Rritja ekonomike e Kinës është më e ulëta në gati tri dekadat e fundit

09/08/2019 10:00 PM 0 komente

Ekonomia e Kinës po ngadalësohet përsëri. Pas një fillimi të mbarë të vitit, rritja vjetore u zvogëlua në 6.2% në tremujorin e dytë të këtij viti, njëkohësisht edhe më e ulëta në gati tri dekadat e fundit, shkruan The Economist.

Kjo normë rritjeje nuk mund të shkaktojë kurrsesi panik në një ekonomi që tani vlen rreth 14 trilionë dollarë amerikanë, madje kjo normë rritjeje është mbresëlënëse.

Teksa lufta tregtare me Amerikën po dëmton rëndë eksportuesit, ajo thekson masën në të cilën ekonomia e Kinës mbështetet nga kërkesa e brendshme. Pyetja për muajt e ardhshëm është nëse forca brenda vendit do të jetë e mjaftueshme për të kompensuar trazirat tregtare. Imazhi i eksporteve është përkeqësuar në mënyrë të qartë. Vitin e kaluar, edhe pse Presidenti i Amerikës, Donald Trump, vendosi tarifat e para për Kinën, vendi arriti të rrisë eksportet e tij me 10%. Por këtë vit, situata e eksporteve kineze është krejtësisht ndryshe nga ajo e një viti më parë.

Në maj, z. Trump vendosi më shumë tarifa ndaj mallrave kineze dhe kërcënoi se do ta godasë Kinën me taksa të tjera nëse negociatorët e saj nuk i jepnin një zgjidhje situatës. Kina, nga ana e saj, duket e qetë, aspak e nxitur për të nënshkruar sa më shpejt të jetë e mundur një marrëveshje. Zhong Shan, ministri i ashpër i Tregtisë, iu bashkua së fundmi ekipit negociator kinez. Në komentet e publikuara së fundmi ai fajësoi Amerikën për luftën tregtare, duke e quajtur atë “një shembull klasik të unilateralizmit dhe proteksionizmit”.

Gatishmëria e Kinës për të mbajtur një qëndrim të palëkundur reflekton pjesërisht edhe besimin që ajo ka në ekonominë e saj. Aktiviteti u përshpejtua drejt fundit të tremujorit të dytë. Investimet në fabrika dhe në rrugë u rritën me 6.3% në qershor të këtij viti krahasuar me nivelin prej 4.3% të shënuar një vit më parë. Shitjet me pakicë shënuan rritje në 9.8% gjatë këtij viti, krahasuar me 8.6% një vit më parë.

Megjithatë, shumë analistë ekonomikë janë skeptikë të një rritjeje të tillë, sepse mendojnë se ajo do të jetë e përkohshme. Shitjet e makinave, të cilat kishin qenë në nivele të ulëta gjatë një viti më parë, shënuan rritje në qershor të këtij viti, duke nxitur shitjet me pakicë edhe më gjerësisht.

Por kjo ndodhi kryesisht për shkak se shitësit kishin ulur çmimet përpara se të vendoseshin standarde më të forta. Të pasigurt nga ajo që kjo luftë tregtare mund të shkaktojë, kompani të huaja kanë filluar t’i zhvendosin shumë prej operacioneve të tyre larg nga Kina. Qeveria ka filluar të shpenzojë më shumë mbi infrastrukturën, një metodë e provuar dhe e testuar edhe më parë në Kinë për të nxitur rritjen.

Në muajt e fundit, qeveria kineze ua ka bërë më të lehtë bashkive mbledhjen e fondeve për ndërtimin e hekurudhave dhe autostradave. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka deklaruar se mbajtja nën kontroll e rreziqeve financiare është një çështje që lidhet me sigurinë kombëtare. Por mundësitë për një tjetër stimul gjigant nga ana e qeverisë, rutinë e ndjekur edhe në të kaluarën, sa herë që rritja ngadalësohej, janë më të pakta kësaj here. Të gjithë ne duhet të mësohemi me faktin se ekonomia e Kinës po dobësohet, sepse edhe në muajt në vijim mundësitë që ne të ndeshemi me tituj të tillë janë të shumta.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of