullin e 19-të pandemitë e murtajës dhe kolerës çuan në zgjerimin e rrugëve, ekspertët besojnë se kriza aktuale shëndetësore do të rezultojë në një angazhim më të fortë për mjedisin dhe këmbësorizimin e qyteteve.
Trendi më i ri është rikuperimi i hapësirës për këmbësorët. Qyteti “Antropocentrik”, njerëzor ose i ecshëm, duke promovuar si thelbësore që qytetarët dhe turistët të kenë hapësira për të ecur. Një qytet i ecshëm dhe i gjelbër përmirëson shëndetin e atyre që ecin nëpër rrugët e tij duke shmangur një mënyrë jetese ulur, duke ulur ndotjen dhe duke kufizuar hapësirën për makinat.
Për shembull, Pontevedra në Spanjë dallon për revolucionin në këtë drejtim: 70% e udhëtimeve në qytet bëhen në këmbë ose biçikletë, nuk ka më parkim të rregulluar, por hapësira parkimi falas vetëm për 15 minuta.
Koncepti i ecshëm është një nga elementët kryesorë të një qyteti kompakt, i cili kërkon të zvogëlojë nevojën e vizitorit për të përdorur automjete private. Ndërkohë, një qytet i afërt është në kontrast me modelin tradicional të një qyteti të shpërndarë, ku turisti duhet të përshkojë distanca të gjata.
Një qytet kompakt dhe i afërt i vendos turistin në qendër, dhe të gjitha nevojat e tyre duhet të jenë brenda një hapi larg: muzeu, teatri, restoranti, hoteli, bari, dyqanet. Ky koncept e ndihmon turistin i cili tani është në gjendje të zbulojë destinacionin duke vizituar lagjet përtej qendrës historike. Në të njëjtën kohë, ky angazhim për një qytet të afërt bën të mundur hapjen e hoteleve dhe akomodimit të të gjitha llojeve, pasi do të jetë shumë më komode për t’u zbuluar.
Tirana është një qytet që ka përqafuar fort këto risi. Ky trend do të rite numrin e turisteve që duan të vizitojnë këto qytete miqësore. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa seriozë për një strategji afatmesme dhe afatgjatë për të përcaktuar llojin e turizmit në Shqipëri në bazë të koncepteve të reja.
Nuk ka një situatë të qartë se si do të jenë zhvillimet deri në fund të vitit. Një gjë është e qartë: BE nuk pranon të mbyllet përsëri pasi dëmet do të ishin të pariparushme. Po tentohet drejt vaksinimit total (ndoshta dhe më dozën e tretë) dhe hapjes graduale të aktiviteteve masive në vende të hapura por dhe të mbyllura, duke përdorur si masë parandaluese, Pasport Covid free. Parashikimet e vitit 2022 janë për një kthim në normalitet të të gjithë sektorëve të Industrisë Turizmit e Udhëtimit, por pa arritur të ardhurat e vitit 2019
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.