Flet Elona Mema, CEO i SPAR Albania
Rrjeti i supermarketeve Spar njohu rritjen më të madhe gjatë 2017-s dhe për nga qarkullimi u rendit i dyti në treg. Sipas CEO-s së kompanisë, zgjerimi nuk erdhi si pasojë e rritjes së tregut, por si rezultat i politikave që ka ndjekur rrjeti Spar. Spar Albania filloi të operojë nën brand-in ndërkombëtar në Shqipëri në tetor të vitit 2016.
Spar Albania mban vendin e parë për vitin 2017 për sa i përket rritjes në qarkullimin vjetor. Si e shikoni tregun e shitjeve me pakicë në segmentin që ju përfaqësoni?
Konsumatori shqiptar është bërë gjithnjë e më i ndërgjegjshëm se duhet t’u drejtohet markave të mëdha, emrave të njohur, që garantojnë besimin, cilësinë dhe produkte të certifikuara me standarde të Bashkimit Europian. Spar është një markë ndërkombëtare, që e ka zanafillën në Holandë, e shtrirë në 48 shtete në të gjithë botën, market-leader në Austri dhe njëkohësisht është pritur shumë mirë në tregun tonë. Aktualisht, Spar operon në Shqipëri me tre formate dyqanesh: Hipermarket, supermarket dhe express.
Asortimenti i ofruar në të gjitha formatet, por kryesisht në Hipermarkete, është i plotë, duke plotësuar 100% nevojat dhe kërkesat e konsumatorëve. Sigurisht që diferencohemi nga tregu, nga produktet e importit nën emrin Despar dhe Spar, të cilat janë prodhime italiane dhe austriake, me çmime konkurruese dhe të përballueshme për të gjitha shtresat e konsumatorëve. Kemi një zinxhir të tërë procesesh, që kërkon investime të larta për kontrollin dhe marrjen në dorëzim, kushtet e magazinimit, ruajtjes dhe ekspozimit të produkteve vendase.
Gjatë 2017-s, të ardhurat e kompanisë njohën rritje me 65% krahasuar me një vit më parë. Si e shikoni rritjen e shitjeve të supermarketve Spar, si një zgjerim të tregut apo keni fituar terren nga kompanitë e tjera që operojnë në të njëjtin segment si ju?
Në Shqipëri nuk është e lehtë të krijosh emër të mirë, por më e vështirë është ta ruash atë pasi e ke krijuar. Ata që e arrijnë këtë, me siguri që do të kenë edhe përfitime më të mëdha. Rruga ka vështirësitë e saj, por duke qenë se Spar është pjesë e Grupit Balfin, grupi më i madh i investimeve në vend dhe më gjerë, automatikisht përgjegjësia jonë dhe përkushtimi ndaj klientit do të jetë në standardet më të larta profesionale. Rritja ka ardhur si në rrjetin ekzistues ashtu edhe nga hapjet e pikave të reja. Zgjerimi nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së tregut, pasi normat tona të rritjes janë shumëfish më të larta. Janë shtuar mekanizma të fortë shpërblimi për konsumatorët, ku vetëm brenda një viti janë dhuruar 4 apartamente në rezidenca shumë moderne dhe cilësore.
Cilat janë disa nga vështirësitë me të cilat përballeni dhe disa nga problematikat e tregut në Shqipëri?
Padyshim që përballemi me konkurrencën e pandershme dhe tregun informal. Janë të shumtë individët apo subjektet që shesin në të zezë, të palicencuara, jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe ndëshkimi ligjor ndaj tyre jo gjithnjë është efikas. Për fat të keq, një pjesë e pandërgjegjësuar dhe e painformuar e konsumatorëve vazhdon t’u drejtohet disa pikave apo subjekteve të dyshimtë që operojnë në mënyrë joligjore. Për ne, që zbatojmë me përpikëri ligjet e shtetit, që nga kontributet shoqërore e deri tek ato tatimore, kjo është një situatë e padrejtë dhe që na cenon direkt. Ne sigurisht do të vazhdojmë të operojmë sipas të gjitha standardeve europiane për t’u ofruar klientëve mundësinë për të bërë blerjet e tyre në Spar si në çdo vend tjetër të botës, edhe pse kjo na ekspozon ndaj investimeve dhe kostove të larta operacionale.
Si e shikoni në vazhdimësi potencialin për t’u zgjeruar në një treg ku konkurrenca është e fortë?
Sikurse theksova edhe më lart, nuk e shohim si problem konkurrencën e ndershme, por atë të pandershme. Përkundrazi, konkurrenca e ndershme do të na përmirësonte profesionalisht dhe cilësisht dhe të ndiqnin çdo formë dhe metodë moderne marketingu dhe shërbimi, për të qenë më pranë kërkesave të konsumatorit. Synimi ynë, që në fillim, është që të jemi rrjeti më i madh dhe më i mirë. Për këtë edhe zgjerimi ynë do të vijojë duke i dhënë mundësinë çdo shqiptari që të zgjedhë cilësinë dhe çmimet më të mira, të cilat padyshim mund të gjenden në një raport të balancuar vetëm në dyqanet Spar dhe Interspar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.