Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka aplikuar një rishpërndarje të ndjeshme të investimeve të rezervës valutore të vendit.
Statistikat tregojnë se gjatë 12 muajve, banka qendrore ka zhvendosur pjesën më të madhe të fondeve që mbaheshin në llogari dhe depozita drejt investimit në tituj.
Të dhënat tregojnë se në fund të muajit maj, vlera e zërit “monedha dhe depozita” në rezervën valutore kishte vlerën e 980 milionë Euro, në rënie me 43% krahasuar me një vit më parë. Pesha specifike e këtij zëri kundrejt vlerës totale të rezervës valutore ka rënë në 20%, nga pothuajse 44% që zinte një vit më parë.
Paralelisht, vlera e rezervës valutore e investuar në tituj financiarë ka arritur në 3.4 miliardë Euro, në rritje me 84% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pesha e portofolit të titujve kundrejt vlerës totale të mjeteve të rezervës valutore ka arritur në pothuajse 70%, nga 47% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Zhvendosja e ndjeshme drejt investimeve në tituj mund të ketë qëllim përmirësimin e kthimit nga rezerva valutore, në një periudhë kur normat e interesit të depozitave në monedhën europiane kanë qenë në nivelet më të ulëta historike.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar kthimi i rezervës valutore ra në -0.64%, nga niveli pozitiv prej 0.69% i vitit 2020.
Për sa i takon investimeve në tituj në portofolin në Euros, ato rezultuan me një normë negative interesi që varion nga -0.3 pikë bazë në -80 pikë bazë. Kontributi në kthim i monedhës USD dhe i monedhave të tjera të rezervës ishte gjithashtu kryesisht negativ, si rrjedhojë e rritjes së ndjeshme të normave të interesit, veçanërisht në fund të vitit, në përgjigje të rimëkëmbjes së ekonomive kryesore, rritjes së pritjeve inflacioniste dhe pritjeve për shtrëngim monetar nga bankat qendrore.
Rritja e yield-eve ka dhënë kontributin kryesor në vlerën negative të kthimit absolut të rezervës, por njëkohësisht ka krijuar edhe hapësira për realizimin e investimeve të reja të likuiditetit me normë më të lartë interesi. Pikërisht për shkak të rritjes së ndjeshme të yield-eve në tregjet ndërkombëtare gjatë këtij viti, duket se Banka e Shqipërisë po vijon gjatë vitit 2022 të rrisë investimet në emetime të reja të titujve.
Rregullorja “Për politikën dhe mënyrën e administrimit të rezervës valutore”, miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, bën edhe përcaktimin e qëllimeve për të cilat mbahet rezerva valutore. Si objektiva parësore të procesit të administrimit të rezervës janë përcaktuar likuiditeti dhe siguria. Sigurimi i të ardhurave nga administrimi i rezervës përfaqëson objektivin e tretë, për sa kohë nuk cenohen objektivat e likuiditetit dhe të sigurisë.
Këshilli Mbikëqyrës miraton gjithashtu parimet dhe kriteret cilësore për zhvillimin e aktivitetit të administrimit të rezervës valutore. Në zbatim të këtyre kritereve, Komiteti i Investimit miraton treguesit sasiorë dhe ndjek përmes raportimeve periodike vënien në zbatim të politikës së investimit, përveçse miraton edhe emrat e lejuar (emetuesit) në të cilët investohet rezerva valutore.
Këto emra përfshijnë qeveritë e SHBA-së, Japonisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Eurozonës, të cilat përgjithësisht janë të renditura të paktën A- (për qeveritë e Eurozonës renditja minimale e pranuar është BBB-).
Në emrat e lejuar për investim përfshihen dhe agjenci apo institucione të lidhura me qeveritë, institucione shumëpalëshe apo të tjera subjekte të renditura të paktën AA- (për banka/institucione të tjera financiare renditja minimale e pranuar është A-).
Në fund të muajit maj, stoku i rezervës valutore bruto është 4.86 miliardë euro, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.