Kombet e Bashkuara parashikojnë që ekonomia shqiptare të rritet me 3.8% për vitin 2017. Ky parashikim është pak a shumë në të njëjtën linjë me ato të bëra nga institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e muajit tetor.
Konkretisht Banka Botërore, parashikon që rritja e GDP-së të jetë 3.8% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar më pas në 3.6% në vitin 2018 dhe 3.5% në vitin 2019, kurse FMN në raportin e tetorit, uli me 0.4 pikë përqindje parashikimin për zgjerimin ekonomik të vendit vitin e ardhshëm, nga 4.1% në 3.7%.
Gjithsesi, Kombet e Bashkuara janë treguar më optimiste sesa Banka Botërore sa i përket rritjes së pritshme në dy vitet e ardhshme. Referuar të dhënave të siguruara nga Departamenti i Statistikës pranë këtij institucioni pritet që viti i ardhshëm të ketë një rritje prej 3.8%, kurse në vitin 2019 pritshmëria është për një rritje 3.7%.
Në raport me atë që pret qeveria për vitin 2017, duket se të gjithë janë afër me parashikimin kurse diferenca më të dukshme duken tek pritshmëria për 2018. Qeveria parashikon që vitin tjetër, rritja ekonomike të kapë nivelin 4.1% e nxitur kjo edhe nga mbështetja që pritet të jepet përmes investimeve madhore në infrastrukturë, pjesë e projektit “One Billion” i cili do të materializohet në këtë mandat.
Në komentet e tjera të përfshira në raport thuhet se “në vendet me monedha feksibël politikat e normave të interesit mbeten në një nivel rekord të ulët si në Shqipëri, falë edhe trendeve më të hershme disinflacioniste dhe politikës monetare lehtësuese të Bankës Qendrore Europiane.
“Konsumi privat po luan rol në rritje veçanërisht në Shqipëri ku punësimi dhe pagat janë rritur”, – thuhet në raport. Po kështu vlerësohet se ka një tendencë pozitive në përpjekjet për uljen e borxhit në dy prej ekonomive, ku pesha është dukshëm e madhe siç janë Serbia dhe Shqipëria.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.