Rritja ekonomike në rajonet e BERZH-it pritet të ngadalësohet gjatë këtij viti, dhe më pas të rikuperohet në 2020, gjatë së cilës shpresohet që edhe situata në Turqi të jetë stabilizuar dhe ajo t’i rikthehet territorit të saj pozitiv, pas një tkurrje që ka shënuar gjatë këtij viti.
Sipas BERZH, rritja mesatare e ekonomive të saj pritet të zvogëlohet në 2.3%, një ulje me 0.3 pikë përqindje në krahasim me parashikimin e nëntorit dhe një rënie edhe më e lartë në krahasim me nivelin prej 3.4% të vitit 2018. Sipas BERZH, 2020 pritet që të shënojnë rritje në 2.6%.
Raporti theksoi faktin se vendet e BERZH-it janë bërë më të ekspozuara ndaj goditjeve të jashtme, për shkak të integrimit më të madh në ekonominë globale, por në të njëjtën kohë, ato tani janë më mirë të pajisura në të gjitha drejtimet, për t’u bërë ballë goditjeve të tilla në krahasim me të
kaluarën.
Sipas BERZH, rritja ekonomike në 2019-n do të jetë e moderuar në pothuajse të gjitha rajonet e BERZH, me përjashtim të rajoneve të Mesdheut lindor dhe atij jugor.Në raport theksohet se një prej faktorëve kryesorë që ka ndikuar negativisht në këtë rënie, ka qenë edhe ngadalësimi i konsiderueshëm i tregtisë globale në fund të vitit 2018. Kërkesa brenda vendit ka qenë e lartë në shumicën e ekonomive, me përjashtim të Turqisë, ku kërkesa shënoi rënie drastike në gjysmën e dytë të vitit 2018. Rishikimi në rënie i parashikimeve të BERZH për ecurinë e ekonomisë, pasqyron kryesisht ngadalësimin e pritur në Turqi.
Sipas raportit, tkurrja ekonomike e pritshme e Turqisë gjatë 2019 do të shkojë në 1.0%. Zhvlerësimi i lirës dhe normat e larta të interesit do të vazhdojnë të ulin konsumin dhe investimet, edhe pse eksportet neto pritet që të kenë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Një rritje me rreth 2.5% pritet që të shënohet në vitin 2020. Ndikimet e ngadalësimit të mprehtë të ekonomisë së Turqisë në ekonomitë e rajoneve të BERZH do të jenë të kufizuara si pasojë e lidhjeve ekonomike relativisht modeste të tregtisë, investimeve ndërkufitare dhe të remitancave. Rritja në Europën Qendrore dhe në vendet baltike do të shënojë rënie nga 4.7% në 2018 në 3.8% në vitin 2019 dhe 3.2% në vitin 2020.
Rritja ekonomike pritet të ngadalësohet në Europën Juglindore, në rreth 3.0% në 2019 dhe 2020, nga 3.4% që ishte në 2018. Rritja në Rumani pritet të shkojë në 3.2% në 2019 dhe 2020, nga një rritje prej afërsisht 7% në 2017 dhe 4.1% në 2018, duke reflektuar një rritje të pritshme të riskut të investimeve, një politikë më të shtrënguar monetare dhe një rritje të pabarazive të jashtme.
Rimëkëmbja në Greqi pritet të vazhdojë, me një parashikim të rritjes prej 2.2% gjatë këtij viti, në krahasim me një rritje prej 1.9% gjatë vitit që lamë pas.
Në Europën Lindore dhe Kaukaz, rritja mesatare ka gjasa të bjerë nga 3.0% që ishte në 2018 në 2.8% në 2019. Në Ukrainë, si pasojë e ngadalësimit të marrëdhënieve me partnerët kryesorë tregtarë dhe paqartësive të brendshme politike për shkak të zgjedhjeve të dyfishta, rritja ekonomike pritet të ngadalësohet nga 3.3% që ishte në 2018, në 2.5% gjatë 2019.
Reformat dhe lehtësimi i politikës monetare pritet të mbështesin rritjen, me një rimëkëmbje në 3.0% gjatë vitit 2020. Rritja e Rusisë parashikohet të bjerë në 1.5% gjatë këtij viti, nga 2.3% që ishte një vit më parë, kryesisht për shkak të normave të larta të interesit, një rritjeje në normat e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe rritjes së inflacionit, të cilat kanë ndikuar në ulje të konsumit brenda vendit dhe në ulje të investimeve.
Edhe marrëveshja me OPEC-un, që parashikon uljen e eksporteve të naftës, mund të ndikojë negativisht në rritjen e mëtejshme të ekonomisë ruse. Një rimëkëmbje në ekonomi pritet të shënohet gjatë vitit 2020, e nxitur pjesërisht nga një plan ambicioz investimi i shpallur për periudhën 2019-2024.
Rritja në Azinë Qendrore parashikohet të ngadalësohet, nga 4.8% në 2018 në 4.4% në 2019 dhe 4.2% në vitin 2020, për shkak të një ngadalësimi në prodhimin minerar.
Ndërsa situata është krejtësisht ndryshe në vendet e rajonit të Mesdheut lindor dhe atij jugor, ku ekonomia parashikohet të shënojë një rritje nga 4.4% që ishte në 2018 në 4.6% gjatë këtij viti, e mbështetur kryesisht nga hartimi i reformave që synojnë përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe rritjen e investimeve vendase dhe të huaja. Rritja e fuqishme ekonomike në Egjipt pritet të vazhdojë, mbështetur nga rritja e qëndrueshme e numrit të turistëve dhe eksporteve, projekteve të rëndësishme publike në sektorin e ndërtimit, prodhimit më të lartë të gazit natyror dhe reformave të ndryshme.