Tregu dytësor me pakicë i Bonove dhe Obligacioneve të qeverisë shqiptare ka shënuar rritje në gjysmën e parë të këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se shitjet e këtyre instrumenteve para maturimit nga individët dhe subjektet juridike u rritën me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Volumi i përgjithshëm i shitjeve të këtyre insturmenteve para maturimit ka arritur në afërsisht 1.46 miliardë lekë ose 12.5 milionë Euro.
Rritja e ndjeshme e yield-eve, sidomos gjatë tremujorit të dytë të vitit, është reflektuar në edhe në zhvillimet e tregut dytësor të titujve qeveritarë. Me sa duket, individët dhe subjektet kanë reaguar ndaj zhvillimeve të tregut, duke shitur Bonot dhe Obligacionet ekzistuese, për të tentuar investimin në emetimet e reja që ofrojnë kthime ndjeshëm më të larta.
Volumi i transaksioneve dominohet nga shitjet para afatit të maturimit të individëve, që në gjashtë muaj arritën vlerën e 1.1 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 13%. Por, rritja më e lartë është shënuar në tregtimin e bizneseve, ku vlera e përgjithshme arriti në 355 milionë Lekë, në rritje me 718% krahasuar me një vit më parë.
Një tendencë të ngjashme këtë vit ka shënuar edhe shitja e titujve para maturimit nga portofoli I bankave. Për gjashtë muaj, vlera e këtyre transaksioneve arriti në gati 2.4 miliardë lekë, në rritje me 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjtihatë, në këtë segment rritja ka ardhur kryesisht nga një operacion i madh shitjeje i njërës prej bankave tregtare. Në muajin shkurt, Tirana Bank shiti para maturimit një portofol Obligacionesh prej më shumë se 1 miliardë Lekësh.
Në segmentin e individëve, blerjet e titujve nga bankat kanë rezultuar në rënie me 6% krahasuar me një vit më parë. Në kushtet e rritjes së yield-eve, individët kanë preferuar të rrisin më tej investimet në emetimet e reja të tregut primar, që sidomos pas muajit prill kanë ofruar kthime ndjeshëm më të larta.
Të dhënat e AMF tregojnë se për 6-mujorin blerjet e individëve në tregun primar arritën vlerën e 18.4 miliardë lekëve, në rritje me 92.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në një pjesë të madhe, kjo rritje lidhet edhe me mbylljen e shërbimit të investimit në Bono Thesari nga Banka e Shqipërisë, që nga fillimi i këtij viti. Individët dhe subjektet që investonin në Bono nëpërmjet bankës qendrore tashmë e marrin këtë shërbim nga ndërmjetësit e licencuar financiarë. Shërbimi i investimit në Bono dhe Obligacione Thesari ofrohet nga 10 shoqëri komisionere të licencuara nga AMF, të gjitha banka tregtare.
Tregu i shërbimit të investimit në ankande e Bonove dhe Obligacioneve dominohet nga Raiffeisen, me 41% të volumit të transaksioneve, e ndjekur nga Banka Kombëtare Tregtare me 24%. Pjesa e mbetur prej 35% ndahet mes tetë bankave të tjera tregtare që e ofrojnë këtë shërbim.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në mesin e këtij viti individët zotëronin rreth 17.7% të vlerës së përgjithshme të instrumenteve të borxhit të brendshëm ose rreth 120 miliardë Lekë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.